Lidhje

Arti dhe syri artificial


Miliona njerëz në botë kanë nevojë për sy artificial për të zëvendësuar sytë e humbur në aksidente ose nga probleme të lindura. Një artist francez modelesh të vogla e ka përkushtuar talentin e tij për të pikturuar në mënyrë të detajuar sytë artificialë që të duken sa më shumë ssi sytë e vërtetë.

21 vjeçarja Valerie Baiocco u rrëzua nga kali në maj të vitit 2009 dhe nga goditja në kokë iu dëmtua një sy. Tre vjet më vonë, ajo iu nënshtrua një operacioni në përpjekje për të rregulluar shikimin. Por operacioni doli pa sukses dhe mjekët i hoqën njërin nga sytë.

Pastaj ajo mësoi rreth një laboratori në qytetin juglindor të Lionit, i specializuar për sy artificialë, të cilësisë së lartë, dhe shkoi atje për të mësuar nëse mund të krijonin një sy që i ngjante të sajit.

“Mezi prisja të kisha një sy të ri, sidomos për arsye estetike. Të kisha dy sy njëlloj dhe të mos dukesha ndryshe nga të tjerët, qofshin të njohur apo të huaj; është patjetër më mirë t’i kisha të dy sytë njëlloj.”

Syri artificial duket gati si syri i saj i vërtetë, falë punës së përpiktë të artistit Philippe Jacquin Ravot. Ai është specializuar në piktura aq të detajuara, saqë nganjëherë i nevojitet një xham zmadhues.

Zoti Ravot thotë se një mike e bindi atë për të kërkuar punë tek Dominique Charles Messance, pronari i laboratorit, i cili është mjek sysh i specializuar për sy artificialë.

“Një mike e cila humbi një nga sytë në vitin 1992 më tregoi për doktor Messance-it. Shkova të flisja me të, dhe i tregova për punën time”.

Zoti Ravot thotë se ai u punësua aty dhe se ka punuar që atëherë për doktorin. Ai thotë se ai pikturon rreth 650 sy artificialë në vit.

“Ajo që më intereson mua rreth kësaj pune është përpikmëria, përdorimi i ngjyrave të cilat i përdor si artist. Është interesante të kesh një punë artistike, por që gjithashtu ndihmon pacientët të cilët kanë nevojë për një sy artificial.”

Një sy artificial në këtë laborator kushton rreth 1200 dollarë. Duhen rreth gjashtë orë për ta krijuar. Një person mund të shkojë në mëgjes dhe të largohet në fund të ditës me një sy të ri.

Pacientët vijnë nga tërë Evropa, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.
Zoti Ravot thotë se ai ka pikturuar gjithashtu sy për statuja dylli në muzeun Grevin në Paris, por ai thotë se preferon t’i pikturojë për njerëz që kanë nevojë për to.
XS
SM
MD
LG