Lidhje

Eurokontroll: 75 për qind e fluturimeve do të jenë sot në operim në Evropë

  • Zëri Amerikës

Agjencia Evropiane e Kontrollit të Trafikut, Eurocontrol, thotë se rreth 75 për qind e fluturimeve do të jenë sot në operim në Evropë, ndërkohë që vendet evropiane fillojnë të heqin kufizimet e lëvizjes, të ndërmarra në përgjigje të hirit vullkanik të përhapur nga vullkani islandez.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror thotë se pezullimet i kanë kushtuar industrisë së aviacionit 1.7 miliardë dollarë përfshirë 400 milionë dollarë në ditë gjatë 3 ditëve të para të ndalimit të fluturimeve.

Shoqëritë e fluturimeve thonë se do të duhen ditë për të akomoduar të gjithë pasagjerët që nuk arritën të udhëtojnë gjatë periudhës afro 1 javore, shumë prej të cilëve, të bllokuar në aeroporte të huaja, po u mbaronin paratë dhe durimi.

Pjesa më e madhe e hapësirës ajrore në Evropën qendrore dhe veriore u hapën sot, megjithëse disa aeroporte u detyruan të mbylleshin përsëri për shkak të resë vullkanike. Kreu ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Endrju Heins tha se udhëzimet ishin rishikuar pasi prodhuesit e aeroplanëve i kishin siguruar ata se fluturimet do të ishin të sigurta.

“Ka ende zona të vogla ku është e rrezikshme të fluturosh, dhe ato do të jenë të ndaluara, por megjithatë, asnjë prej tyre nuk është brenda hapësirës ajrore të Britanisë.”

Duke iu përgjigjur kritikave se përse kishte marrë gati një javë që udhëzimet të rishikoheshin, zoti Heins tha se, normalisht, një rivlerësim i tillë do të zgjaste dy deri në tre vjet.

“Është hera e parë që ndodhemi në një situatë të tillë. Kemi arritur ta shpejtojmë procesin falë përkushtimit të ekspertëve dhe duke pasur parasysh sigurinë e pasagjerëve.”

Kompania British Airways tha se pret uljen e mbi 20 fluturimeve nga Shtetet e Bashkuara, Afrika dhe Azia sot.

Në Francë, fluturimet nga aeroportet e Parisit për në destinacione ndërkombëtare ishin të kufizuara, megjithatë shumica e aeroporteve franceze ishin të hapura për disa fluturime.

Edhe hapësira ajrore e Gjermanisë u hap gradualisht sot në mëngjes për fluturime të rregullta.

Deri dje, kompanitë ajrore lejoheshin të operonin një numër të kufizuar fluturimesh, rreth 800 gjithsej, nën rregullat e ashtuquajtura të fluturimit vizual.

Aksel Rab, në agjencinë qeveritare gjermane për sigurinë e fluturimeve tha se situata do të rivlerësohej në bazë të të dhënave meteorologjike.

“Nëse vullkani aktivizohet përsëri, atëherë do të na duhet të mbyllim aeroporte sërish.”

Agjencia e kontrollit të trafikut ajror Eurokontroll tha se rreth 15 mijë nga 28 mijë fluturimet e caktuara për sot do të vazhdojnë sipas planit, dhe ndoshta edhe më shumë.

XS
SM
MD
LG