Lidhje

Mekein për konfirmimin e sekretarit të Mbrojtjes


Një ligjvënës amerikan me influencë parashikon se eventualisht Senati do ta miratojë kanidatin e Presidentit Barak Obama për postin e sekretarit të Mbrojtjes, Çak Hegëll. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman na informon nga Uashingtoni.

Javën e kaluar, republikanët në Senat bllokuan votimin për konfirmimin e një ish kolegu të tyre, senatorit republikan me një mandat, Hegëll. Ndërkohë që senati është këtë javë me pushime, emërimi i tij është i diskutueshëm. Por Senatori republikan, Xhon Mekein, i cili organizoi përpjekjet për të shtyrë konfirmimin e zotit Hegëll, tha se procesi do të përfundojë kur Senati të mblidhet përsëri javën e ardhëshme.

“Ai do të konfirmohet. Ne do të votojmë kur Senati të mblidhet dhe kam besim se Senatori Hegëll do të fitojë votat e nevojshme për t’u konfirmuar si sekretar i Mbrojtjes”.

Senatori Mekein ishte i ftuar në programin Meet the Press të kanalit televiziv NBC.

Në një deklaratë të saj, Shtëpia e Bardhë e kritikoi vonesën e konfirmimit si “humbje kohe” që “nuk është pa pasoja”. Zoti Mekein thotë se senatorët meritojnë të kenë kohë shtesë për të shqyrtuar kanditaturën e presidentit për sekretar të Mbrojtjes para se të votojnë për konfirmimin e tij.

Nëse republikanët i hapin rrugën votimit përfundimtar pas pushimeve, konfirmimi i zotit Hegëll nuk është plotësisht i sigurt në Senatin me shumicë demokrate. Zoti Mekein tha se do të kundërshtojë shtyrje të mëtejshme, por nuk do ta mbështesë ish senatorin Hegëll në votimin përfundimtar.

“Nuk besoj se ai është i kualifikuar për atë post. 99% e kësaj ka të bëjë me qendrimet që ka mbajtur Senatori Hegëll, si vota e tij kundër sanksioneve ndaj Iranit, qendrimi i tij ndaj shtimit të trupave në Irak, veprimet më negative që nga Lufta e Vietnamit”.

Administrata Obama e ka mbrojtur me forcë zotin Hegëll që kur presidenti njoftoi emërimin e tij muajin e kaluar. Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Denis McDonough bëri këtë koment, po në programin Meet the Press.

“Ai do të jetë një seretar i shkëlqyer i Mbrojtjes. Hegëll është një njeri që shkoi vullnetarisht në Vietnam, është dekoruar shumë herë kur ishte atje, bëri një punë shumë të mirë atje dhe pasi është kthyer. Ai ka bërë gjithnjë që çfarë është e vështirë të duket e lehtë”.

Disa republikanë i kanë kërkuar Shtëpisë së Bardhë informata shtesë për sulmin me pasoja vdekjeprurëse në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, duke këmbëngulur për përgjigje para se të bien dakord për votën e konfirmimit të zotit Hegëll. McDonough tha se administrata ka bërë ç’është e mundur për t’i plotësuar ato.

"Para pak ditësh, juristi ynë i dërgoi një letër të gjatë Kongresit në përgjigje të një sërë pyetjesh për Bengazin. Kjo është e fundit në 20 informacione dhe dëshmi në të cilat ne kemi marrë pjesë. Ne kemi paraqitur disa dhjetra mijëra faqe dokumentesh”.

Krahas kandidaturës së zotit Hegëll, edhe konfirmimi i këshilltarit të kundër terrorizmit, Xhon Brenën si drejtor i Agjencisë Qendrore të Zbulimt, CIA, ka mbetur pezull deri kur Senati të mblidhet përsëri javën e ardhëshme.
XS
SM
MD
LG