Lidhje

Llalla: Para drejtësisë edhe zyrtarë të lartë


Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla ndodhet këto ditë në Uashington ku mori pjesë në një konferencë mbi korrupsionin dhe dje u takua me Prokurin e Përgjithshëm amerikan, Erik Holder e zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë. Shqipëria është një vend ku lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse është shpallur si përparësi nga qeveri të ndryshme, ende nuk ka shënuar suksesin e duhur.  Zoti Llalla ishte i ftuar në studion e Zërit të Amerikës në Uashington, ku diskutoi mbi bashkëpunimin e Shqipërisë me koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS dhe përpjekjet që po bën institucioni i tij për të luftuar korrupsionin.

Prokurori i Pergjithshem Adriatik Llalla ne VOA
please wait

No media source currently available

0:00 0:10:03 0:00

Zëri i Amerikës: Shqipëria i është bashkuar koalicionit që po lufton ISIS. A ishte kjo një nga çështjet për të cilat diskutuat me zyrtarët amerikanë dhe a paraqet ky lloj krimi një rrezikshmëri – radikalizmi, rrezikshmëri për Shqipërinë.

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Ne patëm takime me zyrtarë të lartë amerikanë dhe dua të theksoj faktin se gjatë këtyre takimeve u vlerësua ndjeshëm mbështetja që qeveria e Shteteve të Bashkuara jep për Shqipërinë dhe ritheksohet fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë partneri ynë më i rëndësishëm ndërkombëtar. Gjatë këtyre takimeve, normalisht, u diskutua për tema të ndryshme, përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe rastin e ISIS ku duhet theksuar fakti se nga qeveria amerikane është vlerësuar kontributi i institucioneve shqiptare për goditjen e këtij fenomeni.<

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla, në Shqipëri korrupsioni është problem, ashtu si edhe për vende të tjera të rajonit, por në Shqipëri është një prirje tepër e theksuar. Ju para disa muajsh keni premtuar se do të merrni masa dhe se po merren masa dhe hetime, suksesi i së cilave do ta afronte së tepërmi vendin me Bashkimin Evropian. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Është fakt që Prokuroria Shqiptare gjatë vitit 2014 ka pasur në hetim dhe vijon të ketë procese hetimi për një numër të madh zyrtarësh të niveleve të ndryshme, përfshirë të zgjedhur vendorë, prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të niveleve të tjera të larta për të cilët proceset e hetimit janë ende në vijim. Ne synojmë që me goditjen e këtij fenomeni, i cili pengon vërtetë të ardhmen evropiane të vendit, të afrojmë edhe më tej Shqipërinë drejt kësaj të ardhmeje.

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Pa diskutim, ne kemi pasur mjaft rezultate konkrete në këtë aspekt. Gjatë këtij viti ne kemi kaluar për gjykim, kemi përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim një numër të lartë zyrtarësh, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, të zgjedhur vendorë apo zyrtarë të niveleve të tjera të ndryshme. Rezultatet konkrete të hetimeve vijojnë edhe për mjaft zyrtarë të tjerë shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, në rajon janë bërë arrestime të zyrtarëve të lartë të këtyre vendeve. Kam parasysh rastin e Kroacisë apo edhe vende të tjera të rajonit. Ndërsa në Shqipëri kryesisht janë dërguar para drejtësisë punonjës jo të nivelit të lartë. Si e shpjegoni ju këtë fakt?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Varet se si do të shihet. Gjykojmë se në prizmin tonë ne kemi dërguar përpara gjykatës, ashtu siç nuk ka ndodhur në të gjitha vendet e tjera të rajonit, gjyqtarë apo prokurorë, që rasti i parë është Shqipëria që brenda vitit janë dërguar para gjykatave pesë gjyqtarë dhe një prokuror të akuzuar për veprën penale të korrupsionit, po ashtu të zgjedhur vendorë të bashkive kryesore të vendit, përfshirë bashkinë e Vlorës, bashkinë e Kamzës apo disa bashki të tjera &ndash; zyrtarë të nivelit të cilët rivalizohen me pozicione të ministrave, apo më tej, ndërkohë kemi në proces hetimi zyrtarë të nivelit të lartë të Bankës së Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Meqë përmendët rastin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa ju keni kërkuar zgjerimin e hetimeve, a bëhet fjalë këtu për çarje në sistemin e sigurisë së Bankës, apo ka problem më madhore?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Eshtë një hetim i cili është në proces. Prokuroria ka përfunduar hetimet për mjaft zyrtarë të nivelit të ulët të kësaj banke, të cilët janë tashmë në process gjykimi. Hetimet vazhdojnë për zyrtarë të nivelit drejtues të Bankës. Dyshimet nëse ata janë apo jo të përfshirë drejtpërdrejt në vjedhjen e realizuar në Bankën e Shqipërisë, apo në mospërmbushjen në mënyrë korrekte të detyrës së tyre do të provohen në vijim, gjatë hetimeve të këtij rasti.

Zëri i Amerikës: A dihet fati i kësaj shume të madhe, për të cilën është thënë se është përdorur në lojra fati? Ku është hetimi në këtë pistë?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Nga hetimet e deritanishme nuk kemi një të dhënë konkrete për mënyrën se si dhe vendin se ku kanë përfunduar këto para.

Zëri i Amerikës: Përse kaluat në vendimin e arrestimit të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa pritet një përgjigje nga Gjykata e Apelit? Përse ju keni insistuar se ai duhet të rikthehet në burg?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Në rastin konkret, prokurorët që merren drejtpërdrejt me rastin, vlerësuan që guvernatori i Bankës, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj Banke, të hetoheshin nën masën e sigurisë arrest në burg me qëllim që të mos dëmtoheshin provat që ishin në proces hetimi. Vendimi, kërkesa e prokurorëve është mbështetur nga dy shkallë të gjykimit dhe tashmë rekursi është paraqitur nga ana e prokurorisë; ai është në pritje në Gjykatën e Lartë, ashtu siç është edhe rekursi nga ana e mbrojtjes.

Zëri i Amerikës: Disa muaj më parë ndodhi vrasja e bujshme, shumë e shëmtuar e bankierit Artan Santo. Çfarë është bërë lidhur me hetimet?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Eshtë një çështje tepër e ndjeshme për opinionin publik shqiptar rasti i vrasjes së këtij bankieri në qendër të kryeqytetit të vendit. Hetimet për rastin janë intensive, po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e tjera me të cilat ne koordinojmë punën tonë, me policinë e shtetit, shërbimin informative shtetëror e të tjera. Kemi mjaft të dhëna në process hetimi.

Zëri i Amerikës: Mbi çfarë pistash po zhvillohen hetimet?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Hetimet janë të gjithanshme, pistat gjithashtu. Ka dyshime të ndryshme për mënyrën dhe qëllimin se si u vra ky biznesmen, përgjigje të cilat normalisht do të jepen në vazhdim të procesit.

Zëri i Amerikës: Një pyetje lidhur me ligjin e ri për policinë, i cili përfshin edhe krijimin e Byrosë së Hetimeve. Eshtë folur shumë se kjo agjenci e re, nëse krijohet, do të ishte një dublim i punës së Prokurorisë së Përgjithshme. Cili është komenti juaj?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Ky ligj tashmë ndodhet në proces shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese. Prokuroria shqiptare ka dhënë mendimin e saj për mënyrën e ndërtimit dhe hartimit të këtij ligji. Ne kemi patur rezervat tona për krijimin e kësaj byroje hetimi. Megjithatë, presim versionin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Në varësi të këtij vendimi, ne do të jemi të detyruar të zbatojmë vendimet e ligjvënësve shqiptarë dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Një çështje lidhur me Lazaratin. Atje u zhvillua një aksion i madh, që u mirëprit në luftën kundër trafikut të drogës. Ndërkohë, janë arrestuar persona të niveleve të ulta të këtij grupi, fshatarë që janë marrë me mbjelljen e bimëve narkotike, ndërkohë që mes peshqve të mëdhenj, organizatorëve të trafikimit të drogës në Shqipëri, nuk ka patur arrestime. Cfarë po bëhet në këtë drejtim?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: E vërtetë. Operacioni në Lazarat, ku pati një koordinim të mirë mes policisë së shtetit, prokurorisë së krimeve të rënda si dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, u përshëndet nga faktorët vendas dhe ndërkombëtarë dhe u shoqërua edhe me rezultate konkrete. Kanë qenë me dhjetra raste, të cilat tashmë janë në proces hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor. Janë dërguar për gjykim rreth 18 raste të shtetasve të arrestuar për këtë vepër penale.

Zëri i Amerikës: Një pyetje për çështjen e privatizimit të Albpetrolit, një nga privatizimet më të rëndësishme këto vitet e fundit. Ku janë hetimet lidhur me parregullsitë në këtë proces?

Prokurori i Përgjithshëm A. Llalla: Lidhur me këtë rast, ka një kallzim nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, hetimet për të cilin janë në proces. Ato sapo kanë filluar, mbi bazën e kallëzimit të ri të depozituar para pak ditësh nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe hetimet po vijojnë.

XS
SM
MD
LG