Lidhje

Dialog mbi tolerancën fetare në Kosovë


Në Kosovë, përfaqësuesit e bashkësive fetare, thanë se udhëheqësit fetarë kanë rol të rëndësishëm në forcimin e respektit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Ata i bënë këto komente gjatë një konference për dialogun ndërfetar të organizuar nga misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.



Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, tha se bashkësitë fetare në Kosovë nuk kanë probleme mes vete, madje ato kanë një bashkëpunim të ngushtë.

Të gjitha bashkësitë fetare pa dallim japin një kontribut të çmuar në kultivimin e bashkëjetesës e tolerancës dhe gjithnjë kanë dëshmuar se janë faktorë stabiliteti në vend dhe gjithsesi këtë do të vazhdojmë të bëjmë edhe në të ardhmen. Dialogun ndërfetar nuk ka nevojë ta promovojmë, këtë e kemi dëshmuar përgjatë shekujve se ne duke jetuar pranë njëri tjetrit e jetojmë me realitetin pa asnjë dallim e diskriminim mbi baza fetare”, tha myftiu Tërnava.

Kreu i kishës ortodokse serbe në Kosovë, peshkopi Teodosije tha se kisha ortodokse ka mbështetjen e bashkësive tjera fetare në përpjekjet e saj për të mbijetuar dhe ruajtur vlerat e saj në Kosovë.

Me krenari mund të them se ne udhëheqësit fetarë në Kosovë kemi një mirëkuptim të thellë dhe pajtohemi për atë që është më thelbësore e që ka të bëjë me jetën, mbijetesën, respektimin e ndërsjellë dhe zgjidhjen e problemeve të përbashkëta”, tha peshkopi Teodosije.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, bëri thirrje për rritjen e përgjegjësisë së ndërsjellë ndërmjet bashkësive fetare dhe institucioneve civile dhe shtetërore.

Bashkësitë fetare duhet të marrin përgjegjësinë e promovimit të paqes dhe pajtimit në mes njerëzve dhe të mësojnë besimtarët e vet, që derisa i binden mësimit të Hyut të mos bien në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret shoqërore mbi tokë. Duke ditur të zgjedhin atë që i takon Hyut e atë që i takon Cezarit, por kërkojmë edhe nga Cezari që të respektojë atë që i takon Hyut. Por, edhe shteti duhet të jetë i aftë që të mos bie ligje të tilla që mund të cenojnë besimtarin të mbajë ligjet e Hyuit”, theksoi ipeshkvi Gjergji.
Dialogu ndërfetar në Kosovë
Dialogu ndërfetar në Kosovë

Udhëheqësi i Kishës Ungjillore Protestante të Kosovës, Driton Krasniqi, tha se Kosova është hapësirë e përbashkët e të gjitha besimeve.

Shoqëria e Kosovës është përcaktuar për bashkëjetesë ndërmjet feve duke e kristalizuar në këtë mënyrë rrugën e Kosovës për integrime evropiane. Cdo ditë takoj njerëz që nuk e duan imponimin fetar dhe as ekstremizmin si formë të besimit. Sot, diversiteti fetar është trashëgimi, por pluralizmi fetar vërtet përbën një arritje”, tha zoti Krasniqi

Udhëheqësi i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri, tha se në Kosovë, paragjykimet fetare kurrë nuk u shndërruan në urrejtje.

Pozicioni i veçantë gjeografik i Kosovës ja mundëson me qenë vend i urrë kalimit shumë të rëndësishëm për shkëmbimet mes popujve, kombeve në të gjitha rrafshet, njerëzor, kulturor, fetar, politik dhe ekonomik”, tha zoti Demiri.

Drejtuesit e bashkësive fetare në Kosovë, u bënë thirrje institucioneve që të punojnë për rregullimin juridik të pozitës dhe funksionimit të tyre.
XS
SM
MD
LG