Lidhje

Dhjetëra të vdekur nga zjarri në Oakland, Kaliforni


Ka arritur në 33 numri i të vdekurve nga zjarri që shkrumboi një depo të kthyer në studio arti në Oakland të Kalifonisë. Numri i viktimave mendohet të jetë edhe më i lartë, ndërsa hetuesit vazhdojnë të kërkojnë në ndërtesën ku një mbrëmje argëtuese u kthye në tragjedi. ​

“Po identifikojmë viktimat, ka mes tyre të mitur, 17 vjeç e ndoshta edhe më të vegjël. Nuk e dimë me siguri. Besojmë se shumë prej viktimave ishin të moshave 20 dhe 30 vjeçare”, tha Ray Kelly, nga zyra e sherifit në Kontenë e Alamedës.

Zjarri përpiu magazinën e kthyer në studio arti natën e së premtes. Sipas njoftimeve nuk ka patur leje për përdorimin e ndërtesës për të jetuar, për festa dhe se ajo nuk ishte e pajisur me sistemin e shuarjes së zjarrit.

Zyrtarët thanë se rruga e vetme për të zbritur nga kati i dytë ishin një palë shkallë provizore prej druri.

Hetuesit e posaçëm për zjarret po shikojnë me imtësi çdo pjesë të ndërtesës së shkatërruar për të gjetur shkakun e zjarrit. Sipas zyrtarëve, deri tani vetëm 20 përqind e ndërtesës është kontrolluar.

Pas ankesave të përsëritura nga fqinjët se njerëz po jetonin në mënyrë të paligjshme në ndërtesë dhe se grumbulli i plehrave po zmadhohej, organet e qytetit hapën një hetim më 13 nëntor. Zyrtarët shkuan për të bërë inspektimin katër ditë më pas por nuk mundën të futeshin brenda.

XS
SM
MD
LG