Lidhje

Greqi: Reformat dhe menaxhimi i borxhit


Greqia po përgatitet t’i dorëzojë institucioneve financiare evropiane një listë reformash të cilat nëse miratohen do të ndihmojnë vendin që të shmangë falimentimin. Ndërkohë shumë qytetarë grekë nuk besojnë se vendi i tyre do të dalë nga eurozona për shkak të mosmarrëveshjeve me institucionet evropiane mbi menaxhimin e borxhit.

Greqia paraqet sot një listë reformash me të cilat duhet të bien dakord kreditorët e saj, tha dje ministri grek i financave pas një takimi të kabinetit qeveritar.

"Ne besojmë se lista e reformave do të miratohet nga institucionet dhe për këtë arsye ne po shkojmë në një fazë të re të stabilizimit dhe rritjes", tha zoti Yanis Varoufakis.

Lista e reformave do të shqyrtohet nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Nëse këto institucione miratojnë reformat, bisedimet mbi përfundimin e paketës ekzistuese të ndihmës financiare për Greqinë do të vazhdojnë.

Nëse jo, të martën ministrat e financave të eurozonës do të mbajnë një takim të ri të Eurogrupit.

Greqia dhe kreditorët e saj në eurozonë të premten arritën një marrëveshje për zgjatjen e ndihmës financiare, një lëvizje që pritet të lehtësojë shqetësimet se Greqia do të dalë nga eurozona në fillim të muajit të ardhshëm.

Ndërkohë sot disa qytetarë grekë thanë se nuk besojnë se Greqia do të dalë nga eurozona.

“Nuk kam frikë se do të dalim nga eurozona. Ata nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë dhe nuk do ta bëjnë këtë. Besoj se me çdo kusht ne do të qëndrojmë në eurozonë”, thotë Konstantinos Milonas.

“Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Nuk jam shumë i shqetësuar për këtë. Natyrisht jam pak i shqetësuar por jo ashtu si më parë kur gjërat ishin më keq”, thotë Manolis.

Marrëveshja e arritur para dy ditësh do të ndihmojë Greqinë që të shmangë falimentimin, të paktën gjatë katër muajve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG