Lidhje

Kriza në Gaza dhe marrëdhëniet SHBA - Turqi


Israel Gaza
Israel Gaza

Thellimi i krizës izraelito - palestineze rreth Gazës po krijon tendosje në lidhjet amerikano – turke

Thellimi i krizës izraelito - palestineze rreth Gazës po krijon tendosje në lidhjet amerikano – turke, ndërsa Ankaraja është duke i bërë thirrje Uashingtonit për të përmbajtur Izraelin.

Dje gjatë një konference në Stamboll, kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi ashpër Izraelin për ndërhyrjen e vazhdueshme ushtarake në Gaza.

“Ata të cilët e lidhin Islamin me terrorizmin mbyllin sytë para vrasjes masive të myslimanëve dhe masakrimit të fëmijëve në Gaza. Këto akte e bëjnë Izraelin shtet terrorist dhe aktet e tij janë terroriste.”

Zoti Erdogan bëri deklarata të ngjashme edhe gjatë një vizite në Kajro javën e kaluar.

Presidenti amerikan Barak Obama ka mbrojtur me forcë Izraelin në lidhje me operacionet kundër Gazës, duke përmendur të drejtën e Izraelit për vetë-mbrojtje.

Disa vëzhgues politikë në Turqi thonë se pikëpamjet e kundërta të dy udhëheqësve mund të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Por analisti Sinan Ulgen në Stamboll thotë se është e rëndësishme të shihet përtej retorikës së kryeministrit.

"Në nivel retorik, kryeministri turk e ka përdorur këtë mundësi për të përsëritur kritikat e tij ndaj Izraelit, por në të njëjtën kohë Turqia ka qenë një nga vendet, së bashku me Egjiptin dhe Katarin, e bashkuar me udhëheqjen e Hamasit për të folur për të ardhmen të rajonit dhe se si kjo krizë mund të tejkalohet. "

Analistët thonë se mes të presidentit amerikan dhe kryeministrit turk janë vendosur lidhje të forta ndërsa dy udhëheqësit janë në kontakt të rregullt - në veçanti në lidhje me konfliktin në Siri dhe mbështetjen e opozitës ndaj presidentin sirian Bashar al-Asad.

Por zoti Erdogan, me kritikën e ashpër ndaj Izraelit, tërthorazi kritikon Uashingtonin dhe Bashkimit Evropian për atë që ai thotë se kanë dështuar për të përmbajtur izraelitët.

Analisti Semih Idiz i gazetës turke Milliyet thotë se lidhjet e ngushta midis SHBA-së dhe udhëheqësve turq kishin krijuar shpresa se Uashingtoni do të merrte një qëndrim më neutral ndaj Izraelit në lidhje me Gazën.

"Udhëqesit turq janë tepër të zhgënjyer - Politika e jashtme e Amerikës është duke u hartuar në Tel Aviv dhe Jerusalem, dhe jo në Uashington. Por nga ana tjetër, Turqia dhe Amerika janë të angazhuar shumë në zgjidhjen e krizës siriane në këtë moment, kështu që ata nuk do të duan të lejojnë që situata me Izraelin të shkojë përtej një kufiri të caktuar. Pra, kjo është shumë e kushtëzuar me atë që Izraeli bën në Gaza. "

Tani për tani, të dyja palët duket se pajtohen me kundërshtinë në pikëpamje mbi konfliktin e Gazës. Por një thellim i krizës apo edhe një vazhdim i zgjatur i saj do të kërcënonte marrëdhëniet e ardhshme midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, thotë analisti Ulgen.

"Nëse Ankaraja vazhdon me retorikën e saj, atëherë kjo mund të sjellë një problem për marrëdhëniet amerikano - turke, sepse padyshim administrata amerikane do të vijë nën presion për të kritikuar qëndrimin turk. Megjithatë, çdo rrezik i mundshëm i një krize mes Turqisë dhe SHBA-së rreth Gazës mund të zbutet në qoftë se Ankaraja është në gjendje të shtyjë Hamasin drejt pajtimit dhe ndaljes së sulmeve. Dhe kjo është ajo që diplomacia turke po përpiqet për momentin. "

Sot (të martën), Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu viziton Gazën si pjesë e një nisme të Lidhjes Arabe. Ankaraja po kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Z. Davutoglu pritet t'i bëjë jehonë retorikës së ashpër të kryeministrit Erdogan ndaj Izraelit. Por prapa skenës ai pritet të punojë shumë për të gjetur një zgjidhje për krizën që po thellohet.
XS
SM
MD
LG