Lidhje

TAP-i, Korridori i Jugut dhe siguria energjitike në Europë


Në Uashington, u zhvillua dje një diskutim mbi gazsjellësin e njohur si Korridori i Jugut. Ky projekt, i cili përfshin gazsjellësin TAP, parashikon transportin e gazit natyror të Detit Kaspik nga Azerbajxhani për në Europë duke kaluar përmes Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë. Në aktivitetin e zhvilluar në Qendrën Woodrow Wilson morën pjesë zyrtarë të qeverisë amerikane, të kompanisë BP, ambasadave të vendeve të përfshira në projekt si dhe analistë të çështjeve të energjitikës.

Diskutim mbi TAP dhe Korridorin e Jugut
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:17 0:00

Pjesëmarrësit në diskutim theksuan disa herë rëndësinë e sigurisë energjitike të Europës. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Diplomacinë Energjitike Amos Hochstein tha se kjo çështje përbën një interes thelbësor të politikës së jashtme amerikane. Ai vlerësoi përparimin e arritur me zgjedhjen e TAP-it në kuadër të realizimit të Korridorit të Jugut. Por shtoi se ky projekt nuk mund të zgjidhë përfundimisht çështjen e sigurisë së energjisë për Europën.

“Ndërkohë që po hedhim një hap përpara në zbatimin e projektit të Korridorit të Jugut me zgjedhjen e TAP-it nga ana e konsorciumit të Shah Denizit, kjo është një fitore për politikën e jashtme amerikane. Por gazsjelli i Korridorit të Jugut nuk do të mund të zgjidhë të gjitha problemet lidhur me sigurinë energjitike të Europës, pasi ai përbën vetëm 2 përqind të kërkesës për gaz të Europës të parashikuar për vitin 2018,” tha zoti Hochstein.

Interesimin e vazhdueshëm amerikan në realizimin e projekteve të energjisë për Europën e vlerësoi edhe Drejtori për Çështjet Ndërkombëtare i kompanisë BP Greg Saunders. Zoti Saunders paraqiti gjithashtu disa parashikime të kompanisë BP sipas të cilave kërkesa për gaz natyror do të shtohet ndjeshëm në vitet në vazhdim, duke bërë që brenda vitit 2030 ky burim energjie të jetë po aq i rëndësishëm sa janë sot nafta apo qymyri.
Mbi efektet e mundshme që vërtetimi i këtyre parashikimeve do të mund të ketë mbi vendet e TAP-it analisti për energjinë Michael Ratner u shpreh:

“Mendoj se për vendet si Shqipëria, përgjatë gazsjellësit TAP, kjo do të sillte mundësi të reja, së pari sepse këto vende do të mund të konsumonin më tepër gaz, por gjithashtu sepse gazi i Azerbajxhanit do të mund të shkonte në tregje të reja si për shembull në Maqedoni dhe vende të tjera të ish-Jugosllavisë duke ndërtuar degë prej gazsjellësit TAP.”

Në aktivitetin e zhvilluar në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington ishte dhe ambasadori i Shqipërisë Gilbert Galanxhi. Për projektin TAP ai u shpreh se angazhimi i Shqipërisë mbetet i garantuar.

“Për momentin mund t’ju konfirmoj se mbështetja politike e qeverisë së re që do të dalë nga parlamenti i ri që sapo është mbledhur është e njëjtë me qeverinë paraardhëse. Pra mbështetja politike është e garantuar. Detaje teknike janë diskutuar mes konsorciumit të Shah Denizit dhe qeverisë shqiptare por edhe me qeverinë italiane dhe atë greke. Ka pasur një koordinim shumë të mirë mes këtyre qeverive, por edhe me qeverinë e Azerbajxhanit.”

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse realizimi i Korridorit të Jugut dhe më konkretisht i TAP-it do të sillte një zgjerim të marrëdhënieve ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të përfshira, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Hochstein u përgjigj:

“Shtetet e Bashkuara mbështetën Korridorin e Jugut si koncept sepse ofronte siguri energjitike për Europën, duke bërë të mundur transportin e gazit natyror nga deti Kaspik për në Europë. Mendoj se zgjedhja e TAP-it krijon mundësi unike rritjeje ekonomike për vendet e përfshira, pra Turqia, Greqia, Shqipëria dhe Italia. Marrëdhëniet tona me vendet përgjatë TAP-it janë të mira dhe ne presim që ato të vazhdojnë të mbeten marrëdhënie të mira dhe bashkëpunuese.”

Në diskutimin mbi gazsjellësin e Korridorit të Jugut, u fol edhe për të ardhmen e tregut botëror të energjisë si dhe mbi politikat amerikane lidhur me prodhimin vendas të burimeve energjitike.
XS
SM
MD
LG