Lidhje

Rama: Ata që kanë akuza për CEZ-in, t'u drejtohen institucioneve


Në Nju Jork janë mbledhur këtë javë udhëheqësit botërorë, për të marrë pjesë në sesionin e 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Atje ndodhet edhe delegacioni nga Shqipëria, i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama. Dje zoti Rama foli në takimin e lartë kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku ishin të ftuar udhëheqës nga shumë vende të botës.Zoti Rama theksoi faktin se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara në çdo betejë luftarake kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Në një intervistë që dha sot nga Nju Jorku, për Zërin e Amerikës kryeministri shqiptar ndalet edhe tek problemet dhe sfidat që e presin në Shqipëri ku ka disa kohë që çështja kryesore në median lokale ështe ajo e korrupsionit të përfolur lidhur me CEZ-in në të cilën sipas shtypit është përfshirë edhe kryetari i parlamentit Ilir Meta.

Intervistë me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama
please wait

No media source currently available

0:00 0:19:06 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, urime për fjalimin që mbajtët dje në Samitin kundër ekstremizmit, një samit i rëndësishëm. Pyetja ime është: cili është roli i Shqipërisë, një vend kaq i vogël; çfarë kontributi mund të japë Shqipëria për luftën globale kundër ekstremizmit të dhunshëm?

Kryeministri Edi Rama: Shqipëria është një vend i vogël, por njëkohësisht është një shembull rrezatues për nga ajo që Papa Françesku e quajti “vëllazëria fetare” dhe nga ana tjetër, Shqipëria është një vend me një rëndësi strategjike për rajonin ku jetojmë. Faktori shqiptar në rajon është një faktor përcaktues për ekuilibrat dhe të ardhmen e rajonit; dhe të mos harrojmë, që historia e rajonit është e tillë, që na imponon, që në emër të së ardhmes, të nxjerrim të gjitha mësimet e nevojshme nga e shkuara. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një rol për të luajtur, edhe si qytetar global, pasi sot është e qartë, që kërcënimi nga dhuna ekstremiste është kudo. Askush nuk është imun dhe të gjithë jemi të kërcënuar; prandaj edhe Shqipëria është bërë pjesë e këtij partneriteti të natyrshëm me Shtetet e Bashkuara dhe nisma jonë për të ngritur një qendër rajonale kundër ekstremizimit të dhunshëm, është nisur dhe mbështetur fuqimisht nga administrata e presidentit Obama dhe përbën, besoj unë, një nismë shumë të rëndësishme për rajonin tonë.

