Lidhje

Bisedime mbi situatën përgjatë lumit Ibër


Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet në Bruksel për zgjidhjen e situatës së krijuar në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Bisedime Prishtinë-Beograd mbi Mitrovicën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Pajtimi për vazhdimin e këtyre përpjekjeve është arritur në bisedimet e sotme të ndërmjetësuara nga zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton e cila ka kërkuar që palët të punojnë në zbatimin e marrëveshjeve për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë në pajtim me marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj dhe në frymën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një njoftim të kësaj zyre thuhet se “palët shqyrtuan kuadrin e përgjithshëm ligjor në pajtim me marrëveshjen e Brukselit dhe këmbyen pikëpamje mbi rrugën e ndihmës që mund të ofrojë Bashkimi Evropian për projektet e përbashkëta për urën. Pjesëmarrësit u pajtuan të vazhdojnë punën në javët që vijnë. Si hap i parë ata janë pajtuar për një vlerësim teknik të gjendjes së urës në Mitrovicë.

Ne u bëjmë thirrje palëve që të përmbahen nga çdo veprim që nuk është na pajtim me palën tjetër në urën kryesore apo edhe në urat tjera në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

Në fillim të muajit pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, u shndërrua në një skenë të ndërtimeve në vija etnike. Autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës vendosën të shndërrojë në shëtitore rrugën kryesore në bregun verior të lumit Ibër që shënon vijën ndarëse të këtij qyteti. Ky veprim ndodhu vetëm pak ditë pasi ata e mbyllen urën kryesore duke ngritur një hapësirë të gjelbër që e emëruan si parku i paqes.

Në kundërshtim të këtyre veprimeve, në dy zona të banuara me shqiptarë në veri u ngritën sheshe nga grupe qytetarësh shqiptarë.

Një takim mes palëve i mbajtur më 11 korrik nuk solli ndonjë zgjidhje për situatën e krijuar në zonë që kishte nxitur reagime të autoriteteve lokale dhe të institucioneve në Prishtinë që i bënë thirrje Bashkimit Evropian të largojnë barrikadën.

Autoritetet lokale serbe thonë se veprimet në veri duhet të jenë në pajtim më vendimet e organeve të ligjshme në atë zonë, ku për herë të parë është ngritur pushteti lokal i dalë nga zgjedhjet e organizuara nga Prishtina.

Mbajtja e zgjedhjeve ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Pjesë e marrëveshjeve në këto bisedime që Serbisë i siguruan hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendosja e plotë e lirisë së lëvizjes në veri.

Prishtina shpreson që takimet do të çojnë në një plan të qartë për largimin e pengesave, hapjen e urës kryesore dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes në zonë, e cila që nga përfundimi i luftës është sfiduar nga ndarjet e thella etnike në atë pjesë të Kosovës.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, ndonëse në ditën e sotme katër vjet me parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtarë, një opinion i cili pasoi kërkesën e Serbisë për të vlerësuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG