Lidhje

Votimi elektronik dhe sulmet kibernetike


Ekspertët amerikanë të sigurisë kibernetike thonë se piratët kibernetikë të cilët kohët e fundit ndërhynë në sistemet kompjuterike të Partisë Demokrate mund të bëjnë veprime më të rënda në të ardhmen. Ekspertët, të cilët këtë javë ishin të ftuar në emisionin Hashtag të Zërit të Amerikës, thonë se sistemi i votimit elektronik në Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të jetë në mesin e objektivave të ardhshme të hakerave.

Publikimi i emaileve të Komitetit Kombëtar Demokratik të Shteteve të Bashkuara nga Wikileaks muajin e kaluar, shkaktoi probleme të mëdha për partinë dhe detyroi kryetaren e komitetit, ligjvënësen demokrate Debbie Wasserman Schultz, të japë dorëheqjen.

Kjo tregon se hakerët e huaj mund të realizojnë qëllimet e tyre politike dhe i inkurajon ata që të shkallëzojnë sulmet e tyre, i tha emisionit Hashtag të Zërit të Amerikës, analisti i çështjeve kibernetike Richard Forno.

"Pengesat për procesin zgjedhor dhe politik të vendeve është një mjet klasik i shërbimeve të zbulimit dhe politikës së jashtme. Pra, ky sulm vetëm e përforcon faktin se edhe pse gjithnjë e më shumë ne po lëvizim drejt një epoke të votimit elektronik në shumë vende, kërcënimet tradicionale janë ende të pranishme dhe tani po kalojnë më shumë në hapësirën kibernetike."

Makinat elektronike të votimit janë pjesë e hapësirës kibernetike. Shumica dërrmuese e shteteve amerikane do t’i përdorin ato në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Por një studim i vitit 2015 nga Univesiteti i Nju Jorkut zbuloi se 43 shtete përdorin makina të vjetëruara, të prodhuara para një dekade.

Ekspertët e sigurisë kibernetike që po marrin pjesë në konferencën vjetore Black Hat në Las Vegas thonë se hakerat mund të bëjnë ndërhyrje të sukseshme në këto makina.

Eksperti Toni Gidwani thotë se ka një precedent për sulme të tilla.

"Ne pamë një rast të tillë në Ukrainë në vitin 2014, ku tre ditë para zgjedhjeve, komisioni qendror i zgjedhjeve pësoi një sulm masiv kibernetik që kërcënoi aftësinë e tij për organizuar zgjedhjet në afatin e parashikuar. Pastaj pak para shpalljes së rezultatit u zbulua një program infektues i cili kishte ndryshuar tërësisht rezultatin e zgjedhjeve."

Disa makina votimi në Shtetet e Bashkuara mund të prodhojnë të dhënat në letër që mund të përdoren në rast të problemeve gjatë numërimit të votave.

Por kjo veçori mund të mos jetë e mjaftueshme.

Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se organizatat që duan të mbrojnë infrastrukturën e tyre nga hakerat duhet të sigurohen që i gjithë personeli i tyre të jetë i kujdesshëm me veprimet e tyre në internet.

XS
SM
MD
LG