Lidhje

Shqipëria dhe statusi në BE, Komisioneri Fyle së shpejti në Tiranë


fule
fule

Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin e vendit kandidat në BE në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reforma...

Komisioneri për Zgjerimin do të takohet me kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist Rama në përpjekje për të mundësuar një zgjedhje për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli

Komisioneri europian për Zgjerimin Stefan Fyle pritet të vizitojë Tiranën në fillim të javës së ardhshme në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat. Dje në Bruksel duke folur në një konferencë për Ballkanin të organizuar nga e djathta europian, komisioneri Fyle u shpreh se do të ishte mëkat nëse kjo cështje nuk do të tejkalohej. Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare

Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të cuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat qershorin e ardhshem. Ai ka vendosur të vijë në Tiranë për t’u takuar me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin socialist Edi Rama, të hënën e ardhshme. Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërcin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.

Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil. Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e cështjes së qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se cështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende.

Ndonëse i gjendur nën presionin e kritikave për përdorimin e një kauze me interes më të vogël përballë atij për integrimit europian, kryetari socialist i ka mëshuar faktit se në këtë rast bëhet fjalë për një cështje parimore, ku nuk ka kuptim të kërkohet miratimi i reformave në drejtësi kur vendimet e gjykatave sipas tij shkelen dhe nuk njihen nga qeveria.

Për shkak të kësaj përplasjeje në dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.
Dje në Bruksel, gjatë një konference për Ballkanin të organizuar nga të djathtët europian, komisioneri Fyle u shpreh se do të ishte mëkat nëse Shqipëria nuk do të zgjidhte cështjen e miratimit të tre ligjeve. Komisioni europian në pranverë, sic njoftoi zoti Fyle, do të përgatisë raporte të reja mbi ecurinë e vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate nga Ballkani, në mënyrë që shtetet anëtare të kenë kohë për të vlerësuar dhe marrë vendime para mbledhjes së Këshillit të ministrave në qershor.

“Në bazë të këtyre raporteve, nëse do të jetë bërë përparim i mjaftueshëm, shtetet anëtare do të marrin në konsideratë të hapin ose jo bisedimet për anëtarësim me Serbinë e Maqedoninë si dhe t’i japin mandat ose jo komisionit që të nise bisedimet me Kosovën për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit”, saktësoi zoti Fyle. Ndërsa për Shqipërinë ai tha se mund të kishte eventualisht një raport edhe për të nëse palët do të gjejnë një konsensus dhe rrugën për të trajtuar tre çështjet e mbetura”, të cilat sipas tij janë minimumi i kritereve për t’i rekomanduar shteteve anëtare, që t’i japin Shqipërisë statusin kandidat.

Vizita në Tiranë e komisionerit Fyle nuk pritet të jetë një mision i lehtë. Nuk dihet nëse ai do t’ju paraqesë palëve një formulë kompromisi apo thjesht do të përpiqet që të ushtrojë trysni në emër të interesit që vendi të përparojë në rrugën e integrimit. Mes palëve politike shqiptare janë në lojë edhe llogaritë elektorale, të cilat e kanë rritur më tej tensionin e brendshem.
XS
SM
MD
LG