Lidhje

Pak protesta gjatë zhvillimit të Lojrave Olimpike


Në një vend si Britania, protestat politike janë të shpeshta dhe të ligjshme, por gjatë Lojrave Olimpike ka pasur relativisht pak demonstrime të tilla

Pavarësisht faktit që Lojrat Olimpike këtë vit mbahen në Britaninë e Madhe, një vend që mbron lirinë e shprehjes, deri më tani ka patur shumë pak protesta gjatë zhvillimit të tyre. Gazetari i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton nga Londra se disa grupe kanë vendosur se protestat gjatë Lojrave Olimpike më shumë do ta dëmtonin se sa do ta ndihmonin kauzën e tyre.

Maria Wenda dhe një numër i vogël protestuesish të Lëvizjes “Papua Perëndimore e Lirë” organizuan një grumbullim proteste përpara ambasadës indoneziane në Londër gjatë Lojrave Olimpke. Ajo thotë se grupi shpreson që media ndërkombëtare e cila po ndjek Lojrat Olimpke do t’i tregojë botës edhe kauzën e tyre - t’i jepet fund asaj që quhet prej saj pushtim i Papuas Perëndimore nga Indonezia, dhe të demaskohet shkelja e vazhdueshme e të drejtave të njeriut.

“Kjo është shumë e rëndësishme dhe ka një domethënie të madhe për ne dhe për popullin e Papuas perëndimore sepse askush nuk e di që populli i Papuas perëndimore kërkon ndihmë dhe askush nuk e dëgjon”.

Në pjesën lindore të Londrës pranë stadiumit olimpik, Gobi Sivanthan, me grupin Tamilët kundër Gjenocidit organizuan një grevë urie. Ai dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të hetojë qeverinë e Sri Lankës për atë që ai e quan krime kundër njerëzimit, të kryera ndaj grupit etnik Tamil.

“Unë kam si objektiv median ndërkombëtare sepse ne nuk kemi median tonë. Ne nuk ndihmohemi nga shtypi i huaj. Ndaj jam këtu të tërheq vëmendje në mënyrë demokratike e paqësore.”

Në një demokraci me vitalitet si ajo e Britanisë së Madhe, protesta politike si këto janë të shpeshta dhe të ligjshme. Por gjatë Lojrave Olimpike, ka pasur relativisht pak demonstrime të tilla. Edhe ato që janë organizuar nuk kanë ndërprerë vijimësinë e lojrave.

Analistja e çështjeve të sigurisë Valentina Soria, me Institutin e Shërbimit Mbretëror, thotë se autoritetet britanike kanë shtuar forcat policore e ato të sigurisë gjatë Lojrave dhe atyre u është bërë e njohur se nuk duhet të tolerojnë asnjë demonstrim që mund të kërcënojë sigurinë publike.

“Ne i lejojmë njerëzit që të protestojnë dhe të shprehin mospajtimin e ideve të tyre, por gjithmonë me një kufi të lejuar pasi nëse këto demonstrime përshkallëzohen më tej, përhapin çregullim dhe atëherë kthehen në kërcënim për vetë sigurinë”.

Julian Cheyne me Rrjetin Kundër Olimpikeve, një koalicion grupesh i cili ndihmoi në organizimin e një marshimi proteste në ditën e parë të Lojrave, thotë se shumica e aktivistëve britanikë nuk kanë në plan që të protestojnë gjatë Olimpikeve. Ai thotë se grupi i tij kundërshton shfrytëzimin e korporatave dhe mungesën e përgjegjësisë së qeverisë në planifikimin e Lojrave Olimpike, por nuk kundërshton garat në vetvete. Ndërprerja e Lojrave, thotë ai, mund të kthejë publikun kundër kauzës së tyre.

“Asnjëherë nuk e kemi pasur si piksynimi ndërprerjen e garave sportive dhe mendoj se do të ishte e kotë që të bëhej kjo pasi do të sillte zemërimin e shumë njerëzve, dhe ne nuk kemi këtë qëllim”.

Julian Cheyne thotë se mbasi ndjenja e mirë e përgjithshme e krijuar nga Lojrat Olimpike të zbehet dhe realiteti i ashpër ekonomik të rikthehet në vëmendje, aktivistët politikë do të dalin sërish në rrugë.
XS
SM
MD
LG