Lidhje

Jahjaga: Pavarësia e Shqipërisë u fitua në Kosovë


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga thotë se pavarësia e Shqipërisë,ishte fryt i punës së të gjithë atdhetarëve nga të gjitha trevat shqiptare

Presidentja e Kosovës, Atfete Jahjaga, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë njëqind vjet më parë, ishte fituar në Kosovë. Ajo tha se në këtë përvjetor të madh të shqiptarëve, duhet bërë vlerësim të drejtë të personaliteteve të historisë njëqind vjeçare të Shqipërisë së pavarur. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, presidentja Jahjaga flet edhe për bisedimet me Serbinë dhe rrugët e zgjidhjes së çështjes së veriut të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, Kosova është përfshirë në kremtime më rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ndërsa vet po bëhet gati të shënojë pesë vjet shtetësie. Si e shihni Shqipërinë në këtë përvjetor?

Atifete Jahjaga: Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor në Vlorë, është fryt i punës së të gjithë atdhetarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Ngritja e flamurit u bë në Vlorë, por, pavarësia e Shqipërisë u fitua në Kosovë, me përpjekjet e saj të pandërprera nga viti 1905 deri në vitin 1912. për çlirim përfundimtar nga zgjedha shumëshekullore. Shqipëria ka arritur përparime të mëdha përkundër kohës, përkundër vështirësive dhe përkundër peripecive nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar gjatë gjithë kësaj periudhe. Shqipëria sot është një shtet modern, është një shtet evropian, është një shtet që ka një të ardhme të garantuar drejt anëtarësimit në BE. Është një shtet tashmë anëtar i NATO-s dhe jep kontributin konkret në ruajtjen e paqes botërore. Marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, mund të them se janë shembullore dhe të gjithanshme dhe po zhvillohen në mënyrë të vrullshme nëpërmjet mirëkuptimit dhe koordinimit të plotë. Jemi faktorë të qëndrueshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, ju u gjetet nën kritika për shkak të nderimeve që i bëtë mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu. Si i shihni ju debatet që janë ngritur rreth personaliteti të mbretit Zog por edhe figurave tjera shqiptare të shekullit të kaluar?

Atifete Jahjaga: Krejtësisht normale dhe të nevojshme ta themi, për t’i vënë të gjitha gjërat në vend të vet, jashtë kufizimeve ideologjike, partiake apo të interesave të ngushta. Unë e mbroj qëndrimin dhe parimin se secili personalitet duhet të vlerësohet në kuadër të rrethanave, të kushteve të kohës dhe të rrethanave në të cilat kanë vepruar dhe në të cilat janë dhënë rezultate konkrete. Faktet janë evidente dhe janë të pamohueshme, vetëm duhet të kihet gjykim të drejtë për to.

Zëri i Amerikës: A ishte ndërkaq shkuarja në manifestimet me rastin e ngritjes së shtatores së Hasan Prishtinës, njëfarë përpjekje për të drejtpeshuar këto qëndrime apo...?

Atifete Jahjaga: Kurrsesi. Ishte thjeshtë, vlerësim i vlerave të të gjithë atdhetarëve tanë.

Zëri i Amerikës: Po u kthehemi çështjeve të Kosovës. Kur po mbushë pesë vjet pavarësie, Kosova është përfshirë në një seri të re bisedimesh me Serbinë e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Ku po çojnë këto bisedime?

Atifete Jahjaga: Procesi i bisedimeve që tashmë po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve ka më shumë se një vit e gjysmë dhe një sërë marrëveshjesh kanë dalë nga ky proces i dialogut ndërmjet shteteve tona të pavarura, që kanë për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Dhe do të çojë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si dy shtete fqinje dhe në mes popujve tanë. Unë këto ditë kam emëruar me dekret te veçantë zotin Blerim Shala, si koordinator politik për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Zëri i Amerikës: Cili është roli i presidentes në këtë proces, përveç emërimit të një bashkërenduesi?

