Lidhje

Çfarë është terrorizmi në të vërtetë?


Çfarë është terrorizmi në të vërtetë? Mund të duket e lehtë të dallohet një akt terrorist. Por megjithë ekzistencën e ligjeve dhe traktateve ndërkombëtare që e përkufizojmë terrorizmin si krim, ka njerëz që mendojnë ndryshe.

Terrorizmi mund të ndodhë kudo dhe në mënyrë të paparashikueshme. Në Samarra të Irakut, një xhami shiite u hodh në erë në shkurt, apo në Bali të Indonezisë, kur tre autorë sulmesh vetëvrasëse shkaktuan vdekjen e 20 vetëve. Në Londër tre trena metroje dhe një autobus u hodhën në erë në korrik me bomba.

Në New York më 11 shtator 2001, avionë të rrëmbyer goditën kullat e Qendrës Botërore të Tregëtisë, ndërsa në Washington një tjetër avion i rrëmbyer goditi Pentagonin.

Terrorizmi mund të përkufizohet si dhunë kryesisht kundër civilëve nga grupe që duan të ndikojnë tek politikat e një qeverie duke ngjallur frikë në shoqërinë e saj.

Analisti Brian Jackson i korporatës Rand në Washington thotë se megjithëse objektivat e grupeve të veçanta terroriste mund të jenë të ndryshme nga njëri-tjetri, ka diçka të përbashkët që i lidh këto akte dhune. “Terrorizmi është armë psikologjike. Është përpjekje për të shkaktuar frikë dhe të ushtrojë ndikim tek të tjerët përmes frikës. Kështu duke u bërë keq pjesëtarëve të popullsisë, ata përpiqen të shkaktojnë frikë tek gjithë popullsia që ajo nga ana e saj të ushtrojë presion tek qeveria për të ndryshuar vendimet e saj”, thotë analisti.

Kështu ndodhi në Spanjë para dy vjetësh. Tri ditë para zgjedhjeve parlamentare, një sërë shpërthimesh shkatërroi tre trena duke vrarë të paktën 200 persona. Një videokasetë u gjet atëherë në Madrid ku merrej përgjegjësia për al-Kaidën që kërkonte që Spanjë të tërhiqej nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Analistët thonë se videokaseta u bë faktor që spanjollët të zgjidhnin Partinë Socialiste të opozitës së Jose Luis Rodriguez Zapateros që i tërhoqi menjëherë trupat spanjolle nga Iraku. Në fakt ka përkufizime ligjore të terrorizmit në ligjet amerikane dhe traktatet ndërkombëtare, megjithatë këto përkufizime mund të jenë të ndryshme nga qëllimi dhe përmbajtja.

Jeffrey Breinholt, zëvendës shef i kundër terrorizmit në Departamentin amerikan të Drejtësisë shpjegon se si parashikohet terrorizmi në ligj Shtetet e Bashkuara: “Në Shtetet e Bashkuara nuk ka gjë të tillë si krim i terrorizmit. Në fakt ne si qeveri bëjmë një listë të akteve që ne e dimë që terroristët i kryejnë dhe pastaj e parashikojmë si krim kryerjen e këtyre akteve”. Rrëmbimi i avionëve, mbajtja e paligjshme e armëve dhe eksplozivëve dhe shkatërrimi i objekteve qeveritare amerikane janë disa nga aktet e lidhura me terrorizmin, që parashikohen nga ligji federal.

Shumë vende dhe traktate ndërkombëtare e përkufizojnë terrorizmin si krim, por Brent Heminger në Qendrën e pavarur për Kërkime për Terrorizmin që nuk i konsiderojnë disa akte si terrorizëmm, për shkak të bindjeve të tyre politike apo shoqërore. “Nëse del në rrugë në Shtetet e Bashkuara dhe pyet dhe amerikanë të kombësive dhe bindjeve të ndryshme se çfarë është terrorizmi, do të marrësh 10 përgjigje të ndryshme. Për çdo person ideja e një terroristi dhe e një luftëtari për lirinë është e ndryshme sidomos në Shtetet e Bashkuara. Në vitet 1980, terroristët në Amerikën Qendrore ishin në fakt për ne luftëtarë të lirisë”.

Disa njerëz e kanë mbrojtur dhunën e IRA-s në Irlandën Veriore si një përpjekje legjitime për ta bashkuar rajonin e kontrolluar nga Britania me Republikën irlandeze. Arsyetime të tilla janë përdorur edhe për dhunën e separatistëve çeçenë dhe të Sri Lankës. Ideja e terrorizmit mund të ndryshojë edhe nga feja. Disa njerëz pretendojnë shkrimet e shenjta të besimit të tyre kanë fragmente që e justifikojnë dhunën dhe kjo megjithëse të gjitha fetë kryesore thonë se vrasja e njerëzve të pafajshëm është e papranueshme.

Perëndimi e sheh terrorizmin si një kërcënim të madh për paqen dhe stabilitetin kundër të cilit duhet të merren masa të rrepta dhe gjithëpërfshirëse. Analisti Steven Welsh, në Qendrën për Informacion për Mrojtjen në Washington thotë se përpjekjet duhet të shkojnë përtej kapjes dhe ndëshkimit të autorëve të dhunës. “Që të kapet rrjeti i gjerë, gjithkush që ka përgjegjësi dhe të shqyrtojmë masat që duhet të marrim për të parandaluar terrorizmin, ne duhet të t’u gjejmë rrënjët aktiviteteve ndihmëse si sponsorizimi, organizimi dhe nxitja për dhunë”, thotë zoti Welch.

Këto aktivitete me ndihmën e teknologjive moderne që lejon lëvizjen e fshehtë dhe komunikimet, e bëjnë luftën globale kundër terroristëve gjithnjë e më komplekse dhe të vështirë. Por Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera thonë se asgjë nuk do t’i ndalojë për t’i mposhtur ata. //rd//

XS
SM
MD
LG