Lidhje

G-20, kundër zhvlerësimit të monedhave për konkurrencë


Drejtuesit e financave të 20 vendeve më të industrializuara të botës dhe atyre në zhvillim u zotuan të mos ndryshojnë normat e këmbimit të monedhës, për synime konkurrence.

Drejtoresha e FMN-së Christine Lagarde i bëri këto komente sot pas publikimit të një komunikate të përbashkët të pjesëmarrësve të takimit të G-20-ëshes në Moskë, ku flitej për nevojën e “përmbajtjes nga zhvlerësimi i monedhës për arsye konkurrence” dhe për t’i mbajtur të hapura tregjet.

Investitorët dhe politikanët kanë shprehur shqetësim se disa vende mund ta devijojnë rimëkëmbjen e brishtë të ekonomisë globale, në se përpiqen të dobësojnë monedhat e tyre për të siguruar kapital ekonmik. Japonia, psh, po ndeshet me akuzat se është duke e ulur vlerën e yen-it, për të stimuluar ekonominë e vet dhe për të patur avantazh ndaj vendeve të tjera.

Më parë, Britania, Franca dhe Gjermania ndërmorrën një iniciativë të re për të detyruar bizneset e mëdha të paguajnë pjesën e taksave që u takon dhe të ndalin përpjekjet e kompanive të mëdha për të minimizuar shumën e taksave.

Plani i njoftuar sot nga ministrat e financave të tre vendeve në takimin e G-20 në Moskë, pason një studim nga Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik që tregon se shumë nga firmat e mëdha lëvizin nga njëri vend në tjetrin për të paguar më pak taksa.

Studimi tregon një tendencë në rritje nga kompanitë shumëkombëshe për të publikuar fitimet në vendet ku niveli i taksave është më i ulët. Ministri britanik i Financave George Osborne tha në takim se ligjet e tanishme të taksave janë hartuar gati njëqind vjet më parë dhe duhet të modifikohen për të reflektuar mënyrën e të bërit biznes nga kompanitë ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG