Lidhje

Zgjedhjet bashkiake në Dibër


Partitë politike mund të hapin pas pak ditësh fushatat për zgjedhjet e pjesshme në bashkinë e Peshkopisë, të cilën do të duhet ta zhvillojnë gjatë gushtit, sepse në 11 shtator në atë zonë ka votime.

Zgjedhjet ne Peshkopi
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Por dekreti i presidentit të Republikës Bujar Nishani, për zgjedhje të pjesshme vendore në bashkinë e Peshkopisë në datën 11 shtator u quajt i pavlefshëm dhe i paligjshëm nga Partia Socialiste.

Ajo e quajti atë një akt individual të Presidentit të Republikës, i nxjerrë në mënyrë të papritur.

Në deklaratën e Partisë Socialiste theksohet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndaj kryetarit të shkarkuar të bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili nuk është zbardhur dhe për botim në Fletoren Zyrtare, pra formalisht nuk ekziston.

“Procesi zgjedhor duhet të zhvillohet me një klimë besimi për të gjitha palët, duke lënë qytetarët të vendosin për përfaqësimin e tyre, por mbi të gjitha duke zbatuar përcaktimet e legjislacionit zgjedhor për caktimin e datës dhe organizimin e zgjedhjeve. Partia Socialiste si palë drejtpërdrejt e interesuar, në bazë të nenit 111 të “Kodit të Procedurave Administrative”, i kërkon Presidentit të Republikës të konstatojë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ sa më shpejt, në mënyrë që të mos shkaktohen pasoja të padëshiruara nga ligji” - tha deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti.

Por opozita tha se duke sulmuar presidentin e Republikës, socialistët mbrojnë abuzimin me pushtetin nga ish-kryetari i bashkisë së Dibrës.

Sipas partisë Demokratike, dekretimi i zgjedhjeve për bashkinë e Peshkopisë në 11 shtator është bërë sipas Kodit Zgjedhor, sepse Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidentin zyrtarisht më 1 gusht.

“Kryeministri mbron të inkriminuarit, mbron të dënuarin për përdhunim në Kavajë, mbron Bushin në Krujë, mbron Bardhin në Kurbin, të cilët janë subjekte të njohura të dekriminalizimit, për shkak të së kaluarës kriminale. Për të mbrojtur me cdo kusht pushtetin, dhe i kapur në panik nga vota e qytetarëve, tani Edi Rama del në mbrojtje edhe të Shukriut të Dibrës. I mban dhe i mbron Edi Rama, bushin, roshin, bardhin, shukrin sepse me ta ndan pushtetin, dhe me ta kërkon të prishë zgjedhjet e ardhshme” - tha Ina Zhupa, zëdhënësja e Partisë Demokratike.

Presidenca bëri po ashtu një deklaratë me detaje ligjore mbi dekretin, i cili nëse mbetet kështu si është, partitë duhet të çelin fushatat zgjedhore pas pak ditësh për Peshkopinë, një nga bashkitë kryesore të vendit.

Ish-kryetari i bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili, u shkarkua nga qeveria pas publikimit në media të disa pamjeve, ku ai kërkonte favore seksuale nga një nëpunëse.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimin e tij, ndërsa partitë politike duhet të matin sërish forcat jo vetëm me reforma, ndryshime ligjore dhe deklarata, po edhe në një palë zgjedhje vendore në verilindje të vendit.

XS
SM
MD
LG