Lidhje

OSAC: Situata e sigurisë në Shqipëri, shqetësuese


Një raport i fundit i Këshillit Konsultativ të Sigurisë (OSAC)* vë në dukje se situata e sigurisë në Shqipëri është shqetësuese. Raporti i botuar këtë muaj përmbledh situatën e sigurisë në Shqipëri gjatë vitit 2014. Raporti vlerëson se niveli i përgjithshëm i krimit ka vazhduar të rritet gjatë pesë viteve të fundit, në veçanti krime si vjedhjet apo plaçkitjet. Krimi në rrugë vazhdon të jetë i gjithëpranishëm në zonat urbane, në veçanti në orët e natës. Pavarësisht disa arritjeve të forcave të sigurisë kundër trafikut të armëve dhe drogës, krimi i organizuar vazhdon të veprojë në Shqipëri, ndërkohë që krimet e dhunshme vazhdojnë të kenë një prirje rënieje të vazhdueshme që nga viti 2011.

Raporti thekson se prirja e mëparshme e përdorimit të eksplozivëve, në veçanti shpërthimet e telekomanduara në makina dhe banesa ka rënë me rreth 15%, por është ende në nivele alarmuese, sidomos në zonën e Fushë-Krujës, vetëm 20 kilometra larg kryeqytetit të vendit. Sulmet vazhdojnë përgjithësisht të vënë në shënjestër individë të caktuar, në lidhje me mosmarrëveshje biznesi, ose aktivitet politik.

Ndër kërcënimet më të reja për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit, raporti përmend rrezikun në rritje nga të mbiquajturit “luftëtarë të huaj” që kthehen në rajon nga vende si Siria, të cilët në një masë të madhe janë të kombësisë shqiptare.

* Këshilli Konsultativ i Sigurisë (Overseas Security Advisory Council – OSAC) është krijuar në vitin 1985, me qëllimin për të nxitur bashkëpunimin në fushën e sigurisë ndërmjet interesave të sektorit privat amerikan në botë dhe Departamentit të Shtetit. Këshilli përbëhet nga 34 entitete private dhe publike, dhe anëtarët e tij përfaqësojnë industri të caktuara, ose agjensi qeveritare amerikane që veprojnë jashtë territorit amerikan. Byroja e Sigurisë Diplomatike, të Departamentit të Shtetit, mbështet aktivitetin e këtij këshilli me punë kërkimore, ofrimin e sistemeve të informacionit, si dhe nga aspekti logjistik.

XS
SM
MD
LG