Lidhje

Dëmtimet e shtyllës kurrizore


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se deri në 500 mijë njerëz vuajnë çdo vit nga lëndime të shtyllës kurrizore. Njerëzit me lëndime të tilla kanë shumë më tepër gjasa të vdesin para kohe, me nivele më të ulta të mbijetesës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua njofton.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar një raport të quajtur Vështrime Ndërkombëtare për Lëndimet e Shtyllës Kurrizore. Alana Officer, zyrtare e kësaj organizate thotë se ndërsa lëndime të tilla mund të shkaktojnë paraliza, problemi është shumë më i madh se kaq.

“Ka shumë probleme të tjera shëndetësore që lidhen me të si funksionimi i veshkave dhe jashqitjes, vështirësitë seksuale, problemet e shoqëruara me kushtet e shëndetit mendor të të prekurve. Pra është shumë më e gjerë sesa thjesht paraliza”.

Zonja Officer është Koordinatore për Rehabilitimin e Personave me Aftës të Kufizuara.

“Ka tre shkaktarë kryesorë: përplasjet me makinë, rrëzimet dhe dhuna”.

Tuberkulosi shpesh mendohet si një sëmundje e mushkërive. Por në Afrikën nën-Sahariane ajo llogaritet të shkaktojë 30 përqind të rasteve me lëndime të shtyllës kurrizore.

Spinabifida është një difekt në vertebrat e shtyllës. Në rastet më të rënda ajo mund të ndikojë të ecurën dhe aktivitetet e përditshme. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se nuk e dinë arsyen e saktë të problemit, por shtojnë se ai mund të jetë i lidhur me gjenet dhe faktorët e mjedisit. Nga lëndime të shtyllës kurrizore vuajnë më shumë burra sesa gra.

“Përpjestimi është 2 me 1. Burrat kanë të ngjarë më shumë të dëmtojnë shtyllën kurrizore mes moshës 20 deri 29 – gratë ose vajzat e reja nga 15 deri në 19”.

Shkaku kryesor përse personat me shtyllë kurrizore të dëmtuar ka të ngjarë të vdesin parakohe është mungesa e shërbimeve mjekësore. Zonja Officer thotë se shumë nga shkaqet e vdekjeve të personave me lëndime të shtyllës kurrizore në vendet me të ardhura të ulta janë të parandalueshme. Këtu përshihen infeksionet e veshkave dhe plagët nga moslëvizja.

“Njerëzit me dëmtime të shtyllës kurrizore mund të jetojnë aq gjatë sa çdo njeri tjetër. Ka një ndryshim të vogël por padyshim që jetëgjatësia rritet ndjeshëm në vendet me të ardhura të larta. Kjo nuk mund të thuhet për ata që vuajnë nga këto dëmtime në vendet me të ardhura të ulta”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon veprime të menjëhershme në se dyshohet për lëndim të shtyllës kurrizore, përfshi imobilizimin e shtyllës. Kjo duhet të pasohet nga kujdesi i përshtatshëm sipas nivelit të dëmtimit, shkallës së paqëndrueshmërisë së shtyllës kurrizore dhe dëmtimit të nervave. Ajo rekomandon gjithashtu “rehabilitim të specializuar dhe shërbim shëndetësor mendor”. Organizata thotë se 30 përqind e njerëzve me dëmtime të shtyllës tregojnë shenja të depresionit kronik. Tani për tani nuk ka shërim për paralizën nga dëmtime të shtyllës kurrizore, por po kryhen shumë kërkime.

Zonja Officer thotë se mund të bëhet shumë për të parandaluar dëmtime të tilla, përfshi ndërtimin e rrugëve dhe makinave më të sigurta, rregulla të forta për mos lejimin e ngarjes së makinës nën influencën e alkoolit dhe vendosja e rripave të sigurimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon zbatimin e plotë të Konventës për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara për të trajtuar më mire rastet e dëmtimeve të shtyllës kurrizore.
XS
SM
MD
LG