Lidhje

Vetro Energy nuk ka bërë asnjë pagesë


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha deklaroi se ende konsorciumi Vetro Energy i cili u shpall fitues për blerjen e Albpetrolit nuk ka bërë asnjë pagesë. Zoti Berisha nuk dha shumë hollësi për ecurinë e procesit duke deklaruar se do të zbatohet ligji dhe vetëm ligji. Nga ana e tij kryetari socialist Edi Rama e cilësoi si një privatizim të errët, garën për shtjen e aksioneve të Albpetrolit ndërkohë që sulmoi edhe shitjen e katër hidrocentrale të vegjël javën e shkuar duke u shprehur se më ardhjen në pushtet të socialistëve, ky privatizim do të zhbëhet. Zoti Berisha dhe zoti Rama mbajten dje pasdite njëri pas tjetrit dy konferenca të gjata shtypi

Nënshkrimi i kontratës së shitjes së Albpetrlit ka mbetur pezull që në fillim të dhjetorit. Konsorciumi Vetro Energy i kontrolluar nga sipërmarrësi shqiptar Rezart Taci duhet të bënte pagesën e garancisë prej 20 përqind të ofertës prej 850 milion eurosh që ai dha për për të blerë ndërmarrjen e nxjerrjes së naftës. Ndonëse prej shumë ditësh konsorciumi njoftoi se e kishte bërë këtë pagesë, ende autoritetet shqiptare thonë se nuk është paguar asgjë. Këtë e deklaroi mbrëmë edhe kryeministri Sali Berisha “JO, deri tani, jo. As edhe një gjë”.

Zoti Berisha nuk dha detaje mbi ecurinë e procesit, ndërsa u pyet për këtë nga gazetarët: “Në mënyrë absolute, po ndiqet ligji, ligji dhe vetëm ligji. Ligji ka germën ka dhe frymën, në kupimin që ligji parashikon një muaj të drejtën për zgjatje afati. Dhe ky afat është dhënë, është parashikuar”.

Por edhe ky afat ka më shumë se tre javë që ka kaluar. Por duket se autoritetet janë të gatshme të presin mbërritjen e parave. Këtë la të kuptohet edhe kryeministri: “Kam theksuar dhe e theksoj se, në rast se kjo përfundon me sukses, çdo dollar i tij do kthehet në mirëqenie për qytetarët shqiptarë”.

Por opozita e cilëson të dyshimtë procesin e ndjekur për Albpetrolin. “U bë një privatizim i errët. U deklamua një shifër e bujshme. Për ne nuk ishte as e besueshme dhe as e bujshme. Megjithatë sot Albpetroli nuk është as i privatizuar dhe as i Shtetit”, tha kryetari socialist Edi Rama.


Sipas zotit Rama kontratat e koncesionit apo dhe privatizimet në sektorin e hidrokarbureve, si dhe rasti Armo, do të jenë objekt i një hetimi të thellë me ardhjen e socialistëve në pushtet:“Pavarësisht pronësisë së Albpetrolit deri në qershirn e ardhshëm, a do të jetë pronë publike, a do bëhet pronë private përmes këtij privatizimi që duket se është në ngërc, duatë sigurojë shqiptarët se përmes ligjit, ne do të hyjmë aq thellë në aferat e këtij sektori sa do të habitet e gjithë Shqipëria”.

Zoti Rama kundërshtoi edhe privatizimin javën e shkuar të katër hidrocentraleve të vogla Bistrica 1 dhe 2 si dhe hidrocentrali Shkopet dhe Ulëz, duke qenë se sipas tij ato ishin fitimprurëse dhe për to ishin marrë kredi për rehabilitim:“Unë dëshiroj tua bëj të qartë ofertuesve, mos shkoni më tute në këtë proces, ne nuk do të lejojmë që këto pasuri të grabiten për llogari të qeveritarëve që sot nuk arrijnë dot më të mbajnë shtetin në këmbë”

Por nga ana e tij kryeministri Sali Berisha u përgjigj mbrëmë duke e cilësuar plotësisht transparent procesin për shitjen e tyre: “Ky është një proces kryekëput transparent, ku të gjitha ofertat janë hapur para kamerave televizive. Ka një konsulent ndërkombëtar që është Koorporata Financiare Ndërkombëtare, krahu tregtar i BB-së dhe një komision vlerësues kompetent e serioz. Unë nuk do t’i lejoj vetes komente të tjera, në një proces në vazhdim. Nëse e njeh apo jo zoti Rama procesin, nuk është e rëndësishme kjo. E rëndësishme është që zoti Rama të njohë veten e tij, por këtë ai e ka të pamundur”.

Cështjet e privatizimeve por edhe ato ekonomike duket se do të jenë, më shumë se cdo herë tjetër, një pjesë qëndrore e fushatës së ardhshme elektorale për zgjedhjet e qershorit 2013.

XS
SM
MD
LG