Zëri i Amerikës: Në fakt disa pozicionime të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kanë fituar pikë pozitive, do të thoja; e tillë ishte për shembull ndihma që ju dhatë për kurdët peshmerga në Irakun verior; megjithatë, ju si kryeministër dhe qeveria juaj përballeni me disa çështje të rëndësishme në Shqipëri, në politikën e brendshme; e tillë është ajo që po debatohet kaq shumë, çështja e CEZ-it, kontrata e saj me shoqërinë shqiptare, dija për mbledhjen e borxheve. Në fakt, firma ligjore britanike, e kontraktuar nga qeveria juaj lidh një ish-kryeministër me përfitime të mëdha fondesh të paligjshme; u përfol emri i Kryetarit të tanishëm të Parlamentit Ilir Meta. Megjithatë, nuk kemi dëgjuar shumë reagime nga ju, vetëm rishpërndarjen e komentit që lëshoi studjoja ligjore, ku theksonte se në raport nuk përmendet emri i kryeministrit. Natyrisht, përgjigja e studjos mund të merret, as si pohim, as si mohim i këtij konkluzioni, por përtej emrit, pyetja është se çfarë bëri qeveria juaj dhe ju personalisht me këtë informacion që kishit?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, më vjen shumë keq që ta ulim me kaq shpejtësi nivelin e bisedës, pasi këtu në Nju Jork Shqipëria ka patur këtë herë një vend të veçantë dhe shumë të respektuar dhe jo thjesht në samitin e organizuar nga Presidenti Obama, por në një sërë aktivitetesh; madje kemi patur së bashku me Mbretërinë e Jordanisë një aktivitet të përbashkët dhe me Selinë e Shenjtë, që është ndjekur dhe ka marrë një jehonë dhe një mbështetje shumë të madhe. Pra, është shumë e rëndësishme, në atë pyetje të gjatë që bëtë, pjesa e parë, që Shqipëra sot ka një pozicion të konsoliduar dhe shumë të respektuar, që imazhi i vendit tonë është në një përmirësim të vazhdueshëm dhe kuptohet, që nuk është thjesht çështje imazhi, por është çështje e përmbajtjes së politikës sonë të jashtme, që pa dyshim, dalëngadalë, por sigurisht, në mënyrë të qëndrueshme, do të na kthehet edhe në përfitim ekonomik, pasi do të rritet besueshmëria e vednit dhe sigurisht, që do të rriten flukset e investimeve të huaja, që janë kaq të nevojshme për Shqipërinë. Përsa i përket asaj pjesës tjetër, ju e thatë vetë, është një përfolje shumë e madhe dhe mua nuk më mbetet tjetër, vetëm se të përmend atë shprehjen e famshme, se “fali zot, se s’dinë se ç’bëjnë! Por këtu s’di se ç’bëjnë në fakt, që të gjithë; edhe ata që akuzojnë, edhe ata që komentojnë. Sepse çështja, e shtuquajtur një çështje, se çështje të ÇEZ-it nuk ka, është absolutisht e trajtuar sipas të gjitha standarteve ndërkombëtare; dhe marrëveshja e qeverisë shqiptare ka qenë një domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat ku ishte tërësisht e kapur, për shkak të keqadministrimit: kompani me 1 miliardë borxhe të akumuluara dhe për shkak të ndërhyrjeve shumë brutale të qeverisë së mëparshme në çështjet e kompanisë, ndërkohë që për të gjitha të tjerat, unë i ftoj të gjithë ata që kanë akuza, që kanë pretendime, që kanë aludime, t’i referohen legjislacionit shqiptar, t’i drejtohen institucioneve përkatëse dhe të gjejnë gjithëshka që duan të gjejnë, apo pretendojnë se mund të gjejnë nga ky proces. Për mua, për qeverinë shqiptare, kjo është një çështje e mbyllur dhe e mbyllur me sukses të plotë. Të gjitha të tjerat janë pjesë e një çorodie të madhe që karakterizon sot opozitën, por edhe median; sepse medias i takon të bëjë hetimet e veta, i takon të bëjë leximet e veta, i takon të bëjë edhe konkluzionet e veta, për interesin e publikut dhe nuk i takon të bëjë këtë ping pong të shëmtuar, nga ku publiku del më i çoroditur.

Zëri i Amerikës: Unë po përpiqem të hedh pak transparencë mbi këtë çështje, psh çfarë bëtë ju me informacionin që kishit?

Kryeministri Edi Rama: Me cilin informacion?

Zëri i Amerikës: Me informacionin e studios ligjore, pikërisht të studios ligjore e cila ka lidhje me qeverinë tuaj? Ajo ju ka dhënë ju informacione...

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë, me shumë qetësi po ju them, që edhe ju ushqeni këtë lloj mjegulle të pakuptimtë. Sepse studjoja e tërhequr në këtë debat absurd nga media të caktuara, ka dhënë një prononcim shumë të qartë dhe ka thënë që nuk ka asnjë referencë nominale për Kryetarin aktual të Kuvendit të Shqipërisë. Dhe pikë. Të gjitha të tjerat janë abuzime dhe spekulime.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, është fjala tek informacioni që kishit. Përse ju për shembull, nuk ja dorëzuat Prokurorisë infromacionin që kishit?

Kryeministri Edi Rama: Cilin informacion?

Zëri i Amerikës: Informacionin, që një ish-zyrtar i lartë, një ish-kryeministër është i përfshirë në këtë aferë?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është gjithë pjesë e punës së bërë nga studio ligjore, në funksion të procesit të zgjidhjes së gjithë problemit të rëndë të trashëguar të CEZ-it dhe nuk ka lidhje fare as me qeverinë shqiptare, as me çuarjen në Prokurori nga qeveria shqiptare të askujt.

Zëri i Amerikës: Jam dakord që ÇEZ-i ka probleme të shumta, por ky ishte një rast mjaft i mirë, mendoj unë, për të hedhur trasnparencë mbi këtë çështje...

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë tjetër po ju them: kjo e gjitha është një mjegull e ngritur dhe e dendësuar dita-ditës nga një “zogori” burimesh dhe personazhesh që shtrihen nga selia e Partisë Demokratike, deri në burime të informacionit që nuk informojnë shqiptarët, por që deformojnë në mënyrë të vazhdueshme informacione për interesa që nuk kanë lidhje fare me interesat e publikut.

Zëri i Amerikës: Dakord, por le të merremi me diçka më konkrete. Për shembull, studio ligjore, e cila është kontraktuar nga ju, thotë se ka ndjekur gjurmët e parave. Në se ju këmbëngulni se ku kanë përfunduar paratë, apo në se ju nuk këmbëngulni se ku kanë përfunduar paratë, ndoshta kjo ju bën ju bashkëfajtorë...

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk këmbëngul asgjë që lidhet me këtë çështje; dhe e përsëris, prokuroria ka një hetim dhe është Prokuroria e cila duhet të flasë. Qeveria shqiptare dhe unë vetë s’kemi absolutisht asnjë lidhje me këtë diskutim absurd, që është kthyer në një spekullim kolosal, në dëm të informacionit të drejtpërdrejtë të publikut. Çfarë prokuroria shqiptare disponon dhe heton, i takon Prokurorisë shqiptare ta çojë deri në fund dhe të na japë versionin e saj të së vërtetës.

Zëri i Amerikës: Në fakt ne e kemi pyetur Prokurorinë Shqiptare dhe ajo ka thënë se nuk ka marrë informacion nga ju, nga qeveria juaj për këtë gjë.

Kryeministri Edi Rama: Po çfarë informacioni do merrte nga qeveria Prokuroria, se nuk po ju kuptoj?

Zëri i Amerikës: Për ato që ngre studioja ligjore që është e kontraktuar nga qeveria.

Kryeministri Edi Rama: Studioja ligjore është një studio e kontraktuar si çdo studio që kontraktohet në një proces që kishte të bënte me zgjidhjen e një konflikti; një konflikt që rrezikonte ta mbante peng Shqipërinë, të mbante peng situatën shumë të ndërlikuar financiare të vendit dhe të mbante peng kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, në kushtet kur s’dihej se kush bënte çfarë me atë kompani. Dhe qeveria shqiptare, me asistencën e komunitetit të energjisë në Vjenë dhe në zyrat e komunitetit të energjisë në Vjenë zgjidhi këtë problem. Dhe për mua kjo është përgjigja. Sa më shumë të vazhdohet të toroliset në këtë vorbull të madhe: njëri del thotë “600 milionë”, tjetri del thotë “u bë nami”, tjetri del thotë “të zbardhet afera e shekullit”. Këto janë të gjitha dokrra të prodhuara nga një parti – Partia Demokratike, që nuk ka kokë, nuk ka alternativë, nuk ka drejtim dhe nuk di se ku është dhe çfarë kërkon.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, opozita ka paraqitur një projektligj që t’i hapë rrugën hetimit me prokurorë ndërkombëtarë të çështjes së CEZ-it. Zoti Meta, partneri juaj në koalicion, gjithashtu është shprehur në favor. Ju nuk jeni prononcuar. Cili është mendimi juaj? Keni ndonjë sugjerim?

