Lidhje

Mjekët thonë mos i pastroni veshët


Dëgjoni se ç’thuhet: Njerëzit që janë të prirur për të pastruar veshët nga brenda, duhet të heqin dorë menjëherë nga ky zakon – veshët pastrohen vetë. Futja e një shtupe pambuku apo ndonjë gjë tjetër në vesh – është veprim jo vetëm i pashëndetshëm – por edhe i rrezikshëm.

Shumica e njerëzve fillojnë të zhbirojnë veshët – duke shpresuar për të hequr dyllin e krijuar në kanalin e veshit. Dylli i veshit, megjithatë, është i butë dhe si rrjedhim del jashtë vetëvetiu.
Duke kruajtur a zhbiruar veshin me një kunj druri të mbështjellë më pambuk, personi nuk bën gjë tjetër veçse e shtyn dyllin më thellë brenda në vesh – kjo mund të rezultojë në një udhëtim në zyrën e mjekut.
Bllokimi nga dylli është një nga shkaqet më të shpeshta të humbjes së dëgjimit. Gjithashtu, duke ngacmuar kanalin e veshit krijohen gjasat për dëmtimin ose çarjen e daulles së veshit.
Dylli në vesh ekziston për një arsye; për të mbrojtur veshët nga pluhuri, grimcat e vogla dhe bakteret. Dylli mbron edhe lëkurën delikate të kanalit të veshit nga ngacmimet ose pezamtimet nga uji gjatë larjes.
Pra shprehja “pastro veshët” duhet kuptuar vetëm si; pastro me kujdes pjesën e jashtme të veshëve duke përdorur një peshqir të lagur me ujë e sapun dhe pastaj thjesht fshie me peshqir të thatë.


Agresiviteti kibernetik, më i rrallë sesa ai tradicional

Pavarësisht nga përpjekjet për të frenuar ngacmimet, ato mbeten të zakonshme veçanërisht mes të rinjve.

Sjellja agresive nuk është e re, por me përhapjen e komunikimeve internetike problemi ka marrë një dimension të ri.

Një studim i paraqitur pranë Shoqatës Psikologjike Amerikane tregon se mënyrat e vjetra të ngacmimeve janë shumë më të shpeshta sesa ato në versionin kibernetik apo internet.

Shkencëtarët anketuan qindra e mijëra nxënës nga klasa e tretë në të dymbëdhjetën.

Mesatarisht,

- 18 për qind e tyre thanë se ishin keqtrajtuar verbalisht, ndërkohë që vetëm 5 për qind thanë se ishin ngacmuar në internet.

- 10 për qind thanë se kishin ngacmuar të tjerët, dhe vetëm 3 për qind thanë se kishin keqtrajtuar të tjerët në internet

Autorët thonë se megjithë zhurmën apo vëmendjen e tërhequr nga ngacmimet në internet, ky mjet i ri komunikimi në fakt ka krijuar me pak keqtrajtues ose viktima të reja.

Studimi rekomandon që shumë prej përpjekjeve të tyre shkollat duhet t’i drejtojnë kundër sjelljeve agresive të nxënësve në marrëdhënie të drejtpërdrejta me njeri-tjetrin.



Lidhje midis notave dhe shëndetit

Tani është gusht – ndërsa pushimet e verës po mbarojnë, fillimi i vitit të ri shkollor afron. Dhe jo rastësisht, shkencëtarët thonë se kanë gjetur një lidhje midis notave të nxënësve në mësime dhe shëndetit të tyre.

Mbajtja e fëmijëve fizikisht të aftë ka qenë prej kohësh një nga qëllimet e shkollës

Tani, një studim i paraqitur nga Shoqata Psikologjike Amerikane sjell prova se rezultatet në palestër sjellin fryte edhe në klasë. Të dhënat e studimit tregojnë se një zemër dhe mushkëri të shëndetshme mund të jenë aq të rëndësishme sa edhe truri për nota të mira në matematikë dhe lexim.

Shkencëtarët shqyrtuan 1 mijë e 200 nxënës rreth moshës 12 vjeçare.

Ata u vlerësuan për:

- gjendjen kardio-vaskulare

- rezultatet në mësime

- vetëbesimin (dhe)

- inkurajimin shoqëror

Autorët zbuluan se faktori i vetëm i vazhdueshme që kishte pasur një efekt pozitiv në notat e tyre ishte gjendja kardio-vaskulare – që kuptohet se programet e fizkulturës në shkolla duhet të vazhdojnë dhe se një raport i mirë mjekësor fizik do të thotë raport me nota të mira.



Aksidente në rritje nga ecja e hutuar

Raportet nga dhomat e urgjencës në spitalet amerikane tregojnë se trajtimet për rastet e lëndimeve si pasojë e ecjes pa vemendje në rrugë janë 4 fishuar gjatë 7 vjetëve të fundit.

Raportet e botuara i hedhin një vështrim më të thellë rrezikut të ecjes së hutuar që zyrtarë të qeverisë dhe ekspertët e sigurisë thonë se është një problem në rritje. Zyrtarët besojnë se këto raste shpesh kalojnë pa u raportuar.

Vitet e fundit është vënë re një shtim i vdekjeve dhe plagosjeve të këmbësorëve në akisdente në trafik, por nuk ka të dhëna të sakta të regjistruara që të tregojnë se ata kanë qenë të hutuar pas pajisjeve elektronike ndërsa ecnin rrugës.

Gjithashtu, ndonjë studim i mirëfilltë ende nuk është bërë. Shumë shtete amerikane e kanë shpallur të paligjëshme përdorimin e pajisjeve elektronike të komunikimit gjatë ngarjes së makinës. Mos duhet të ndalohen ato edhe për këmbësorët në rrugë?!
XS
SM
MD
LG