Lidhje

Forumi 2015: Si duhet të jetë Kosova pa mbikëqyrje


Forumi 2015
Forumi 2015

Një grup organizatash joqeveritare të mbledhura rreth Forumit 2015, thanë se veriu i Kosovës nuk duhet të diskutohet me Serbinë


Një grup organizatash joqeveritare, publicistë e analistë të mbledhur rreth Forumit 2015, thanë sot se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, nuk duhet të shënojë edhe fundin e angazhimeve për zbatimin planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Një nga hartuesit e raportit, Agron Bajrami, kryeredaktor i të përditshmes Koha Ditore, tha se çështja e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duhet të zgjidhet pikërisht në kuadër të këtij plani.

Pakoja e Ahtisaarit është zgjidhja që duhet të implementohet edhe për veriun. Kjo zgjidhje dhe implementimi i kësaj pakoje është diçka që duhet edhe zyrtarisht dhe publikisht edhe nga faktori ndërkombëtar sikurse Bashkimi Evropian i cili deri tani ka qenë mjaft i paqartë lidhur me pozicionin e vet për zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe situata në veri dhe zbatimi i pakos atje nuk duhet të jetë çështje e negociatave në dialogun që Kosova e ka dhe do ta ketë me Serbinë”.

Zoti Bajrami tha se Prishtina duhet të jetë e kujdesshme edhe në synimet e saj për të diskutuar më përfaqësuesit lokal serb në veri.

Çdo dialog i brendshëm edhe me përfaqësues legjitim mund të ndodhë vetëm në një kontekst ku ekzistojnë zgjedhje të Kosovës në veri dhe kryhet procesi i decentralizimit. Këto mund të shkojnë paralelisht, nuk ka nevojë të pritet mbajtja e zgjedhjeve atje dhe krijimin e komunës së Mitrovicës Veriore dhe votimin e përfaqësuesve legjitim. Një proces i niveleve të ndryshme sigurisht se mund të hapet, mirëpo rekomandimi im është që ai nuk mund të jetë i qëndrueshëm nëse bëhet me përfaqësues të cilët nuk janë legjitim dhe të cilët përfaqësojnë struktura paralele dhe ilegale”, tha zoti Bajrami.

Raporti i publikuar sot tërheq vëmendjen në çështjet që mbeten të hapura siç janë edhe trashëgimia që i takon Kosovës nga ish Jugosllavia, çështja e pronës, dokumenteve etj.

Një nga hartuesit e raportit, Lumir Abdixhiku, tha se edhe për këto çështje duhet ngulur këmbë në zbatimin e planit të zotit Ahtisaari.

Ne rekomandojmë tri fusha. Së pari që të caktohet një ndërmjetësues ndërkombëtar i nivelit të lartë në marrëdhëniet e Kosovës, jo vetëm me Serbinë por edhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë për të definuar, çështjen e borxhit të jashtëm, atë të sukcesionit apo marrjen e pasurisë, hises së Kosovës në ish-Jugosllavi dhe për të kthyer kopjet origjinale të kadastrës në Kosovë”, tha zoti Abdixhiku.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politika, tha se sfidë pas përmbylljes së mbikëqyrjes është baza juridike e misionit të EULEX-it në Kosovë.

Dje presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i dërgoi një letër shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, me të cilën mirëpret vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Tashmë një përgjigje pozitive është hartuar nga zonja Ashton dhe ky letërkëmbim pritet të votohet në formën e një marrëveshjeje në Parlamentin e Kosovës.

Zoti Korenica thotë se kjo nuk është e mjaftueshme. “Raporti ynë tregon se për të bërë legjitim misionin e EULEX-it në nivel të brendshëm nevojitet që të ketë një marrëveshje bilaterale ndërkombëtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës dhe që realisht prezenca e tillë të jetë e kufizuar në kohë dhe të mos ketë asnjë bazë në rezolutën 1244 dhe në kapitullin e shtatë të kartës së Kombeve të Bashkuara, meqë EULEX-i është mision teknik i shtet-ndërtimit dhe nuk përbën një mision paqeruajtës siç ka mundur të ishte në vitin 1999”, tha zoti Korenica.

Në raport, Forumi 2015, thotë se sfidë është edhe prania ushtarake ndërkombëtare, pasi legjitimiteti i KFOR-it ka buruar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja Ushtarake Teknike e Kumanovës e nënshkruar nga NATO-ja dhe ish Republika Federale Jugosllave.

Sidoqoftë, të hënën më dhjetë shtator, pritet te marrë fund mbikëqyrja ndërkombëtare, ndërsa të premten, më 7 shtator, pritet të përmbyllet procesi i ndryshimeve kushtetuese e ligjore, që mundësojnë këtë përfundim dhe më shumë sovranitet për institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG