Lidhje

Një vizitë në Parkun Kombëtar Everglades


Parku Kombëtar Everglades ndodhet në shtetin amerikan të Floridës. Emri i parkut Everglades buron nga anglishtja e vjetër dhe ka kuptimin e fushave të hapura me bar dhe ujë. Ato janë moçale. Amerikanët autoktonë të cilët kanë jetuar në këtë rajon e kanë quajtur “Pa-Hay-Okee” ose “ujë me bar”.

Miliona turistë vizitojnë Parkun Kombëtar Everglades gjatë pushimeve të tyre, por Bill Junior Alvarez punon aty.

“Unë jam Bill Everglades. Ky është parku Everglades. Mirë se vini në zyrën time”.

Në tre vitet e fundit, Bill Junior ka punuar si ciceron në këtë lumë me gjelbërim përreth. Ai thotë se puna në natyrë është më e mirë se sa puna brenda në zyrë.

“Nuk mund ta imagjinoj veten të ulur prapa një tavoline 8 orë në ditë. Më pëlqen të punoj përjashta në natyrë sepse mund të eci në natyrë. Drejtimi i kësaj barke është ndjenjë fantastike”.

Edhe kolegët në këtë zyrë janë njerëz fantastikë.

“Ky zog ngjyrë vjollce është zogu më i bukur në parkun Everglades…Ata janë zogj miqësorë”.

Gjatë gjithë kohës, ai takon shtazë të ndryshme.

“Çdo ditë shoh shtazë apo shpezë të ndryshme si pilivesën, drerin apo breshkën. Duket si “Jurassic Park”!

Por në këtë park, dinozaurët zëvendësohen nga krokodilët.

“Kemi disa krokodila në park të cilët i hasim gjatë vizitave me barkë. Por, ju premtoj se ata nuk do të hipin në barkë”.

Megjithëse parku nuk mund t’u pëlqejë të gjithëve, Bill Junior thotë se atij i pëlqenë puna në park.

“Jam i kënaqur me punën time këtu. Më pëlqenë të sjell turistët këtu dhe t’u tregoj atyre krokodilët dhe zogjtë”.

Edhe vizitorët e pëlqejnë parkun.

“Kam jetuar në Florida 12 vitet e fundit dhe nipi im nga Franca ka ardhur për vizitë, prandaj erdha këtu. Ai dëshiron të shohë krokodilët, kështu që edhe unë erdha këtu”.

Bill Junior thotë se vizita në këtë park është jo vetëm një udhëtim mbi ujë por edhe një udhëtim në kohë.
XS
SM
MD
LG