Sot në Athinë u zhvillua një protestë e organizuar nga një sindikatë e mbështetur nga partia komunsite. Protestuesit u përpoqën të hynin në një ndërtesë qeveritare dhe u përleshën me policinë, që përdori gazin lotsjellës për shpërndarjen e tyre.
Të paktën një person u çua në spital, me vështirësi në frymëmarrje pas përleshjeve që u zhvilluan brenda dhe jashtë Ministrisë së Punës në Athinë. Të paktën 20 protestues u ndaluan nga policia. Sindikata proteston ndaj reformave të planifikuara për sistemin e pensioneve dhe atë të shpërndarjes së të ardhurave, që janë pjesë e shkurtimeve të mëdha që i kërkohen Greqisë nga partnerët evropianë dhe FMN-ja, si kusht për ndihmat e emergjecës ndaj vendit.
Masat e reja këtë vit përfshijnë shkurtimin me 25 për qind të të ardhurave për punonjësit e shërbimit publik. Ato kanë shkaktuar protesta, një prej të cilave është në plan të zhvillohet nesër, dhe që do të ndërpresë transportin publik dhe shërbime të tjera shtetërore.