Lidhje

Arrestimi i ish ministrit Ksera


Hetimet për ish zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale kishin nisur në pranverën e vitit të kaluar pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte dorëzuar në Prokurori një sërë shkeljesh të konstatuara në veprimtarinë e këtij institucioni.

Arrestimi i ish-Ministrit Ksera
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Edhe në vitin 2013, kishte qenë po KLSH-ja që kishte denoncuar abuzime të tjera, për të cilat sërish u akuzuan disa ish zyrtarë. Mes tyre dhe Klevis Bitro, ish shefi i kabinetit të ministrit të asaj kohe Spiro Ksera. Bitro, i shpallur atëherë në kërkim, u arrestua vetëm vitin e kaluar ndërkohë që gjykatat e kishin dënuar, edhe për një çështje tjetër që lidhej me një kërkesë për vizë në ambasadën amerikane për tre persona të paraqitur si punonjës të ministrisë.

Ish shefi I kabinitetit rezulton të jetë ndër personat kryesorë të përfshirë edhe në hetimin e fundit. Por këtë herë, bashkë me të edhe ish-ministri Spiro Ksera, i cili u prangos mbrëmë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ish ministri dyshohet për “vjedhje” dhe “shpërdorim detyre” për procedura fiktive në organizimin e disa aktiviteteve social-kulturore të zhvilluara në vitin 2013. Bëhet fjalë për një shumë prej 30 milion lekësh, afër 240 mijë dollarë, që kanë shkuar për veprimtari që, ose nuk janë zhvilluar fare, ose që, sipas prokurorisë, janë realizuar me çmime shumë më të ulta se sa janë deklaruar.

Përveç zotit Ksera dhe ish shefit të tij të kabinetit, urdhra ndalimi ka patur edhe për katër ish zyrtarë të tjerë të ministrisë, nga të cilët dy janë shpallur në kërkim. Po ashtu në pranga ka përfunduar dhe një punonjëse e një shoqërie private, ndërsa një tjetër, i një kompanie organizimi aktivitetesh është gjithashtu në kërkim.

Avokati i zotit Ksera u tha sot mediave se e konsideronte shkelje prangosjen e klientit të tij, duke qenë se gjatë gjithë fazës së hetimeve ai asnjëherë nuk është marrë në pyetje.

Për ndalimin e ish ministrit të qeverisw së saj, Partia Demokratike tha sot se “nuk bëhet pengesë e asnjë hetimi ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të saj në asnjë rast dhe e vlerëson luftën ndaj korrupsionit si jetike për vendin”.

Sekretari i përgjithshëm Arben Ristani përmes një deklarate theksoi se Partia demokratike “inkurajon hetime të drejta dhe objektive, të pandikuara nga politika e veçanërisht nga nevoja që ka qeveria dhe kryeministri më i korruptuar në Ballkan, për të larguar vëmendjen nga hajdutëria masive që po bëjnë çdo ditë, në dogana, tatime, tendera, koncesione dhe privatizime”.

XS
SM
MD
LG