Lidhje

Zgjedhjet në Kosovë në fillim të vitit 2011 – vazhdojnë debatet për datën

  • Leonat Shehu

Zgjedhjet në Kosovë në fillim të vitit 2011 – vazhdojnë debatet për datën

Zgjedhjet në Kosovë në fillim të vitit 2011 – vazhdojnë debatet për datën

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se partitë politike nuk janë pajtuar që zgjedhjet e parakohshme të mbahen brenda këtij viti dhe tani janë në vijim i sipër këshillimet për kohën se kur do të mbahen ato. Pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu, javën e kaluar, në Kosovë filluan debatet për hapat e mëtejmë në funksion të pengimit të boshllëkut institucional.

Tashmë të gjithë pajtohen se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, por çështja është se kur do të mbahen ato. Zoti Krasniqi tha së këshillimet gjatë ditëve të vazhdim do të çojnë në përcaktimin e një date që do t’u përshtatet të gjithëve dhe që është në pajtim me afatin kushtetues.

“Të gjithë njerëzit që janë konsultuar, udhëheqësit e partive politike nuk e kanë gatishmërinë që të zhvillohen zgjedhjet brenda këtij viti, do të thotë janë që të ketë zgjedhje të parakohshme por në afatin që na lejon periudha gjashtë mujore”. tha zoti Krasniqi.

Edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se zgjedhjet duhet të mbahen brenda afateve ligjore, ndërsa mohoi të ketë krizë institucionale.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Presidentit është një situatë e re, me një situatë të cilën institucionet janë duke funksionuar në mënyrë shumë stabile, efektive dhe efikase dhe gjithçka edhe në hapat e ardhshëm do të jetë në përputhshmëri me procedurat e rregullta, me ligjet e Kosovës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dokumentin e Presidentit Ahtisari”, tha kryeministri Thaçi.

Partitë politike kanë qëndrime të ndryshme sa i përket kohës së zgjedhjeve të parakohshme. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se muaji mars i vitit të ardhshëm është koha më e përshtatshme për zgjedhjet. Ndërsa drejtuesit e Partisë Demokratike të cilët fillimisht kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen sivjet, kërkojnë që ato të mbahen në fillim të vitit që vjen. Më këtë sipas tyre do të respektoheshin afatet kushtetuese, meqë kryetari i Parlamentit mund të jetë ushtrues detyre i presidentit jo më shumë se gjashtë muaj.

Realiteti i ri politik i krijuar në Kosovë pritet të ndikojë edhe në procesin e bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi tha sot se për të hyrë në këto bisedime, Kosova duhet të ketë institucione të fuqishme që dalin nga zgjedhjet e lira.

“Këto ditë Kuvendi i Kosovës do të duhej të dilte me një rezolutë që jep disa korniza dhe unë besoj që të gjithë në Kosovë janë të përgatitur që bisedimet të zhvillohen pas konsolidimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e lira”, tha zoti Krasniqi.

Opozita pajtohet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por tërheq vërejtjen se organizimi i tyre kërkon në radhë të parë përmirësime në ligjin e zgjedhjeve, ndryshimet në të cilin janë kërkuar edhe nga ekspertët e Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG