Lidhje

Negociatat për shmangien e “katastrofës fiskale”


Presidenti Obama takohet sot me udhëheqës të kongresit për të filluar diskutimet mbi mënyrat për të shmangur një krizë të mundshme buxhetore. Ekspertët thonë se kriza, që do të shkaktohet nga hyrja në fuqi e shkurtimit të shpenzimeve buxhetore dhe rritja automatike e taksave në fund të vitit, mund ta zhysë ekonominë përsëri në recesion. Të dyja palët duken të gatshme për kompromis, por marrëveshja nuk do të jetë e lehtë dhe rreziqet kanë pasoja për vende të tjera shumë larg kufijve të Amerikës.

Me orën që troket drejt afatit të 1 janarit - diskutimet për shmangien e asaj që është duke u quajtur "katastrofë fiskale" janë bërë urgjente. Para fillimit të negociatave me Kongresit sot, Presidenti Barak Obama shpalosi përparësitë e tij.

"Synimi im është që taksat mbi familjet e klasës së mesme nuk do të rriten dhe mënyra smë e lehtë për ta arritur këtë, janë në bisedimet me kongresin."

Zoti Obama thotë se zgjatja e ligjeve për shkurtimin e taksave të periudhës së presidentit Bush vetëm për ato familje që fitojnë më pak se 250 mijë dollarë në vit heq kërcënimin e menjëhershëm – ndërkohë që negociatat për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore vazhdojnë. Por republikanët në Kongres këmbëngulin se taksat duhet të mbetet të ulta për të gjithë amerikanët.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner thotë se këtu përfshihen edhe amerikanët më të pasur.

"Gjithkush dëshiron që ekonomia të marr përsëri hov. Të gjithë dëshirojnë që amerikanët të kthehet përsëri në punë. Rritja e nivelit të taksave do të ngadalësojë aftësinë tonë për të krijuar vende pune që të gjithë thotë se janë të nevojshme."

Nëse ligjvënësit nuk arrijnë një kompromis, Zyra e Buxhetit të Kongresit thotë se kombinimi i shkurtimeve të shpenzimeve dhe rritja e taksave do të zvogëlojë rritjen ekonomike dhe do të rrisë papunësinë.

Vetëm rreziqet duhet të jetë të mjaftueshme për të shqetësuar të dyja palët, thotë profesori i ekonomisë Peter Morici.

"Mendoj se ka mundësi të konsiderueshme për kompromis, sepse alternativa është shumë mizore. Nëse demokratët dhe republikanët nuk arrijnë një marrëveshje, do të ketë një rritje prej më shumë se 500 miliardë dollarë në taksa dhe shkurtime të shpenzimeve qeveritare që me siguri do ta fusin ekonominë në një recesion të thellë".

Të tjerët thonë se një recesion i ekonomisë më të madhe të botës do të ketë efekte domino në mbarë globin dhe do të përkeqësojë edhe më tej problemet e Evropës.

Robert Bixby është drejtor ekzekutiv në Koalicionin Concord, një grup i politikave në Uashington që mbështet përgjegjësinë fiskale.

"Mund të ketë një efekt domino që do të ketë një ndikim global. Ka shumë rrezik për rimëkëmbjen evropiane, sepse në se Shtetet e Bashkuara hyjnë në recesion, atëherë nuk do të blejmë përshembull mallra nga Evropa dhe eksportet e tyre do të ulen, e si rrjedhim, kjo do të ndikojë edhe në ekonominë e tyre".


Profesor Morici thotë se rritja e taksave vetëm për të pasurit nuk do të zgjidhë krizën fiskale. Ai thotë se një kompromis që nuk do të përfshinte reformat në programet e sigurimeve shoqërore është i destinuar të dështojë.

"Shpenzimet po shkojnë jashtë kontrollit. Në se do të kemi një tjetër gjashtë vjeçar si ky, që duket e mundshme, Shtetet e Bashkuara do të përballesshin ose me taksa tepër të larta për klasën e mesme, ose me mbylljen e ushtrisë, ose me mbylljen e pjesës tjetër të qeverisë."

Shmangia e një krize do të nënkuptojë sakrifica nga të dy palët. Por, çfarëdo që të ndodhë pas 1 janarit, ekspertët thonë se rezultati duhet të shihet më pak si një barometër i mirëqënies ekonomike amerikane, dhe më shumë si simptoma të një sistemi jofunksional politik.
XS
SM
MD
LG