E shtunë, 25 maj, 2013

Lajme / Bota

Kina dhe "kampet e riedukimit"

Veprimtarët e të drejtave të njeriut, skeptikë mbi reformat në sistemin e kampeve të punës së detyruar

china prisons
china prisons
Madhësia e gërmave - +
Për dekada me radhë, Kina mban kriminelë ordinerë, aktivistë dhe disidentë politikë në kampet punës, të njohura si “qendra riedukimi”. Grupe të të drejtave të njeriut thonë se kushtet në këto kampe janë të vështira dhe personat e ndaluar shpesh trajtohen me egërsi. Zyrtarët në Pekin thonë se synojnë t’i pakësojnë dënimet në kampet punës, në kuadrin e reformave që synojnë nxitjen e drejtësisë sociale. Por aktivistë të të drejtave të njeriut dhe disa të burgosur thonë se janë skeptikë. 
 
Për dy vjet, nga viti 2001 deri më 2003, Huang Bo  kaloi ditë dhe muaj të tërë duke kryer punë fizike të detyruar në Kinë. Gishtat e tij të shkathëta që lëviznin me saktësi dikur kur ai ishte mjek kirurg në Shangai filluan të endnin telat e dritave të Krishtlindjes, të paketonin dhurata për Krishtilindje dhe shumë gjëra të tjera që i ishin ngarkuar të bënte gjatë “riedukimit” në një kamp pune të Kinës.  Krimi  i tij i vetëm ishte se ai ishte simpatizant i lëvizjes medituese Falung Gong, që u ndalua si kult në fund të viteve 1990. Huang thotë se kushtet në kampin e punës ishin të padurueshme:
 
“Dy-tre muajt e parë më detyronin t’i bëja këto lloj gjërash çdo ditë, sepse donin që të mësoja rregullat dhe t’u bindesha urdhërave. Por në fakt, ky ishte vetëm një justifikim. Ata donin në të vërtetë të më torturonin që të hiqja dorë nga Falung Gong.”
 
Huang i tha Zërit të Amerikës se dënimet shpesh ishin shumë të rënda. Sipas tij, autoritetet e kampeve të punës përdornin elektroshokun për të dënuar të burgosurit që përpiqeshin të jepnin informacione për abuzimet që u bëheshin në kamp. Ai thotë se elektroshokët ishin aq të fortë, saqë të burgosurit nuk ishin në gjendje të urinonin.  
 
Dhe ai nuk ishte i vetëm. Autoritetet kineze i kanë përdorur qendrat e riedukimit për të ndaluar prostitutat, të droguarit dhe kriminelët ordinerë, nganjëherë edhe për 4 vjet me radhë, pa zhvilluar më parë procese gjyqësore ndaj tyre në vendin me një sistem drejtësie të mbingarkuar. Kundërshtarët e sistemit thonë se Pekini po ashtu i kishte shfrytëzuar për t’i bërë të heshtnin disidentët dhe kritikët e qeverisë.
 
Ditët e fundit Kina tha se do ta reformojë procesin e riedukimit përmes sistemit të punës që u krijua në vitet 1950, një periudhë, kur sipas agjencisë zyrtare të lajmeve HSINHUA, Partia Komuniste e Kinës po konsolidonte republikën e porsa themeluar dhe po e ndryshonte rendin social.
 
Në një njoftim të shkurtër, rrjeti televiziv CCTV's citonte në blog Meng Jianzhu-n, kreun e Komitetit për Politikat dhe Ligjin të Partisë Komuniste, të ketë thënë se Kina do t’i japë fund këtë vit sistemit të “riedukimit përmes punës”, pasi Parlamenti i vendit ta miratojë këtë vendim.
 
Roseann Rife, drejtoreshë e Azisë Lindore për Organizatën Amnesty International në Hong Kong, i tha Zërit të Amerikës se nuk është e qartë, në se një sistem i tillë, i rishikuar, do të siguronte një shans që njerëzit të mund të vetëmbrohen përmes një procesi të drejtë ligjor.
 
 "Eshte folur për projekte të reformave-pilot që do të fillonin këtë vit. Ato po cilësohen tani si projekte korrektimi të paligjshme. Ne nuk dime asgjë për to.”
 
Në se Pekini i zbaton këto plane, analistët thonë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm në reformimin e sistemit juridik dhe imazhin e tij për qëndrimin ndaj të drejtave të njeriut. Disa thonë se mbyllja e kampeve të punës dhe fundi i dënimeve në to do të ishte një tregues se udhëheqësi i ri kinez ka dëshirën për të kryer reforma ligjore, që kishin ngecur gjatë drejtimit të paraardhësit të tij, Hu Jintao. Që nga ardhja e tij në udhëheqjen e Partisë Komunsite të Kinës në nëntor, Zoti Xi ka bërë thirrje për masa të mëtejshme ndaj korrupsionit dhe shpenzimeve të tepërta, si dhe fuqizimin e sistemit ligjor.
Pore zonja Rife nuk është e sigurtë për këtë.
 
 “Mundet të jetë kështu. Rreziku është se kemi të bëjmë thjesht me një përpjekje që duket se i trajton këto çështje, si zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Por problemi qëndron tek zbatimi i tyre.”
 
Në një raport të ditëve të fundit, Agjencia Zyrtare e Lajmeve HSINHUA, pranoi faktin e shtimit të kritikave të publikut për kampet punës. Ajo citonte dy raste të kohëve të fundit, kur autoritetet abuzuan me sistemin, duke ndaluar një zyrtar fshati, i cili kritikoi  qeverinë, si dhe një grua, e cila kërkoi dënim më të ashpër për burrat e dënuar për përdhunimin e vajzës së saj 11-vjeçare. 
 
Megjithëse përpjekjet për ndryshime mirëpriten, vuajtja nga vitet që kaloi në kampet punës vazhdojnë të jenë të pranishme në jetën e kirurgut nga Shangai Huang Bo. Ai thotë se edhe  pse ai u largua nga Kina për në SHBA vite më parë tingulli i torturave me elektroshok vazhdon t’i oshëtijë në veshë.
Ky forum është mbyllur
Komente
     
Në këtë forum nuk ka ende komente. Bëhuni i pari që komentoni

Ditari

Loading
12:00:00 / -:--:--

LAJME

Obama: T'u pritet rruga sulmeve seksuale në ushtri

Obama: Ata që kryejnë sulme seksuale nuk kryejnë thjesht një vepër penale, por kërcënojnë edhe besimin dhe disiplinën që mbajnë ushtrinë tonë të fortë
Më tepër

Emily Bear, një pianiste e talentuar 11 vjeçare

Ajo ka marrë pjesë në koncerte në Carnegie Hall, Shtëpinë e Bardhë, festivale të klasit botëror, orkestra simfonike etj
Më tepër

Arrest shtëpie për shtatë të dyshuar për krime lufte

Një gjykatë e drejtuar nga EULEX-i caktoi masën e arrestit shtëpiak për shtatë ish pjesëtarë të UÇK-së që po hetohen nën dyshimet për krime lufte
Më tepër

Fushata zgjedhore fillon pa transparencë financiare

Organizatat e shoqërisë civile po shprehin shqetësim për mungesën e transparencës së tyre mbi financimet
Më tepër

Prishtina miraton planin për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë

Marrëveshja u siguron serbëve në komunat veriore të Kosovës një shkallë të lartë autonomie
Më tepër

Amerika në 60 sekonda

Loading
12:00:00 / -:--:--

FOTO E DITËS

 

Interaktive