Lidhje

Pasojat e thatësirës në Kaliforni


Kalifornia është në vitin e katërt të thatësirës dhe burimet në shumë qytete të vogla kanë filluar të thahen. Ndërsa fermerët ende mund të ujisin të mbjellat, punonjësit e fermave nuk kanë ujë të mjaftueshëm për funksionimin e tualeteve ose për të bërë banjë.

Mungesa e ujit është një dukuri e përditshme për shumë njerëz që jetojnë në rajonin Central Valley të Kalifornisë.

Burimi nëntokësor që furnizonte me ujë shtëpinë e veteranit me aftësi të kufizuar të ushtrisë amerikane, Tino Lozano u tha gati një vit më parë.

Për të dhe shumë të tjerë në rajon, bartja e ujit me kova është bërë rutinë.

"Në këtë kohë të ditës, njerëzit gatuajnë, pastrojnë dhe lahen. Sasia e ujit bie shumë. Ne kemi 6 persona që përdorin këtë linjë furnizimi", thotë 40-vjeçari Tino.

Ai paguan 50 dollarë në muaj për t'u bashkuar me pesë shtëpitë e tjera për ndarjen e ujit të nxjerrë përmes një sistemi të improvizuar nga një pus gjysmë milje larg lagjes.

"Bashkëshortja para rreth tre orësh më tha se nuk kemi ujë në shtëpi, ne marrim ujin nga fqinji ynë," thotë Gilbert Arredondo.

Por kjo është një nga shumë zgjidhje të improvizuara që ndihmon familjet të furnizohen me ujë për të plotësuar nevojat e përditshme.

Në qytetin e vogël të Okievillit, shumica e njerëzve nuk mund të përballojnë koston e shpimit të puseve të thella private për të patur qasje në ujërat nëntokësore.

Bujqësia në komunën Tulare solli 8.1 miliardë dollarë në vitin 2014, më shumë se çdo komunë tjetër në Shtetet e Bashkuara, thotë komisioneri i tij i bujqësisë.

Por rreth 1,300 puse në komunë tani janë tharë, gjysma e të gjitha puseve të thara në mbarë Kaliforninë.

"Mendoj se ne jemi goditur më keq. Personat me të ardhura të ulëta, punonjësit e fermave, qytetet e vogla, komunitetet e vogla janë goditur rëndë. Qytetet e mëdha dhe fermerët nuk e kanë këtë problem. Ata kanë para për të shpuar puse të thella", thotë mekaniku, Leo Arreguin.

Bujqësia është sektori kryesor këtu dhe pavarësisht nga thatësira, fermat e mëdha janë ende në gjendje të mirë.

Shteti i Kalifornisë ka krijuar një program për të furnizuar me çisterna uji banorët të cilët nuk mund të përballojnë koston e shpimit të puseve të thella. Programi është pjesë e ndihmave për zonat e goditura nga fatkeqësitë natyrore dhe shumë banorë të rajonit, përfshirë familjen e Maria Marquez-it përfitojnë nga ky program.

Si pronare e shtëpisë ajo u kualifikua të merrte nga shteti një çisternë të madhe uji që u instalua jashtë shtëpisë së saj për të plotësuar nevojat e përditshme të familjes së saj.

Çdo të hënë, një kamion i kontesë, mbush çisternat dhe shpërndan shishe me ujë për pirje dhe gatim.

Programi financohet nga fondi 3.7 miliardë dollarësh i Kalifornisë për ndihmat për zonat e goditura nga thatësira, i cili përfshin 38 milionë dollarë për ujin e pijshëm dhe çisternat.

"Të gjithë janë të shqetësuar nga mungesa e uijt", thotë zonja Marquez.

Ajo dhe vajzat e saj nuk mund të përballojnë largimin nga kjo zonë, sepse nuk do të mund ta shesë shtëpinë e saj nëse banesa nuk ka furnizim me ujë për një çmim të arsyeshëm.

Si shumë nga fqinjët e saj, ajo jeton në zonën Central Valley të Kalifornisë.

Me ndihmën e një organizate jo-fitimprurëse, Marquez po përpiqet të organizojë fqinjët e saj për të krijuar një kompani të vogël shërbimesh.

Kjo do t’u mundësonte atyre të aplikonin për grante për shpimin e një pusi të thellë në qytetin e Okievillit.

Ajo ka marrë mbështetje të fortë nga fqinjët, por plani ambicioz do të kushtojë 2 milionë dollarë dhe shpimi i pusit të thellë do të marrë të paktën 2 vjet.

Fatura mujore e ujit do të jetë rreth 50 dollarë dhe furnizimi me ujë do të jetë i sigurtë dhe i vazhdueshëm.

Edhe në qoftë se thatësira përfundon së shpejti, ende do të ketë nevojë për kursimin e ujit dhe ky projekt do t’i ndihmonte banorët e Okievillit që të mund të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në qytetin e tyre.

XS
SM
MD
LG