Lidhje

Topalli: "Opozita bllokoi integrimin europian"


Zonja Topalli u bëri thirrje prokurorëve që të bëjnë një betejë pa kompromis dhe pa frikë kundër korrupsionit, dhe të mos përdoren politikisht.

Kryetarja e parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, deklaroi sot se disa prokurorë shesin dosjet hetimore, duke bërë korrupsion me njerëzit që duhen ndëshkuar. Ajo u kërkoi hetuesve ta luftojnë krimin me guxim, sepse kjo është puna më e rëndësishme për Shqipërinë.

Zonja Topalli u bëri thirrje prokurorëve shqiptarë që të bëjnë një betejë pa kompromis dhe pa frikë kundër korrupsionit, dhe të mos përdoren politikisht. Zonja Topalli tha në një konferencë shtypi se angazhimi i hetuesve kundër korrupsionit është pjesë e reformave në drejtësi, ndaj prokurorët duhet të hapin të gjitha dosjet dhe të ndalin pazaret dhe shitblerjen e dosjeve dhe të çështjeve hetimore në prokurori.



“Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për ne në Shqipëri. Nuk ka shtyllë me delikate, e cila ka nevojë për t’u konsoliduar, se sa drejtësia. Provojeni veten si qytetarë të thjeshtë që shkojnë i shesin dhe i blejnë dosjet, apo shiten nëpër tenderë. Është ftesë. Është thirrje. Është kërkesë. Është një betejë kundër korrupsionit, është detyrë e tyre. Është betejë kundër krimit, është detyrë e tyre. Kanë marrë votën e të gjithëve, kështu që ta kthejnë në vepër” - tha ajo.

Zonja Topalli tha po ashtu se opozita socialiste pengoi integrimin europian të Shqipërisë, duke mos votuar 3 ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian. “Deputetët e opozitës gjatë këtij viti votuan pro një seri ligjesh, edhe pse mjaftonte një shumicë e thjeshtë, por nuk votuan ato 3 ligje ku duhej vota e tyre me shumicë të cilësuar, gjë që e kërkoi edhe BE para se të shprehej për statusin kandidat të Shqipërisë. Opozita pengoi integrimin europian të Shqipërisë pikërisht në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, - tha zonja Topalli, - duke mos votuar ato ligje të kërkuara nga Europa, ndërsa pas disa muajsh ka zgjedhje, dhe qytetarët do të shprehen me vota për këtë që ndodhi”.

Kryetarja e parlamentit theksoi se legjislaturën tjetër do të forcohen kontrollet e ligjvënësve ndaj institucioneve se sa i zbatojnë ligjet e miratuara, për të përmbushur kritikat se ligjet janë të mira por nuk zbatohen dhe se kjo mund të vlerësohet si një mangësi e deritanishme e veprimtarisë parlamentare.
XS
SM
MD
LG