Lidhje

Thirrje për mbrojtjen e lirisë së shprehjes


Në Kosovë kanë vazhduar reagimet ndaj pengimit të një prezantimi të revistës Kosovo 2.0 që trajton seksin dhe homoseksualitetin

Në Kosovë kanë vazhduar thirrje kundër çdo forme të diskriminimit dhe kufizimit të lirisë së shprehjes. Thirrjet pasuan një incident që ndodhi në fundjavën që lamë pas në Prishtinë, kur grupe personash ndërhynë me forcë për të penguar prezantimin e revistës Kosovo 2.0 që numrin e radhës ia ka kushtuar temave të seksit dhe trajtimit të homoseksualitetit.

Policia e Kosovës kishte ndërhyrë për të shpërndarë grupe të rinjsh që veten e identifikuan si pjesëtarë të grupit të tifozëve të futbollit të njohur si plisat, që shkatërruan një pjesë të mjeteve të vendosura në mjediset ku po përgatitej debati. Ata thanë se debatet e tilla janë të dëmshme dhe të papranueshme për shoqërinë e Kosovës.



Incidenti u dënua sot nga ambasada amerikane në Prishtinë e cila nëpërmjet një komunikate, thekson se “dhuna dhe kërcënimet nuk kanë vend në shtetin modern demokratik dhe Shtetet e Bashkuara gjithnjë do të mbrojnë dhe përkrahin lirinë e shprehjes tek qytetarët si dhe lirinë e shtypit”.

Në reagimin e ambasadores Tracey Jacobson citohet edhe sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, sipas së cilës “të drejtat e anëtarëve të komunitetit homoseksual janë të drejta njerëzore sikurse të gjithë të tjera, dhe si të tilla duhet të mbrohen dhe asnjëherë të harrohen apo injorohen. Pavarësisht nga besimet dhe pikëpamjet e të tjerëve, nuk ka praktikë apo edhe traditë e cila do tu fishkëllente të drejtave të cilat na takojnë, të gjithë neve.Derisa ngjarja e fundjavës ishte shqetësuese dhe zhgënjyese, puna jonë për të ndërtuar një Kosovë të fuqishme dhe me diversitete, do të vazhdoj pa u ndalur nga aktet e dhunës”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të kryejnë hetime të shpejta, të gjera dhe të paanshme, duke marrë parasysh çdo motiv të mundshëm të urrejtjes mbi të cilin mund të jetë mbështetur sulmi.

“Amnesty International” e vlerëson këtë incident si një sulm mbi lirinë e shprehjes, sikundër edhe një sulm mbi lirinë e medies dhe u bënë thirrje autoriteteve të Kosovës të veprojnë fuqishëm kundër çdo diskriminimi të drejtuar ndaj orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Autoritetet publike duhet të sigurojnë që çdo kush mund të gëzojë të drejtën e lirisë së shprehjes, integritetin fizik dhe lirinë nga çdo trajtim përulës.
Autoritetet nuk duhet vetëm të përmbahen nga shkelja e këtyre të drejtave, por gjithashtu duhet të ushtrojnë kujdesin e duhur për të siguruar që ata janë të mbrojtur nga ndërhyrjet nga palët e treta, duke përfshirë aktorët jo shtetërorë”, thuhet mes tjerash në reagimin e Amnesty International.

Incidenti i cili gjatë fundjavës nxiti reagime të shumë institucioneve vendase e ndërkombëtare ,u dënua sot edhe nga Misioni i Kombeve të Bashkuara i cili e cilësoi si sulm mbi lirinë e shprehjes. Në një reagim të këtij misioni thuhet se “respektimi i ligjit dhe lirisë së mediave është thelbësor për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë”.

Ndërkaq Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës u bëri thirrje policisë së Kosovës dhe organeve tjera të drejtësisë, përfshirë EULEX-in, që sa më shpejt të zbardhin hollësitë e këtij sulmi mbi lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.

Njëkohësisht, kjo shoqatë i ka bërë thirrje Bashkësisë Islame të Kosovës që të distancohet nga ky sulm, pjesë e të cilit ishin edhe anëtarët e saj. Por, zyrtarë të Bahkësisë Islame të Kosovës mohuan një gjë të tillë.

Shoqata e gazetarëve kërkon nga klubet sportive “që të distancohen nga akti i shëmtuar”, pjesë e të cilit ishin edhe pjesëtarë të tifozëve të tyre, ndërsa përfundon se siç thuhet “veprimet e tilla denigrojnë rëndë lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes dhe janë sulm i drejtpërdrejtë kundër demokracisë në vend”.

Media dhe emancipimi i shoqërisë në Kosovë
Debat mbi lirinë e medies
Debat mbi lirinë e medies

Gjatë një debati mbi lirinë e medies, të organizuar nga PEN qendra e Kosovës, kryeredaktori i Kohavisionit, Adriatik Kelmendi, tha se kjo ngjarje tregon se liria e medias nuk mund të ndodh pa emancipimin e shoqërisë.

Pse them se duhet e gjithë shoqëria, sepse duke parë që nuk funksionon rendi dhe ligji, duke parë që mund të hyjë ndokush edhe sot si jemi mbledhur këtu dhe të vlerësoj se po flitet diçka që shihet si “blasfemi” nga një grup tjetër, atëherë të hyjë e të na sulmoj çfarëdo që do. Do të na privoj të flasim atë që ne e mendojmë se na takon si e drejtë që ta themi. Pra ky është një rast ilustrues se pse media në Kosovë nuk mund të jetë e lirë”, tha zoti Kelmendi.

Ndërkaq, studiuesja Sahadete Limani Beqa, tha se edhe media duhet të luajë rolin e saj në ndryshimin e qasjes së shoqërisë ndaj dukurive të ndryshme.

Media e ka fuqinë që ta ndihmojë këtë periudhë tranzicioni në kuptimin që ta jap kontributin e vet në emancipimin e publikut”, tha zonja Limani Beqa.

Shkrimtari e publicisti Milazim Krasniqi, tha se situata e medies pasqyron gjendjen aktuale në vend.

Në një shoqëri qysh është e jona në shkallë të madhe e kapur nga klientelizmi, korrupsioni, nepotizmi, provincializmi dhe format drastike anti - liberale dhe anti-demokratike nuk mund të flitet për një media të lirë, nuk mund të flitet për media që e kryejnë një funksion iluminues, nuk mund të flitet për media që me anën e informimit korrekt i aftësojë qytetarët që ata të jenë të aftë që të marrin vendime të drejta”, tha zoti Krasniqi.

Ngjarja e fundjavës vuri sërish në diskutim shkallën e lirisë se shprehjes në Kosovës e cila edhe më tej në raportet ndërkombëtare radhitet si shoqëri me liri të pjesshme.
XS
SM
MD
LG