Lidhje

Banka e Shqipërisë: Rritja ekonomike e ngadaltë


Guvernatori Fullani parashikon edhe për tremujorin e tretë një rritje rreth 2 përqind. Banka thirrje për kujdes me deficitin dhe borxhin publik

Në Shqipëri guvernatori i Bankës Qëndrore Ardian Fullani deklaroi sot se ekonomia shqiptare vazhdon të rritet me ritme të ngadalta dhe se edhe tremujori i tretë parashikohet të jetë në nivelin e rritjes 2 përqind. Guvernatori Fullani tha se konsumi dhe investimet private mbeten të ulta, ndërsa u shpreh se politika fiskale duhet të bëjë kujdes për qëndrueshmërinë e deficitit dhe borxhit publik. Një argument për të cilin u debatua sërish sot në parlament kur u diskutua akti normativ i qeverisë për rishikimin e buxhetit të këtij viti për shkak të rritjes së ulët të të ardhurave



Tanimë duket se të gjithë janë të një mendje se ekonomia shqiptare nuk arriti rritjen prej 4 përqind të parashikuar nga qeveria në fillim të vitit, madje as edhe objektivin e rishikuar për 3 përqind, por i është afruar më shumë pritshmërive të institucioneve financiare ndërkombëtare. Tremujori i parë i vitit shënoi një rritje negative, për t’u përmirësuar në tremujorin e dytë me 2 përqind. Sipas guvernatorit të Bankës qëndrore Ardian Fullani edhe tremujori i tretë pritet po në këto nivele:“Analiza e të dhënave të tërthorta konfirmon vlerësimet e mëparshme për një rritje pozitive në këtë periudhë, në nivele të ngjashme me tremujorin e dytë të vitit”.

Ashtu sic ka ndodhur gjatë gjithë këtij viti, shqetësim mbetet konsumi dhe investimet private të ulëta. “Konsumi privat mbetet i dobët, si pasojë e ecurisë së ngadaltë të ekonomisë dhe e pasigurisë së perceptuar për të ardhmen. Ecuria e tij në afat të mesëm mbetet ende e paqartë. Gjithashtu, investimet private mbeten të ulëta, në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit, të pasigurisë mbi ecurinë e kërkesës së brendshme dhe të huaj, si dhe të kushteve më të shtrënguara të financimit nga sektori financiar”, deklaroi guvernatori Fullani.

Ndonëse në tremujorin e tretë deficiti pësoi ulje krahasuar me një vit më parë, Banka parashikon se në muajt e fundit panorama ka ndryshuar, duke bërë thirrje për kujdes në të ardhmen: “Tremujori i katërt dhe viti 2013 pritet të karakterizohen nga rritja e shpenzimeve fiskale dhe e deficitit buxhetor. Kjo politikë fiskale rrit stimulin makroekonomik në afat të shkurtër, por ajo duhet të jetë e kujdesshme ndaj nevojës për qëndrueshmëri afatmesme dhe afatgjatë të borxhit publik”.

Cështja e deficitit dhe borxhit publik ishte sot sërish pjesë e debateve në parlament, ku përvec paketës fiskale u diskutua edhe akti normativ i qeverisë për rishkimin në ditët e fundit të vitit, të buxhetit të 2012, për shkak të rritjes shumë të ulët të të ardhurave. Rishikim i cili sjell rritje të deficitit por edhe të borxhit, për të cilin javën e shkuar u hoq vendosja e nje kufiri tavan. Për socialistët kjo panoramë vë në pikëpyetje edhe realizimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, ndërkohë që sipas ministrit të Financave Ridvan Bode, është pjesë e stimujve fiskal për tju përgjigjur situatës globale ekonomike
XS
SM
MD
LG