Lidhje

Miratohet ligji për amnistinë në Kosovë


Parlamenti i Kosovës miratoi me 90 vota për ligjin për amnistinë, që synon të krijojë kushte për integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe në veri.

Parlamenti i Kosovës miratoi me 90 vota për dhe 17 kundër, projektligjin për amnistinë, që është detyrim i dalë nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Amnistia synon të krijojë kushte për integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe në veri.
Miratohet ligji për amnistinë në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:52 0:00

Një javë më parë Parlamenti dështoi të miratojë ligjin, i cili sot u hodh për debat pa njërin nga nenet e tij që kishte nxitur shumë reagime të forcave politike por edhe organizata joqeveritare, për shkak të përfshirjes së një game të gjerë të veprave penale, përfshirë edhe veprat penale të vrasjes pa paramendim dhe vrasjes nga pakujdesia.

Në tekstin e miratuar sot është kufizuar fusha e veprave që parashihet të amnistohen. Ligji përfshinë amnistinë për, “sulmet mbi rendin kushtetues të Kosovës, kryengritja e armatosur, cenim të tërësisë tokësore, spiunazh, kalim të paligjshëm të kufirit, kontrabandës me mallra, shmangien e taksave, dëmtimin e pronës, zjarrëvënien” etj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i drejtësisë tha se projektligji është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Unë nisem nga një thënie filozofike që e përdori shpesh edhe vetë për drejtësinë, se kur një ligj nuk i bie tamam një populli, duhet të ndryshohet Ligji dhe jo populli. Në këtë drejtim është parë që ligji i kaluar nuk ka rënë tamam Kuvendit të Republikës së Kosovës, një pjese të shoqërisë civile, një pjese të subjekteve dhe individëve të tjerë dhe unë mendoj se ligji sot është i ndryshuar”, tha zv/kryeministri Kuçi.

Projektligji mori mbështetjen e partive në pushtet dhe Lidhjes Demokratike e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, ndërsa u kundërshtua ashpër nga lëvizja Vetëvendosje. Kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti tha se nëpërmjet tij po amnistohen edhe veprimet e zyrtarëve të Kosovës.

Janë bërë edhe kërkesa që ky Projektligj duhet të kufizohet vetëm në ato tri komuna e gjysmë në veri. Mirëpo, porsa ta lexoni marrëveshjen 15 pikëshe Thaçi- Daçiç, e kuptoni që kjo nuk është e mundur: asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm i komunave në veri të Ibrit, por gjithandej nëpër Kosovë; dhe, strukturat kriminale e armiqësore të Serbisë ka anekënd Kosovës e jo vetëm në veri. Prandaj, ky Projektligj nuk është i kufizuar në territorin e komunave në veri. E, natyrisht që këtu po i kontrabandojnë edhe krimet e Xhabirave për t’i amnistuar. Kjo Qeveri është Qeveri e kontrabandës. Ajo kontrabandon mallra në treg e njerëz në politikë, ligje në Kuvend e marrëveshje me Serbinë në shtet”, tha zoti Kurti.

Debati është përcjellë me protesta të veprimtarëve të kësaj lëvizjeje por edhe të një grupi organizatash joqeveritare që kundërshtuan miratimin e ligjit për amnistinë. Gjatë një proteste përballë Parlamentit u tha se ligi synon të amnistojë vepra të rënda që nuk do të duhej të amnistoheshin. Ilir Deda nga instituti për hulumtimin dhe zhvillimin e politikave, KIPRED tha se amnistia duhet të jetë e bazuar në drejtësi..

E kuptojmë që duhet të ketë ligj për amnisti, por ligj për amnisti që në vete e ngërthen edhe drejtësinë. Jo ligj për amnisti, ku një grup i njerëzve që nuk e ka respektuar ligjin në Kosovë qe 14 vjet e ka pa mundësinë e vet për me aminstu veprat e veta”, tha zoti Deda.

Miratimi i ligjit mbi amnistinë ishte mbështetur nga diplomacia euro perëndimore në Kosovë, për shkak të rëndësisë që ka ai për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata thonë se ligji është hap vendimtar për të siguruar integrim të plotë të të gjithë qytetarëve në institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG