Lidhje

Mbeten të forta marrëdhëniet ushtarake Izrael -SHBA


Në fillim të korrikut, ushtria izraelite tha se kishte testuar me sukses një sistem i cili mund të rrëzojë raketat që vijnë drejt Izraelit.

I quajtur “Kubeja e Hekurt”, sistemi synon të mbrojtë vendbanimet izraelite nga raketet e hedhura prej Libanit ose Gazës.

Administrata amerikane po i kërkon Kongresit të miratojë fondin prej 205 milion dollarësh për të mbështetur Kubenë e Hekurt, një tjetër shembull ky i bashkëpunimit ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Endru Shapiro ndihmës sekretar i shtetit për çështjet politike-ushtarake, thotë;

“Hezbollahu ka grumbulluar dhjetra mijëra raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi përgjatë kufirit verior të Izraelit. Hamasi ka disa të tilla në Gazë. Edhe nëse këto nuk janë aq të sofistikuara përbëjnë një rrezik të madh.”

Sistemi Kubeja e Hekurt do të ndihmojë në neutralizimit e kërcënimeve të Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Dy grupet e armatosura islamike kanë bombarduar Izraelin me raketa në të kaluarën, duke nxjerrë në pah një dobësi strategjike të Izraelit.

Shtetet e Bashkuara po ashtu po i japin Izraelit qindra miliona dollarë për sisteme kundër-raketave, për mbrojtje kundër raketave me rreze të gjatë veprimi dhe kundër raketës balistike Shahab të Iranit.

Presidenti amerikan Barak Obama e vlerëson lart bashkëpunimin me Izraelin:

“Kjo ka të bëjë me interesat tona të sigurimit kombëtar, me interesat tona strategjike dhe sidomos me lidhjen mes dy demokracive, të cilat ndajnë një sistem të përbashkët vlerash.” - thotë ai

Vitin e kaluar, gjatë manovrave për mbrojtje kundër raketave, më shumë se njëmijë ushtarë amerikanë morën pjesë përkrah trupave izraelite, stërvitja më e madhe e këtij lloji në histori.

Këtë vit, Kongresi miratoi kërkesën e administratës për një paketë ndihme të sigurisë për Izraelin që kap 2.7 miliard dollarë, më e madhja që është miratuar ndonjëherë. Zoti Obama ka kërkuar tre miliard për vitin tjetër.

Administrata shpreson që kjo ndihmë do të mbështesë bisedimet për paqe ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara.

Ja ç’thotë, ndihmës-sekretari i shtetit Endru Shapiro.

“Mbështetja jonë për Kubenë e Hekurt dhe përpjekje të ngjashme i ofrojnë Izraelit përgatitjen që i duhet për të marrë vendime të vështira në të ardhmen drejt paqes gjithpërfshirëse.”

Disa analistë nga Lindja e Mesme thonë se administrata mund të shpresojë që ndihma të rrisë shanset për paqe, por nuk është e qartë nëse ky është edhe mendimi i qeverisë dhe ushtrisë izraelite.

Qeveria izraelite e sheh Iranin dhe programin e tij bërthamor si kërcënimin më të madh në rajon.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera miratuan së fundmi sanksione të reja kundër Teheranit, i cili thotë se programi i tij ka qëllime paqësore.

Martin Indik, drejtor i politikës së jashtme në Institutin Brukings dhe ish-ambasador amerikan në Izrael, thotë se suksesi i procesit të paqes i dobëson përpjekjet e Iranit në Lindjen e Mesme.

“Pikërisht sepse Irani përdor konfliktin arabo-izraelit për të zgjeruar ndikimin në rajon, trysnia ndaj tij në fakt mund të shtohet përmes një përpjekjeje të përgjithshme për të zgjidhur konfliktin arabo-izraelit.”

Që pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama dhe ka kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kanë patur diferenca të ndjeshme politike kryesisht lidhur me zgjerimin e vendbanimeve në Jeruzalemin lindor.

Por mosmarrëveshjet nuk kanë ndikuar mbi bisedimet indirekte të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Marrëdhëniet u tendosën kur Izraeli shpalli zgjerimin e vendbanimeve çifute në Jeruzalemin Lindor, të banuar kryesisht me arabë, gjatë një vizite më herët këtë vit të nënpresidentit amerikan Xho Bajdën.

Një tjetër takim u shty kur një ndërhyrje nga komando izraelite ndaj një flotilje me ndihma që po shkonte në Gazë përfundoi me vdekjen e nëntë veprimtarëve pro-palestinezë.

Mosmarrëveshjet nuk i kanë tronditur bisedimet e ndërmjetësuara për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Miçëll, ka vazhduar diplomacinë e ndërmjetësit mes të dy palëve në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta.

Në fillim të korrikut dy udhëheqësit u takuan përsëri dhe u duk se pati një përmirësim të dukshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Lidhja me Amerikës dhe Izraelit është e pathyeshme,” tha zoti Obama.

Kjo lidhje duket se është më e fortë në përpjekjet e administratës për forcimin e marrëdhënieve ushtarake dhe të sigurisë.

Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit Endru Shapiro, shton:

“Kjo administratë është veçanërisht e përqendruar në sigurinë e Izraelit, pikërisht për shkak të kërcënimeve gjithnjë e më serioze dhe të ndërlikuara që i kanosen në rajon. Izraeli është aleat jetik dhe gur themeli i angazhimeve tona të sigurisë në rajon.”

Zoti Shapiro thotë se administrata mbetet e përkushtuar për financimin e përvitshëm të paketës 10-vjeçare, me vlerë 30 miliard dollarë për shitje armësh dhe siguri për Izraelin.

XS
SM
MD
LG