Lidhje

Shqipëri Kosovë tregëtia e çimentos


Që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë në vitin 1999, përpjekjet për krijimin e një tregu të vetëm me Shqipërinë kanë qenë në qendër të synimeve politike si në Tiranë dhe në Prishtinë.

Por një vendim i Prishtinës për të vendosur një taksë 35% mbi importet e çimentos për të ndihmuar prodhuesin e vetëm të çimentos në vend ka shkaktuar mosmarrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të vogla ndërkohë që mosmarrëveshjet mbi tarifat janë shtuar.

Prodhuesi i vetëm i çimentos në Kosovë, Sharrcem, i cili u privatizua në vitin 2010, ka marrë mbështetje nga qeveria për të ndihmuar të përballohen kërkesat e mëdha për modernizimin e fabrikave në vend.

Si masë e përkohshme, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur nje tarifë prej 35% për importet e çimentos, të cilat kanë prekur sidomos një kompani shqiptare në Fushë Krujë.

"Ky prodhues, në bazë të statistikave, ka mbuluar mbi 30 për qind të tregut në Kosovë, kështu që ne e morëm këtë masë për të parë se cilat janë pasojat nëse kjo prirje vazhdon”, thotë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

"Ky veprim është në përputhje të plotë me nenin 23 të marrëveshjes CEFTA që parashikon të njëjtat masa në rast se është një dëm i rëndësishëm," tha zonja Kusari-Lila.

Sharrcem punëson rreth 500 punëtorë në Han të Elezit, dhe kjo është industria e vetme në atë pjesë të Kosovës.

Zonja Kusari-Lila tha se kjo masë nuk ka synuar askënd në veçanti, por është për të gjithë prodhuesit e huaj të çimentos.

Por Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës të Tregtisë së Shqipërisë, nuk është dakord.

"Ky vendim i marrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë penalizon të gjithë çimenton që vjen nga Shqipëria, pasi produkti shqiptar mbulon mbi 40% të tregut të Kosovës. Lidhur me këtë rast, kemi pasur takime në Kosovë dhe i kemi dërguar një kërkesë Kryeministrit të Shqipërisë, në mënyrë që të hiqet kjo masë e përkohshme që ne mendojmë se nuk e ndihmon tregtinë mes dy vendeve", tha zoti Jaka.

Nuk është hera e parë që Shqipëria dhe Kosova debatojnë rreth tarifave.

Disa muaj më parë, fermerët e Kosovës protestuan kundër tarifave të imponuara nga Shqipëria mbi importin e patateve nga Kosova.

Fabrika Sharrcem është blerë nga Grupi Titan në vitin 2010, për mëse 30 milionë euro.

Ata thonë se në qoftë se qeveria nuk do t’i vinte tarifat e reja, kjo do të rrezikonte mbylljen e uzinës.

"Këto masa na japin kohë të zbatojmë një program për të rritur fuqinë konkurruese të kompanisë", thotë Mihalis Sigalas, Drejtori i Përgjithshëm i Grupit Titan për Evropën Jug-Lindore.

Grupi Titan ka fabrika çimentoje në të gjitha vendet fqinje me Kosovën, përfshirë Shqipërinë.
XS
SM
MD
LG