Kryeministri Edi Rama: Shqipëria është një vend kandidat për Bashkimin Evropian. Shqipëria është një vend që po troket në derën e Bashkimit Evropian për të hapur negociatat. Shqipëria ka një legjislacion të vetin, ku ka hapësirë për të bërë hetim për këdo dhe për gjithshka. Dhe mbi të gjitha, në rastin në fjalë ka një tjetër spekulim skandaloz, që fatkeqësisht media nuk ka bërë asgjë për ta fashitur, që nuk ka asnjë pengesë për asnjë lloj hetimi në marrëveshjen e bërë për ta zgjidhur me marrëveshje problemin e trashëguar - problem që nuk e krijoi qeveria jonë, problem që e krijoi qeveria e kaluar, problem që e krijuan ata, të cilët sot nga të akuzuar për çfarë i bënë Shqipërisë në sektorin e energjisë dhe çfarë i bënë kompanisë në fjalë, na dalin edhe si akuzues. Pra, Shqipëria nuk ka asnjë shpikje alla-shqiptarçe për të bërë, në kohën që është e angazhuar të kthehet në një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe të sillet në mënyrë evropiane, në radhë të parë për vetveten.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, cilat janë marrëdhëniet tuaja me zotin Meta, me partnerin e koalicionit. Ju keni deklaruar para pak ditësh që “nuk ka ndonjë problem në marrëdhëniet tona”. I qëndroni ju kësaj deklarate?

Kryeministri Edi Rama: E para e punës njëherë që unë nuk e kam kuptuar kurrë ç’është kjo pyetje: “Cilat janë marrëdhëniet tuaja me këtë apo me atë?”. Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni qeverisës funksionon plotësisht. Qeveria është në detyrë, unë jam në krye të detyrës dhe, me keqardhje mund të them që erdha këtu në studion tuaj për të përfituar nga mundësia që ju më jepni dhe për t’i përcjellë opinionit publik gjëra me një rëndësi shumë herë më të madhe se sa këto për të cilat po harxhojmë kohën e njeri-tjetrit dhe kohën e telespektatorit…

Zëri i Amerikës: Unë mendoj se këto janë thjesht pyetje legjitime, pyetje që i shtron çdo qytetar i Shqipërisë, mes tyre edhe votuesit tuaj.

Kryeministri Edi Rama: Dakord, ju keni të drejtë t’i bëni këto pyetje, por unë besoj që shqiptarët kanë të drejtë dhe meritojnë të dinë më shumë për arsyen pse unë jam këtu dhe çfarë kemi bërë gjatë gjithë këtyre ditëve në këtë sesion historik të Kombeve të Bashkuara…

Zëri i Amerikës: …të cilën ne e përmendëm në pyetjen e parë në fillim të intervistës…

Kryeministri Edi Rama: …ku sfidat janë të pafundme. Dhe ndërkohë ne konsumojmë kohën e njeri-tjetrit dhe kohën e qytetarëve për një çështje që nuk është çështje, për një problem që është tërësisht i stisur. Nga ana tjetër, e përsëris, gjithkush ka të drejtë të kërkojë transparencë të plotë për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë CEZ, gjithkush ka të drejtë të bëjë hetime të plota dhe të shfrytëzojë të gjithë hapësirat që jep legjislacioni shqiptar për këtë gjë…

Zëri i Amerikës: Në fakt pyetjet e mija ishin pikërisht me këtë qëllim…

Kryeministri Edi Rama: Por qeveria shqiptare dhe shumica qeverisëse nuk kanë kohë për të humbur për t’u marrë me fantazitë e shfrenuara dhe me një përpjekje të shfrenuar nga ana e Partisë Demokratike, dhe jo vetëm e Partisë Demokratike, por edhe segmentesh të tjera në jetën publike të vendit që nuk kanë asnjë lloj lidhje me interesat e publikut, por vetëm kërkojnë që të devijojnë rrugën tonë dhe prioritetet.

