Lidhje

Të premten Komisioni i Reformës në Drejtësi


Opozita pritet të vendosë në varësi të zhvillimeve të nesërme në parlament ku do të diskutohet cështja e mandateve të dy deputetëve socialistë Leskaj e Suli, si dhe kërkesa e saj për komision hetimor për marrëveshjen me çekët e CEZ-it.

Kryetari i Komisionit të posacëm parlaentar për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj, deklaroi sot se ka thirrur për ditën e premte mbledhjen e këtij komisioni për të vazhduar diskutimet mbi cështjet e ngritura nga opozita. Zoti Xhafaj u shpreh se “ne sot kemi arritur në një moment shumë delikat. Reforma është në hapat e saj të fundit dhe kërkon padyshim një përgjigje në përputhje me interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja që nuk ka nevojë për shumë negociata, por ka nevojë për më shumë vendimmarrje”. Ai ju referua dhe një sondazhi të publikuar dy ditë më parë ku 91 përqind e qytetarëve shqiptarë mbështesnin realizimin e reformës. “Unë besoj se edhe opozita do të duhet ta ketë lexuar mirë këtë mesazh publik. Unë besoj se gjithashtu edhe opozita e ka kuptuar që para interesave të politikës së ditës, para interesave për të bllokuar Parlamentin apo për të bërë politikë për çështje të tjera të caktuara, prevalon interesi që kanë qytetarët dhe e ardhmja evropiane e vendit”, nënvizoi zoti Xhafaj.

Komisioni i Posacëm parlamentar, nisi dy javë më parë diskutimet me dyer të mbyllura rreth 10 cështjeve që opozita ka ngritur mbi projekt ndryshimet kushtetuese, pas publikimit dhe të Opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Në mbledhjen e parë palët arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për katër cështje. Por puna u ndërpre më pas, si pasojë e tensioneve në parlament, dhe votës kundër të shumicës ndaj kërkesës së opozitës për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të dy deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Sipas opozitës ata janë në konflikt interesi, duke qenë se bijtë e tyre kanë përfituar tendera publikë, dhe se për raste të tilla Gjykata është shprehur qartë. Refuzimin e shumicës e djathta e konsideroi një “atentat kushtetuese”, duke argumentuar se “nuk ka kuptim të diskutohen ndryshimet kushtetuese kur shumica nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

Javën e shkuar të dy deputetët, ju drejtuan parlamentit që pavarësisht vendimit të marrë, të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese vlerësim nëse janë apo jo në kushtet e konfliktit të interesit. Për këtë cështje u diskutua edhe sot në mbledhjen e Këshillit të mandateve. Por sipas deputetit demokrat Arben Ristani, qëndrimi i shumicës “ishte evaziv”. Ai shpjegoi se “në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të shkojnë kërkesa e zonjës Leskaj dhe e zotit Suli. Në Gjykatën Kushtetuese duhet të shkojë vendimi i Parlamentit, së bashku me kërkesën e deputetëve të PD, të cilët kërkojnë mbarimin e mandatit”.

Në varësi të rrjedhës që do të marrë kjo cështje në seancën e nesërme të parlamentit, do të përcaktohet ndoshta dhe pjesmarrja apo jo e opozitës në mbledhjen e Komisionit të Reformës në drejtësi. Ndonëse, edhe kërkesa tjetër e paraqitur nga opozita për ngritjen e një komisioni hetimor për marrëveshjen me cekët e CEZ-it për tërheqjen e këtyre të fundit nga Operatori shqiptar i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, mund të krijojë një ngërç të ri.

XS
SM
MD
LG