Lidhje

Qentë endacakë pushtojnë Sarajevën


Banorët e Sarajevës janë në rrezik prej mijëra qenve endacakë, të cilët janë shpesh të uritur dhe lëvizin nëpër rrugët e qytetit në të ftohtë. Numri i këtyre qenve po rritet me ritme të shpejta dhe autoriteteve u duhet marrin masa, por mungesa e fondeve për sterilizim dhe strehim ka bërë që barra të bjerë mbi organizatat bamirëse dhe vullnetarët.

Gjatë dy viteve të fundit, grupet e qenve endacakë në lagjet e banuara janë bërë shkak për shumë lëndime në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë. Sipas të dhënave, rreth 25 mijë qen enden nëpër rrugë, duke sulmuar njerëzit pa shkak.

Aldin Pasiç është vullnetar i fondacionit të kafshëve Av-Mau. Çdo ditë ai kontrollon për qenë endacakë të rrezikshëm në qytet dhe i heq ata nga rruga. Për të gjetur se ku rrinë zakonisht tufat, Aldini bisedon me banorët. Ky informacion ka rëndësi, sepse vetëm qentë agresivë dhe të sëmurë merren për t’iu nënshtruar procedurave veterinare. Të gjithë të tjerët lihen në rrugë.

Që nga miratimi i ligjeve evropiane që ndalon eutanazinë e qenve endacakë në vitin 2009, Bosnja e ka përmbushur angazhimin e saj legjislativ për të drejtat e kafshëve.
Por vendi po përballet me problemin kritik të mungesës së fondeve për strehimin dhe kujdesin për kafshët.

Sipas ligjit, qentë duhet të mbahen në qendra strehimi dhe të sterilizohen para se të lirohen, por autoritetet nuk kanë fonde për të financuar këtë operacion.
Parqet e qytetit dhe zonat e lojërave për fëmijët në Sarajevë janë të zbrazëta, ndërkohë që grupe qensh enden pranë tyre. Njerëzit nuk ndihen të sigurtë të nxjerrin fëmijët e tyre jashtë për të luajtur. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, 12 fëmijë janë kafshuar nga qentë në Sarajevë.

Qentë tani kanë formuar grupe më të mëdha. Ata shpesh janë të uritur dhe vuajnë të ftohtit. Gjithashtu ata nuk kanë frikë nga njerëzit, apo nga personat e shërbimeve të shpëtimit të kafshëve.

"Të gjithë fëmijët tani duhet të shoqërohen në çdo kohë, nga gjyshërit apo të tjerë. Më parë nuk ishte kështu, dhe ne e dimë prej nga vijnë këta qenë."

Harun Cindrak, gjysh i tre fëmijëve të vegjël, u sulmua nga qentë endacakë gjatë rrugës për në shkollë.

"Më sulmuan këtu pranë shkollës. Shkova të merrja niperit nga shkolla dhe papritmas një qen më kafshoi tek këmba. Për fat të mirë, arriti të kapte vetëm pantallonat, kështu që unë u largova."

Vullnetarët marrin qentë agresivë dhe të sëmurë për t’i çuar tek klinika veterinare e Sarajevës, ku veterinerët mund të sterilizojnë kafshët. Atyre shpesh u duhet të punojnë me turne shtesë për të garantuar se qentë nuk kanë ndonjë sëmundjeje serioze.
Veterinerja kirurge Selma Filipoviç, është e zhgënjyer prej punës së dobët të qeverisë për t'u përballur me situatën.

''Çdo njeri duhet të bëjë diçka tani. Si autoritetet qeveritare ashtu dhe sektorë të tjerë. Duhet të gjehen fonde. Nuk është faji i kafshëve që ata janë në rrugë. Është faji i njerëzve, pasi janë ata që lejojnë që kafshët të enden nëpër rrugë. Gjithçka varet nga faktori njeri."

Vetëm disa muaj më parë, në mars 2012, u arrit të hapej qendra e parë e strehimit për kafshët në Bosnje, e cila u ndërtua në Praca, një fshat rreth 40 kilometra jashtë Sarajevës.

Aty mund të strehohen deri në 550 qenë, por qendra nuk është në gjendje të përballojë fluksin në rritje të qenve endacakë dhe nuk merr pothuajse asnjë ndihmë financiare nga shteti. Kjo qendër strehimi është private dhe i plotëson të gjitha standardet evropiane për kujdesin e kafshëve, por deri tani qeveria nuk e ka mbështetur atë me fonde për ushqim apo ilaçe.

Admistratorja Amela Turaliç fajëson krizën ekonomike, si dhe pronarët e qenve të cilët nuk mund të ushqejnë kafshët e tyre, duke i lënë ata të enden të uritur në rrugë.

"Qentë nuk bien nga qielli. Si ka mundësi që kemi gjithnjë e më shumë qenë në rrugë? Këta janë qenë të brezit të parë dhe të dytë që nuk kanë pronarë. Autoritetet dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre, dhe puna e qendrës tonë duhet të jetë vetëm plotësuese."

Amela beson gjithashtu se ndarjet etnike të Bosnjës kanë ndikuar tek kujdesi për kafshëve. Në Republikën Srpska, pjesa serbe e vendit, eutanazia e qenve është ende e lejuar me ligj, prandaj shumë banorë serbë që shqetësohen për kafshët i marrin qentë nga rrugët e qyteteve serbe dhe i lëshojnë në territorin mysliman, ku eutanazia është ndaluar.

"Ne nuk kemi autoritet për të punuar në Republikën Srpska, dhe as ata nuk mund të punojnë në territorin tonë. Kemi të njëjtin ligj, por disa amendamente nuk janë të njëjta, dhe kjo është arsyeja që ata lejojnë ende eutanazinë nëse nuk gjehet një vend strehimi për qenin. Duke patur parasysh këtë ndryshim, shumë qenë endacakë sillen në territorin tonë."

Në qendrën e kujdesit për qentë në Praka janë strehuar më shumë se 200 qenë endacakë, që kur ajo u hap në muajin mars.

XS
SM
MD
LG