Lidhje

Kalifornia, përcaktuese e prirjeve të automjeteve


Shteti i Kalifornisë nuk është vetëm vendi i Hollivudit dhe Silicon Valley. Ai është gjithashtu shteti ku të apasionuarit e makinave mund të shohin në rrugë automjetet më të fundit. Disa muaj më parë, modeli RAV4, tërësisht elektrik, i kompanisë Toyota u shit ekskluzivisht në Kaliforni, ndërsa kompania Fiat do të shesë fillimisht në këtë shtet makinën e saj të parë elektrike. Materiali në vazhdim na njeh me disa nga arsyet të cilat bëjnë që prodhuesit e makinave ta konsiderojnë Kaliforninë si përcaktuese të prirjeve në industrinë e automobilave.

Kodrat në anën perëndimore të Los Anxhelosit janë vendi i preferuar për Scott Painter për të përjetuar pasionin e tij për makinat, sidomos nëse ato janë të shpejta dhe me teknologjinë e fundit.

"Unë i kam pasur pak a shumë të gjitha automjetet elektrike që kanë dalë në treg. I kam të dyja modelet Tesla Roadster dhe Model S."

Zoti Painter është krijuesi i TrueCar.com, një faqe interneti që ofron informacion mbi çmimet e automjeteve për konsumatorët.

"Kalifornia e jugut është qendër e rëndësishme për risitë e botës së automobilave, sepse zakonisht ne jemi të parët që i shohim dhe i përjetojmë këto novacione."

Në panairin e automobilave të këtij viti në Los Anxhelos, kompanitë BMW, Chevrolet dhe Fiat paraqitën makina elektrike.

Tregtari Gene Bush thotë se njerëzit në Los Anxhelos janë të gatshëm të paguajnë çmime më të larta për makinat.

"Në Los Anxhelos njerëzit janë gati të paguajnë më parë kredinë e makinave sesa atë të shtëpisë."

Ajo mund të jetë diçka e nevojshme, pasi çmimi i një makine si Tesla Model S. shkon nga 60 mijë në 80 mijë dollarë.

Zëdhënësi i panairit të automjeteve në Los Anxhelos, Brendan Flynn, thotë se ligjvënësit e Kalifornisë po inkurajojnë konsumatorët që të blejnë automjete ekologjike.

"Ata kanë miratuar stimuj të favorshëm ekonomikë, prandaj kur blihet një makinë elektrike në Kaliforni uljet e çmimit janë më të mëdha."

Shaun Halladay përfitoi nga një ulje prej 10 mijë dollarësh nga fondet shtetërore dhe federale, për makinën e tij elektrike Nissan.

"Ndoshta nëse do të isha në një shtet tjetër dhe avantazhet ekonomike nuk do të ishin të disponueshëm mund të mos isha në gjendje të blija makinën."

Ai thotë se i pëlqen fakti që nuk i duhet të shpenzojë shumë për benzinë, por shton se duhet të ketë më tepër stacione për mbushjen e baterive.

"Edhe sot e kam patur të vështirë të gjeja një stacion ku mund të rimbushja baterinë e makinës. Duhet të gjej një patjetër që të mund të mbërrij në shtëpi."

Shanset janë të mira që zoti Halladay të gjejë një stacion rimbushës në Kaliforni. Jordan Ramer thotë se kompania e tij, EV Connect, ka instaluar dhe menaxhon më shumë se 1 mijë stacione për makinat elektrike në Shtetet e Bashkuara.

"Gjysma deri në dy të tretat të atyre që kemi vendosur janë në shtetin e Kalifornisë, dhe ndoshta një pjesë e mirë e tyre janë në Kaliforninë jugore."

Jeremy Snyder i kompanisë Tesla thotë se pjesa më e madhe e konsumatorëve të tyre janë në Kaliforni.

"Ky shtet tërheq njerëz që janë ëndërrimtarë dhe kanë ide të mëdha, pra njerëz që nuk duan thjesht të bashkohen me normat shoqërore, por kërkojnë të krijojnë norma të reja."

Ed Zaelke sapo porositi një Tesla Model S.

"Unë besoj se ngrohja globale është e vërtetë dhe mendoj se makinat elektrike janë një nga shumë gjërat që ne duhet të bëjmë për të kërkuar një zgjidhje për këtë problem. Dhe unë dua të jem pjesë e kësaj zgjidhjeje."

Scott Painter zotëron dy makina Tesla.

"Sigurisht që gjëja më e rëndësishme për mua janë parametrat."

Kompania Tesla thotë se ka në plan të prodhojë një makinë elektrike më pak të shtrenjtë për të tërhequr më shumë konsumatorë amerikanë.

XS
SM
MD
LG