Lidhje

SHBA: Priten beteja të tjera për shpenzimet


Uashingtoni zyrtar dhe shumë amerikanë në mbarë vendin janë më të lehtësuar pas miratimit nga Kongresi të planit të pjesëshëm të kompromisit për të shmangur të ashtuquajturën katastrofë fiskale të ngritjes së taksave dhe shkurtimit të buxhetit që do ta kishin zhytur ekonominë amerikane përsëri në recesion. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhim Mëllon, beteja të tjera mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për shpenzimet dhe taksat priten brenda disa javësh.

Pas disa muajsh debatesh politike, Presidenti Barak Obama dhe republikanët në Kongres arritën më në fund një marrëveshje për të shmangur ngritjen e taksave për të gjithë Amerikanët.

Por marrëveshja nuk jep ndonjë kontribut të ndjeshëm për t’i dhënë fund betejës për shpenzimet federale që republikanët janë të vendosur për shkurtime gjatë muajve të ardhshëm, megjithë humbjen e tyre në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor 2012.

Përplasja tjetër e madhe mund të vijë jo më vonë se muaji shkurt, kur Kongresi të shqyrtojë ngritjen e kufirit të borxhit në mënyrë që qeveria të vazhdojë të marrë hua për të bërë pagesat e nevojshme.

Presidenti Obama po i paralajmëron republikanët që çdo përpjekje për të penguar ngritjet e kufirit të borxhit si kusht për shkurtimet e shpenzimeve qeveritare do të dëmtojë mëkëmbjen delikate të ekonomisë së vendit.

“Megjithëse unë do të negocioj shumë gjëra, unë nuk do të zhvilloj një debat tjetër me këtë Kongrese nëse do të paguajnë ose jo për detyrimet që janë grumbulluar nëpërmjet ligjeve që ai ka miratuar”.

Por republikanët si kongresisti Spencer Bachus i Alabamës kanë mbetur të pakënaqur që kompromisi më i fundit në Kongres për të parandaluar ngritjen e taksave që bëri pak për të shkurtuar shpenzimet qeveritare.

Nuk ka shkurtime shpenzimesh. Ne po i shtojmë borxhit katër miliardë dollarë në ditë”.

Beteja për shkurtimin e shpenzimeve pritet të rishfaqet brenda dy muajve, kur Kongresi të marrë masa për shmangien e shkurtimeve të detyrueshme të mbrojtjes dhe shpenzimeve të brendëshme.

Analistët thonë se si demokratët ashtu edhe republikanët duhet të tregojnë më shumë vullnet për të bërë kompromis dhe për të shmangur bllokimet.

Ken Duberstin ka shërbyer si shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë me presidentin Ronald Regan. Duberstin thotë se republikanët duhet të pranojnë idenë se do të punojnë me President Obama edhe katër vjet të tjerë, por ai shton se edhe presidenti ka përgjegjësinë të bashkëpunojë me ligjvënësit republikanë që të dy palët të shënojnë rezultate gjatë mandatit të dytë të zotit Obama.

“Presidentët me një mandat të dytë mund të mësojnë se jo gjithçka shkon në rrugën e tyre, prandaj duhen bërë kompromise. Ata duhet të ndërtojnë ura komunikimi, duhet të bëjnë më shumë lëshime”.

Edhe pse zoti Obama fitoi një mandat të dytë në nëntor, shumë republikanë ende e shikojnë veten në kushte të barabarta me presidentin demokrat, sepse ata ruajtën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Larry Sabato, drejtor i Qendrës së Politikave në Universitetin e Virxhinias, thotë:

“Në të kaluarën, zgjedhjet kishin më shumë rëndësi se sa tani, pasi presidenti që zgjidhej për herë të dytë kishte mandatin të bënte diçka, nëse fitonte me një diferencë të pranueshme. Obama fitoi me vota popullore me rreth 4% më shumë. Dekada më parë kjo do të kishte qënë e mjaftueshme që përparësitë e tij të miratoheshin në Kongres. Por nuk funksionon më këtshu”.

Kongresi pritet gjithashtu të merret këtë vit me çështje të vështira partiake si kontolli i armëve dhe reforma e imigracionit, dy çështje për të cilat presidenti ka thënë se dëshiron të shikojë veprime gjatë mandatit të tij të dytë.

Por analisti republikan, Skot Fokner, i cili punonte për republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë viteve 90-të dhe në administratën Regan, thotë se debatet e ndërprera për taksat dhe shpenzimet mund të ndikojnë negativisht edhe për çështje të tjera.

“Nëse njerëzit i largohen praktikës së fushatës dhe mendojnë së pari për të qeverisur dhe jo për retorikë rekord, ne do të vazhdojmë pa rezultate”.

Megjithëse demokratët kanë më shumë vende në Kongresin e ri, demokratët dhe republikanët janë të ndarë, pasi të parët kanë shumicën në Senat dhe të dytët shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
XS
SM
MD
LG