Lidhje

Helmet mund të jenë zgjidhja për dhimbjet kronike


Miliarda tableta prodhohen çdo vit për për të kontrolluar dhimbjen, por shkencëtarët thonë se kërkimet e tyre kanë filluar të tregojnë se nuk ka shumë trajtime të efektshme për lehtësimin e dhimbjes kronike. Rezultatet e teknikave dhe trajtimeve të reja të institucioneve kërkimore në mbarë Britaninë janë duke u paraqitur në një ekspozitë kushtuar dhimbjes në Muzeun Shkencave të Londrës.

Një pickim nga kjo kafshë e vogël mund t’ju trondisë, mundësisht duke shkaktuar kruarje, ënjtje dhe, natyrisht, dhimbje.

Por helmi i krijesave si kjo merimangë mund të ofrojnë çelësin për krijimin e qetësuesve të rinj të dhimbjeve.

Lehtësimi i dhimbjes është një fushë e gjerë shkencore kërkimesh, e cila synon të gjejë një produkt që jo vetëm ndihmon në kapërcimin e dhimbjes së mprehtë pas një dëmtimi, por që ndalon edhe dhimbjen kronike të pranishme tek njerëzit në kushte mjekësore si skleroza e shumëfishtë, artriti, apo herpesi.

Në treg ka qetësues të shumtë, por barnat për lehtësimin e dhimbjes afatgjatë kanë efekte anësore që ulin ndjeshëm dobinë e tyre.

Disa muaj më parë, shkencëtarët në Francë publikuan kërkime të tyre sipas të cilave helmi potencialisht vdekjeprurës i gjarprit Mamba përmban proteina që mund të bllokojnë dhimbjen.

Helmi i kësaj merimangë është duke u nxjerrë nga Venomtech, një kompani që furnizon institucione dhe kompani mjekësore në Britani dhe Amerikë.

Steven Trim është themeluesi dhe drejtori i Venomtech.

"Helmi, në fakt, mund të aktivizojë dhe të komandojë gjenet që kontrollojnë dhimbjen më mirë se ilaçet moderne, dhe kjo është arsyeja për të cilën janë duke u zhvilluar kërkime me helmin e merimangës. Në veçanti ekziston një prej këtyre helmeve, i cili vepron në një gjen të ngjashëm, dhe nëse njerëzit pësojnë mutacion të këtij gjeni, ata nuk mund të ndjejnë dhimbje. Pra kemi të bëjmë me një helm merimange që mund të bllokojë dhimbjen tek njerëzit e shëndetshëm, që e kanë atë gjen."

Shkencëtarë në të gjithë botën janë në kërkim të mënyrave për të realizuar këtë mutacion. Por dhimbja është më e ndërlikuar sesa një përgjigje e thjeshtë fizike. Një nga gjërat që bën secilin prej nesh unik është fakti që reagojmë ndryshe.

Teknika të sofistikuara skanimi kanë zbuluar mënyrat me anë të të cilave dhimbja lidh trurin tonë me trupin, dhe shkencëtarë të Universitetit Oksford po shohin se çfarë ndodh në trurin e njeriut, kur shkaktohet dhimbje.

Hulumtuesi Melvin Mesuze u ofrua si vullnetar për kërkimet e Universitetit rreth lehtësimit të dhimbjes të drejtuara nga Profesoresha Irene Tracey.

Gjatë skanimit ai dëgjoi muzikë të zymtë ndërkohë që shkencëtarët matnin nivelin e dhimbjes së shkaktuar.
Profesoresha Irene Tracey shpjegon eksperimentin.

"Shpesh përdorim pjesën ‘Rusia nën zgjedhën mongole’ të Prokofievit, që ne në fakt e luajmë me gjysmën e shpejtësisë. Kur ajo dëgjohet me gjysmën e shpejtësisë, besomëni, është muzikë shumë e trishtuar dhe pastaj ne shkaktojmë djegie tek personi."

Depresioni dhe dhimbja e mprehtë tregojnë përgjigje në zona të ndryshme të trurit. Mjekët thonë se përgjigjet emocionale si depresioni mund të ndikojnë në intensitetin me të cilin ne përjetojmë dhimbjen.

Por, edhe pse detaje të tilla mund të njihen tashmë, shkencëtarët janë ende larg kuptimit të plotë të dhimbjes dhe të shkaqeve të saj.

Peter King përjeton dhimbje kronike prej një kohe të gjatë. Njëzet vjet më parë një dëmtim e detyroi të priste njërin krah, që ishte dobësuar më parë nga poliomeliti i kaluar gjatë fëmijërisë. Truri i zotit King percepton dhimbje prej krahut që nuk ekziston më, sepse rrënjët e ndjesorëve të atij krahu janë shkatërruar. Peter King është pjesë e një eksperimenti në Universitetin e Mançesterit që përdor realitetin virtual për të trajtuar dhimbjen e gjymtyrëve fantazmë dhe ai është i befasuar nga rezultatet pozitive.

Seancat mjekësore të cilave ai u nënshtrohet çdo muaj zgjasin tridhjetë minuta, dhe pasojat vazhdojnë për dy ditë.

"Ënjtja e gishtave të mi do të shkojë si dhe djegia do të kalojë. Në fakt, djegia më shkakton pjesën më të madhe të sikletit dhe ajo do të kalojë. Gjithashtu, edhe goditjet elektrike nuk më shqetësojnë më si më parë, dhe kjo më lejon të shijoj një jetë mjaft normale."

Megjithatë, fusha më interesante e kërkimeve shkencore për zbulimin e qetësuesve të dhimbjes është studimi i njerëzve të cilët nuk ndjejnë dhimbje aspak.

Steven Pete ka një mutacion të gjenit SC9A.
Vetëm ky ndryshim do të thotë se ai nuk ndjen kurrë asnjë dhimbje.
Dhimbja është një sinjal paralajmërimi që na bën të mos vazhdojmë së bëri diçka që dëmton trupin tonë.

Dr. Geoff Woods po udhëheq një ekip në Institutin për Kërkime Mjekësore të Universitetit të Kembrixhit duke hetuar nëse kjo situatë shëndetësore mban çelësin për lehtësim e dhimbjeve, pa efektet anësore të barnave si ato me përmbajtje opiumi. Dr. Woods ka zbuluar se të gjithë fëmijët dhe familjet që ishin të pandjeshëm ndaj dhimbjeve kishin mutacionin SC9A.

Steven Pete shpreson që ekipi i Dr.Woods të jetë në gjendje të përdorë çrregullim e pazakontë të tij për të ndihmuar të tjerët.


XS
SM
MD
LG