Lidhje

Zonjat e para, Obama, Bush në ceremonitë për 11 shtatorin


Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama dhe ish-zonja e Parë Laura Bush, do të marrin pjesë në një ceremoni që do të zhvillohet me rastin e 9-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Fondacioni Kombëtar i Parqeve thotë se është në plan që të dyja zonjat e para të flasin në ceremoninë që do të zhvillohet në Shanksville të Pensilvanisë, ku një nga 4 avionet e rrëmbyera u përplas më 11 shtator të vitit 2001.

Avioni, të cilin e morën nën kontroll rrëmbyesit, ishte nisur nga Newark-u i New Jersey-it për në San Fransico në Kaliforni. Mendohet që pasagjerët u përleshën me rrëmbyesit, që e përplasën avionin në një fushë në Pensilvaninë perëndimore, para se të arrinte në destinacionin që synonte, ndoshta kryeqyteti Washington.

Të 40 pasagjerët dhe ekuipazhi në bordin e avionit u vranë. Rreth 3 mijë persona u vranë në sulmet terroriste të 11 shtatorit. Terroristët e Al Kaidës i përplasën avionët e tjerë në ndërtesat e Qendrës Botërore të Tregtisë në qytetin e New Yorkut dhe në Pentagon, pranë Washingtonit.

XS
SM
MD
LG