Lidhje

Tirana feston e ditën e Pavarësisë


Kryeqyteti i Shqipërisë festoi sot 100 vjetorin e ngritjes së flamurit të pavarësisë. Ceremonitë festive u mbajtën pranë Bibliotekës së vjetër tek ura e tabakëve, pikërisht në vendin ku një shekull më parë burrat e shquar të Tiranës ngritën flamurin para popullit entuziast, ndërkohë që Ismail Qemali rendte të shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Në festën e sotme morën pjesë pasardhësit e firmëtarëve të aktit të Pavarësisë.

“Sot, në këtë ditë të rëndësishme për qytetin tonë, i cili ka nisur tashmë festën që ndihet në çdo lagje, unë dua të ndalem dhe ju ftoj të ndalemi së bashku për të kujtuar me mirënjohje, respekt dhe krenari kombëtare firmëtarët e aktit të ngritjes së flamurit në Tiranë: Refik Toptani, Abdulla Gjinali, Xhelal Toptani, Sulejman Kadiu, Sheh Ahmed Pazari, Isuf Aqif Banka, Myderris Hysen Shehri, Muslim Beshiri, Selim Petrela e Papa Nikolla Papajani. Mirënjohje për jetë për ta dhe familjet e tyre!” - tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.



Ai tha se sot Tirana nuk është vetëm qyteti i madh i shqiptarëve por është qyteti që rrezaton shpresë dhe besim, në gjithë kombin shqiptar. “Sot është kryeqyteti i një vendi anëtar në NATO, kryeqyteti i një vendi, qytetarët e së cilit, gjithsecili prej nesh në këto sheshe dhe rrugë mund të udhëtojë lirisht dhe pa viza në Evropën e bashkuar, është kryeqyteti i një kombi që sot feston i bashkuar, ndonëse 100 vite më parë i copëtuar. Feston i bashkuar në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, Ulqin e kudo ku ka shqiptarë. Sot Tirana, në të gjithë pikëpamjet është në pararendje të ecjes së sigurt të vendit tonë, drejt synimit tonë final, synimit të kahershëm të atyre që e ngritën flamurin këtu, 100 vite më parë, ribashkimit me familjen evropiane” - tha zoti Basha.

I ardhur enkas nga SHBA për këtë ngjarje, në ceremoni foli edhe Refik Toptani, nipi personalitetit shqiptar me të njëjtin emër që lexoi deklaratën e pavarësisë 100 vjet më parë në qendër të Tiranës. “I them faleminderit shumë Bashkisë, që sot mua një nip i Toptanësve, më jepet rasti pas 50 viteve të uroj vendin tim për këtë festë. Uroj Bashkinë e Tiranës, ia di për faleminderit edhe Kryebashkiakut të Tiranës që organizuan për këtë 100 vjetor këtë festë të bukur, uroj edhe shoqatën “Tirana”, që ndonëse është një shoqatë e pavarur krijon mundësi që familjet e vjetra tiranase të shprehen këtu. I falenderoj edhe njëherë të gjithë, duke uruar: “Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët dhe gjithë tironsit!” - tha ai.

Në vendin ku 100 vjet më parë u ngrit flamuri i pavarësisë sot bashkia vendosi një flamur prej guri kuqezi, një mozaik nga skulptori Gëzim Hidri. Autori i mozaikut tha se mblodhi me kujdes shumë gurë të kuq në lumenjtë e malet e Shqipërisë, duke menduar se në to është gjaku dhe sakfiricat e dëshmorëve për liri.

“E nisa ta bëj atë vepër të qëndisur në mozaik, me gurë natyralë, u nisa me mendimin për të respektuar gjithashtu të parët tanë, që kanë luftuar në çdo betejë, në çdo fushë të tyre, duke mbajtur edhe penën, edhe mendjen, edhe shpatën. Ishte shumë domethënëse sot në Tiranë, se ky flamur duhet të vendosej për të respektuar të parët, për të respektuar gjithashtu atë shpatë, atë mburojë, atë përkrenare që ndodhet sot në Tiranë, të Gjergj Kastriotit Skënderbeut” - tha zoti Hidri.

Kryeqyteti shqiptar vazhdon prej disa ditësh të kalojë një atmosferë të veçantë festive, po vizitohet nga mijëra njerëz nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Europa e SHBA. Festohet në çdo rrugë e shesh, ndërsa pika kryesore vazhdojnë të mbeten Muzeu Historik Kombëtar, ku mijëra udhëtarë mbajnë radhë të gjatë për të parë nga afër armët e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbej, si dhe Biblioteka Kombëtare ku vizitohet “Meshari” i Gjon Buzukut, libri i parë në gjuhën shqipe.
XS
SM
MD
LG