Lidhje

Ukrainë: Nuk miratohet mosbesimi për qeverinë


Opozita ukrainase nuk arriti sot të rrëzonte qeverinë me një votim mosbesimi në parlament, duke i lënë ende të pazgjidhura tensionet e larta politike në vend. Debati politik, që lidhet me kundërshtimin e Ukrainës për nënshkrimin e një marrëveshjeje me BE-në, ka nxjerrë në protestë qindra mijëra njerëz.

Opozita e Ukrainës kërkoi votë mosbesimi për qeverinë, si përgjigje ndaj refuzimit nga ana presidentit Viktor Yanukovych të nënshkruante një marrëveshje të shumëpritur për thellimin e lidhjeve politike dhe ekonomike me Bashkimin Evropian, si dhe ndaj taktikave të dhunshme të përdorura nga policia për të shpërndarë demonstruesit që protestuan kundër atij vendimi. Propozimi për mosbesimin mori mbështetjen e 186 anëtarëve të parlamentit, 40 vota më pak se sa shumica e nevojshme.

Nëse do të ishte miratuar, Presidenti Yanukovych do të kishte qëndruar në detyrë, ndërsa kryeministri dhe kabineti i tij do të ishin pushuar.
Më parë në Parlament, gjatë një seance me tensione të larta, ndërkohë që ligjvënësit pro-qeveritarë flisnin, anëtarët e opozitës thërrisnin "turp" dhe "revolucion". Por edhe folësit e opozitës u pritën me fishkëllima.

"Ky është një problem që lidhet me dinjitetin njerëzor dhe me padrejtësitë që po ndodhin në Ukrainë gjatë tre viteve të fundit. Ka një neglizhencë ndaj të drejtave dhe lirive të ukrainasve. Ky është një vend i vjedhur nga Viktor Yanukovych," tha Arseniy Yatsenyuk, deputet me partinë Atdheu dhe kryetar i grupimit më të madh opozitar.

Vendimi i Presidentit Yanukovych për të mos nënshkruar marrëveshjen për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe politike me BE-në dhe për të kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë nxorri në rrugët e vendit qindra mijëra protestues. Pasi policia reagoi dhunshëm ndaj një proteste javën e kaluar, rreth 300 mijë njerëz vërshuan të dielën në rrugët e kryeqytetit Kiev, demonstrata më e madhe e një zemërimi publik që prej Revolucionit Portokalli të vitit 2004.

Sot, pranë ndërtesës së parlamentit, mijëra demonstrues vazhduan të bënin thirrje për shkarkimin e qeverisë.
XS
SM
MD
LG