Zëri i Amerikës: Sidoqoftë, këto janë pyetje, çështje legjitime që janë në Shqipëri. Një tjetër debat, për shembull, është ai i përfshirjes në politikë dhe në administratë i personave me të kaluar të dyshimtë. Që nga fillimi i këtij viti kemi tre deputetë të shumicës të arrestuar…

Kryeministri Edi Rama: Po kjo është pozitive apo negative?

Zëri i Amerikës: …Një tjetër dorëzoi mandatin. A ndjeni ju përgjegjësi për situatën, duke qenë se deputetët kanë qenë përzgjedhur nga ju personalisht?

Kryeministri Edi Rama: Përgjegjësitë janë individuale dhe kush nuk respekton ligjin, përgjigjet individualisht për shkeljen e ligjit. Dhe unë jam shumë krenar që qeveria jonë dhe shumica jonë qeverisëse po vendos këtë standard për herë të parë në Shqipëri, që nuk ka një pjesë “tanët” që mund të bëjnë gjithçka dhe të cilëve u lejohet gjithçka, dhe një pjesë tjetër “të tyret” që e pësojnë për gjithçka që bëjnë. Sot jemi në kushte krejtësisht të tjera dhe jo më në kushtet kur deputeti nxirrte patllaken në mes të stadiumit, qëllonte me plumba dhe pastaj dilte kryeministri dhe thoshte “e kishte lodër se i pëlqejnë armët”; apo kur deputeti zbriste në fushë dhe rrihte për vdekje arbitrin dhe konsiderohej një shfrim i pasionit demokratik për futbollin. Kjo histori në Shqipëri ka marrë fund. Dhe unë jam shumë krenar, e përsëris, që kjo shumicë qeverisëse ka aftësinë e reagimit të menjëhershëm ndaj çdo fakti dhe çdo individi që shfaqet në shkelje të ligjit dhe të interesit të përbashkët.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për reformën në drejtësi. Eshtë paralajmëruar një ndërhyrje e thellë, e gjithanshme që kërkon ndryshime edhe të kushtetutës. Cili është vizioni juaj për këtë reformë? Eshtë problemi pastaj i opozitës, e cila ka paraqitur qysh tani kundërshtime. Do ta keni të vështirë ta arrini një kompromis?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam një vizion shumë të thjeshtë për këtë reformë. Këtë reformë duhet ta bëjnë ata të cilët nuk janë në fushën e betejës politike dhe nuk janë të influencuar nga interesat politike. Pra ekspertiza më e lartë e përbashkët e shqiptarëve dhe e ndërkombëtarëve. Dhe ajo çka unë kam thënë që në fillim ka qenë: Partia Socialiste, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse ky ka qenë qëndrimi edhe i bashkëkryetarit të koalicionit do të mbështesim me vullnetin e plotë politik paketën e një reforme të thellë, të gjithanshme dhe transformuese që do të na vërë në dispozicion kjo ekspertizë dhe që do të marrë vulën nga Komisioni i Venecias. Pikë! Kjo është ajo që ne kemi thenë dhe kësaj i qëndrojmë. Nuk mendoj që Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokratike, Partia për Unitet dhe Drejtësi, Partia Republikane apo kush tjetër është në parlament, mund të thyejë këtë koncept bazë, duke futur hundët në një proces që më në fund u është lënë njerëzve që dinë ta bëjnë me premtimin përpara shqiptarëve që ne do t’i japim gjithë vullnetin politik të pushtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, kaq kohë kemi. Ju falenderoj për intervistën. Urime. Suksese në fjalimin që do të mbani pas dy ditësh në Asamble.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit edhe juve edhe shpresoj që të paktën e morët vesh si qëndron çështja e CEZ-it.

XS
SM
MD
LG