Atifete Jahjaga: Ai rol që është i përcaktuar në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve, faktor i unitetit dhe nënshkrimi i të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, paraprakisht të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Është lënë e hapur mundësia që të takoheni me presidentin serb Tomislav Nikoliç dhe ju jeni shprehur e gatshme ta bëni një gjë të tillë. Çfarë do të kërkonit prej tij nëse do ta takonit?

Atifete Jahjaga: Është detyrë e secilit udhëheqës që të takohet me homologët e vet, me përfaqësues të institucioneve, personalitete etj. Dhe unë si presidente e vendit kam shprehur gatishmërinë të takohem me presidentin e Serbisë, gjithmonë duke pasur parasysh dhe duke mbrojtur interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, interesat e vendit dhe gjithmonë duke ju përmbajtur kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë. Bisedat zhvillohen ndërmjet të barabartëve dhe duhet të respektohet realiteti i ri, që Kosova është shtet sovran, është shtet i pavarur dhe ka integritetin e plotë territorial dhe të gjitha bisedimet që zhvillohen, janë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona fqinje meqë edhe rruga e Kosovës edhe rruga e Serbisë është drejt anëtarësimit në BE. Këtë rrugë ne mund ta kalojmë shume më lehtë duke ndihmuar njëra tjetrën dhe jo duke vendosur pengesa për njëra tjetrën dhe duke i kontribuar paqes dhe stabilitetit në rajon.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, sovraniteti i Kosovës sfidohet në veriun e saj dhe kjo pritet të jetë tema më e nxehtë e bisedimeve. Cili mendoni se do të jetë përfundimi i procesit të zgjidhjes së situatës në atë zonë?

Atifete Jahjaga: Çështjet e brendshme të Kosovës nuk do të bisedohen me askënd, e aq më pak me Serbinë. Në katër komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet lokale, me qëllim të zgjedhjes së përfaqësuesve legal dhe legjitim në këto katër komuna. Do të konstituohen organet komunale qeverisëse dhe do të ketë respektim dhe zbatim të plotë të kushtetutës dhe të ligjeve të vendit dhe po ashtu do të ketë zbatim të pakos së (Martti) Ahtisaarit, dokument i cili tashmë ka treguar rezultate në të gjitha komunat tjera përmes procesit të decentralizimit. Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar ku të gjithë i gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtat e tyre, pa marrë parasysh në cilën pjesë të territorit të shtetit tonë jetojnë.

Zëri i Amerikës: Por me gjithë dëshirat dhe qëndrimet e institucioneve të Kosovës por edhe mekanizmave ndërkombëtar që kanë hedhur vazhdimisht poshtë edhe ndarjen e veriut, në terren ka një situatë tjetër. Atje nuk ka institucione të Kosovës. Si do t’i bëni këto që i përmendet deri tash, si do të zbathen ato, kush do t’i imponojë fundi i fundit?

Atifete Jahjaga: Nuk ka ndarje as të Kosovës, as të Serbisë, Nuk ka këmbim territoresh, nuk ka shpërngulje të popullsisë, nuk ka autonomi politiko – territoriale për këtë pjesë të vendit dhe nuk ka status special. Kufijtë në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë janë të pandryshueshëm dhe të gjitha zgjidhjet do të jenë konform kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe brenda kufijve ekzistues. Sovraniteti dhe integriteti territorial i të dyja shteteve tona është i garantuar dhe nuk ka asnjë zgjidhje që do të jetë zgjidhje e imponuar, përveç bashkëbisedimit në mes të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës në këto komuna dhe argumentit se zgjidhja është brenda kushtetutës dhe brenda ligjeve të Kosovës. Dhe rezultateve që po arrihen në realizimin e të drejtës qeverisëse në nivel komunal, tashmë kanë treguar rezultatet e veta dhe ajo zgjidhje që është në Graçanicë apo në komunat tjera, do të aplikohet edhe në për këto komuna në veri të territorit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kush do t’i bindë ata për një gjë të tillë? Ju, Beogradi, apo bashkësia ndërkombëtare?

Atifete Jahjaga: Vet kushtetuta dhe ligji.
XS
SM
MD
LG