Lidhje

TI: Kosova e 105-ta me shkallën e korrupsionit


“Transparency International”, e radhiti Kosovën në vendin e 105-të për shkallën e korrupsionit gjatë vitit 2012. Vitin e kaluar ajo ishte e 112-ta

Gjykuar nga raporti i Organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, Kosova në vitin 2012 duket me shkallë më të zbutur të korrupsionit. Në raportin e kësaj organizate, thuhet se Kosova radhitet në vendin e 105-të, për dallim nga një vit më parë kur zinte vendin e 112-të, në mesin e 176 vendeve të përfshira në raport.

Mirëpo, Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova, duke paraqitur raportin përfundon se ndërrimi i vendeve ,nuk shënon edhe përmirësim të dukshëm. Merita Mustafa, nga ky institut tha se ngritja për disa vende, ende nuk është lajm i mirë për Kosovën.



E keqja është se Kosova hyn përsëri në mesin e shteteve më të korruptuara dhe është larg shteteve të rajonit, ky është lajmi më i keq për Kosovën”.

Zonja Mustafa shpjegon faktorët që ndikojnë në gjendjen aktuale të Kosovës dhe shkallës ende të lartë të korrupsionit.

Ngecja në luftimin e korrupsionit po vjen si rezultat i mosgaditshmërisë së ekzekutivit për të garantuar pavarësinë e pushteteve tjera mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Praktika e deritashme ka dëshmuar se klasa politike në pushtet në forma të ndryshme ndikon në institucionet e pavarura duke krijuar perceptimin e përgjithshëm se e ka në dorë shtetin. Ndërkaq nga funksionimi i dobët i organeve të sundimit të ligjit por edhe fuqia dhe ndikimi i madh i politikanëve mbi ato, vendi ynë sot ka stagnuar në zbatimin e ligjeve e sidomos ato që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit”, tha zonja Mustafa.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë të përkushtuara në luftën kundër korrupsionit, dukuri kjo që sipas agjencisë kundër korrupsionit është mjaft e lartë dhe i kushton shtrenjtë buxhetit të Kosovës. Sipas agjencisë vetëm gjatë vitit 2011 janë mbledhur 160 informata për raste të dyshimta për korrupsion, prej të cilave 121 janë denoncuar në prokurori. Organizatat joqeveritare pohojnë se rastet e ndjekura nga organet e rendit janë të pakta në krahasim me shkallën e korrupsionit.

Lufta kundër kësaj dukurie dhe krimit të organizuar janë pjesë e kritereve të përcaktuara për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, krahas hapave tjerë për sigurimin e qëndrueshmërisë politike në vend.
XS
SM
MD
LG