Lidhje

SHBA: Bejnër rizgjidhet kryetar i Dhomës


Pas mandatit të parë të vështirë me betejat për taksat federale dhe shkurtimin e shpenzimeve, republikani Xhon Bejnër u rizgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Analistët thonë se ka të ngjarë që ai të ndeshë në vështirësi të mëtejshme nga partia e tij për të bërë kompromise me Presidentin Barak Obama dhe me demokratët në Kongres. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sindi Sein na informon nga Kapitoli, kur Dhoma e re e Përfaqësuesve dhe Senati bënë betimin dje.

Gjatë votimit pati disa momente të tensionuara për kryetarin e ri të Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë republikane, ku kandidatët për këtë post ishin vetëm dy, zoti Bejnër dhe ish kryetarja e Dhomës, Nenci Pelosi, pasi republikanë të tjerë nuk e sfiduan udhëheqësin e tyre.

Disa anëtarë thërritën emra të tjerë në shënjë proteste, si atë të ish sekretarit të Shtetit, Kolin Pauëll dhe të kongresistit republikan që largohet, mbështetës i Lëvizjes Tea Party, Allen Uest.

Kur përfundoi numërimi i votave, pavarësisht nga 10 votat kundër në protesë, Bejnër fitoi ndaj Pelosit me rezultatin 220 – 192. Zonja Pelosi e uroi zotin Bejnër dhe bëri thirrje për bashkëpunim mes demokratëve dhe republikanëve.

"Kryetar Bejnër, unë e di shumë mirë se ne nuk do të jemi gjithmonë dakord, por shpresoj me gjithë zemrë që ne të gjejmë rrugë të përbashkëta”.

Ka të ngjarë që përplasjet të shfaqen lidhur me shkurtimet e programeve sociale që mbështeten nga demokratët dhe Bejnër la të kuptohet se objektivi i tij do të jetë ulja e borxhit kombëtar.

"Qeveria jonë ka krijuar një borxh shumë të madh; ekonomia nuk pa krijon mjaft vende pune dhe këto nuk janë probleme të ndara”.

Në betejën fiskale të kohëve të fundit, Bejnër u gjend përballë kundërshtimeve nga vetë republikanët dhe iu desh të mbështetej nga demokratët për miratimin e një ligji këtë javë për shmangur katastrofën fiskale.

Analisti Thomas Man i Institutit Brukings thotë se Bejnër e ka patur të vështirë që prej fillimit me disa anëtarë të Lëvizjes Tea Party të grupimit të tij që kanë qënë kundër qeverisë.

"Për mendimin tim pozitat e kryetarit Bejnës nuk janë dobësuar, sepse ai nuk ka qënë kurrë i fortë”.

Disa grupe konservatore për çështjet fiskale të Tea Party-it u përpoqën të pengonin rizgjedhjen e zotit Bejnër si kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, por nuk ia arritën qëllimit. Ron Mejër i grupit Shumica Amerikane për Veprim është fuqimisht kundër zotit Bejnër.

"Fakti është se ai i largoi anëtarët konservatorë nga komisionet e tyre në fillim të muajit. Ai propozoi versionin e tij të ngritjes së taksave për 800 miliardë dollatë. Ai nuk përfaqëson lëvizjen konservatore dhe neve na duhet dikush që ta përfaqësojë, i cili të paraqesë qartë çështjen se pse njerëzit duhet të ndjekim lëvizjen konservatore, pse ata duhet të besojnë në ekonominë e tregut të lirë”.

Analistët thonë se përplasja tjetër e madhe në Kongres do të jetë lidhur me ngritjen e kufirit të borxhit kombëtar që pritet të debatohet brenda disa muajsh. Ata thonë se kjo betejë do ta vërë përsëri kryetarin Bejnës në pozitë të vështirë me republikanët e partisë së tij.
XS
SM
MD
LG