Lidhje

SHBA: Kongresi miraton ndihmat për viktimat e uraganit


Nën presionin e udhëheqësve të irituar nga të dy partitë, kryetari i rizgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve miratoi 9 miliardë dollarëve në ndihma për viktimat e uraganit Sendi që goditi brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara. Fondi për sigurimin e viktimave të uraganit u miratua me 354 vota pro dhe 67 kundër. Edhe Senati e miratoi atë dhe tani projket-ligji i paraqitet për firmë Presidentit Barak Obama. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sindi Sein na informon se disa ligjvënës thonë se kjo është një ndihmë shumë e vogël që vjen shumë vonë.

Uragani Sendi ishte një nga më shkatërrimtarët që kanë goditur pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara dhe me koston më të lartë që nga uragani Katrina në vitin 2005.

Senati miratoi një projektligj të premten e kaluar për 60 miliardë dollarë për të ndihmuar në mëkëmbjen e zonave të goditura nga uragani në muajin tetor në shtetet e Nju Jorkut, Nju Xhërsit, Kënektikatit dhe shtete të tjera.

I ndodhur përballë kundërshtimeve për ligjin e shmangies së të ashtuquajturës katastrofë fiskale, Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër vendosi të martën në mbrëmje të anullonte votimin e pritshëm për projekt-ligjin e miratuar nga Senati të djelën, para se të përfundonte sesioni i 112të i Kongresit. Ky vendim u bë shkak për kritika të ashpëra dhe indinjatën e ligjvënësve dhe guvernatorëve nga zonat e prekura.

Të premten, Dhoma e Përfaqësuesve mori në shqyrtim një masë të pjesëshme për të financuar një program federal të sigurimit nga përmbytjet, por shumë ligjvënës ishin ende të zëmëruar që Dhoma nuk miratoi një paketë më të gjerë më parë. Kongresistja demokrate Nidia Velaskez ishte mes tyre.

"Është e pajustifikuar që ndërkohë që amerikanët vazhdojnë të vuajnë nga pasojat e Sendit, shumica në Dhomën e Përfaqësuesve nuk është në gjendje të veprojë për të votuar mbi paketën e miratuar nga Senati”.

Kongresisti republikan, Pitër King nga Nju Jorku, i cili e ka kritikuar hapur zotin Bejnër, tha se zgjedhësit që ai përfaqëson nuk duan gjë tjetër, veçse të trajtohen me drejtësi.

"Ky ligj është jetësor. Nuk është diçka thjesht informative. Kjo nuk është një kërkesë për favore. Ajo që ne duam është që viktimat e stuhisë të trajtohen si viktimat e tjera para tyre, ashtu siç janë trajtuar të gjitha fatkeqësitë e tjera natyrore”.

Disa Republikanë e kundërshtuan votomin për ndihmën, duke thënë se asistenca për të gjitha fatkeqësitë natyrore duhet të balancohet me shkurtimin e shpenzimve diku gjetkë në buxhet, për të shmangur ngritjen e borxhit kombëtar. Kongresisti republikan nga Teksasi Xheb Hensarling tha:

"Prandaj këtu dhe në këtë moment, zonja Kryetare, anëtarët janë përballë një zgjedhjeje tragjike për të mos paguar viktimat në bazë të kontratave ose për t’i shtuar 9.6 miliardë dollrë borxhit të madh kombëtar që kërcënon mirëqënien tonë dhe të fëmijëve tanë në të ardhmen”.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane premtoi të mbajë një votim të dytë më 15 janar për një ndihmë shtesë prej 51 miliardë dollarësh për viktimat e stuhisë së fuqishme që la të paktën 125 të vdekur dhe shkatërroi mijëra shtëpi dhe biznese.
XS
SM
MD
LG