Lidhje

Përfundon takimi i radhës Thaçi – Daçiç


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar të caktojnë zyrtarët e ndërlidhjes, që fillimisht do të punojnë në zyrat e BE-së


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, janë pajtuar që dy nga vendkalimet kufitare të jenë funksionale që nga dhjetë dhjetori dhe të dyja palët do të shkëmbejnë zyrtarë ndërlidhës në kryeqytetet përkatëse.

Pajtimi pasoi mese pesë orë bisedime në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Në një komunikatë të zyrës së saj thuhet se “dy kryeministrat kanë konfirmuar përfundimet e grupeve punuese në bazë të të cilave vendkalimet kufitare në Jarinë dhe në Merdarë do të jenë operacionale prej 10 dhjetorit. Sipas saj, dy vendkalime të tjera do të jenë të gatshme për menaxhim të integruar më 31 dhjetor.

Në njoftim thuhet se të dy kryeministrat janë pajtuar të caktojnë zyrtarët e ndërlidhjes, por fillimisht këtë proces do ta lehtësojnë delegacionet e Bashkimit Evropian në Kosovë e Serbi.

Zonja Ashton pohon se kryeministri Thaçi i ka konfirmuar që ka ngritur njësitin e posaçëm të policisë me përbërje shumetnike, që do të përkujdeset për ruajtjen e monumenteve religjioze dhe të trashëgimisë kulturore.

Të dyja palët janë pajtuar që të sigurojnë transparencën e parave të destinuara për mbështetjen e komunitetit serb në Kosovë. Mes tjerash kryeministrat janë dakorduar që bisedimet të vazhdojnë edhe për fushën e energjisë e telekomunikacionit dhe të intensifikojnë bashkëpunimin e komisioneve për personat e zhdukur gjatë luftës.

Me gjithë pajtimin e të dyja palëve, ende mbetet e paqartë se si do të zbatohet marrëveshja në veriun e banuar me shumicë serbe. Përfaqësues lokal të serbëve në veri edhe gjatë natës kanë qëndruar në vendkalimin kufitar në Jarinë në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes që sipas tyre përcakton kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces të ri bisedimesh politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe më ketë proces Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Takimi i radhës pritet të mbahet më 17 janar të vitit të ardhshëm.

NATO-ja mbështet bisedimet – shtyn planet për shkurtim trupash

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës, pritet të jetë tema më e vështirë e këtyre bisedimeve. Situata në zonë karakterizohet me tensione të cilat kanë bërë që edhe NATO-ja të shtyjë planet për shkurtim të pranisë së trupave të saj në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Andërs Fogh Rasmussen tha të martën se kjo aleancë mbështet plotësisht procesin politik mes Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke nxitur Beogradin dhe Prishtinën, që siç ka thënë ai, të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të gjetur zgjidhje politike.

Zoti Rasmussen ka shfaqur shqetësimin për gjendjen e paqëndrueshme në veriun e Kosovës dhe kjo sipas tij është arsyeja se përse NATO-ja e ka shtyrë vendimin për shkurtimin e mëtejmë të numrit të pjesëtarëve të KFOR-it.

Aktualisht në Kosovë shërbejnë diç më pak se 6 mijë trupa të NATO-së.
XS
SM
MD
LG