Lidhje

Njoftimi i Presidentit Obama për imigracionin


Presidenti Barack Obama njoftoi ndryshime rrënjësore në politikat e emigracionit të Shteteve të Bashkuara, të cilat do të ndikojnë në jetët e miliona emigrantëve pa dokumenta. Por, plani i presidentit ka shtuar kështu dhe kundërshtimin në Kongres.

Presidenti Obama iu drejtua publikut amerikan nga Shtëpia e Bardhë duke e përkufizuar “të prishur” sistemin e emigracionit në SHBA.

“Ka qenë kështu për dekada të tëra, dhe kemi bërë shumë pak për ta ndrequr.”

Presidenti tha se urdhëri i tij ekzekutiv do t’i lejojë emigrantët të “dalin nga hijet” ku janë fshehur. Urdhëri do t’i mbrojë përkohësisht emigrantët nga deportimi dhe do t’u japë leje pune nëse kanë qenë në SHBA për më tepër se pesë vjet, nëse kanë lindur fëmijët këtu, si dhe do t’u japë mundësinë të kalojnë një inspektim të historikut të tyre penal.

“Nuk do të vlejë për ata që do të vijnë ilegalisht në Amerikë në të ardhmen. Nuk u jep të drejtën e shtetësisë, ose të drejtën për të qëndruar këtu përgjithmonë, apo që të marrin përfitimet që kanë nënshtetasit.”

Tashmë do të deportohen me prioritet të dyshuarit për terrorizëm, anëtarë të grupeve kriminale ose kriminelë të dhunshëm, si dhe ata që mbërrijnë rishtazi.

Plani i tij zgjeron më tej të quajturin Plan për Fëmijët që mbërrijnë në SHBA, duke i mbrojtur nga deportimi për tre vjet, nëse kanë ardhur para vitit 2010, dhe nëse janë regjistruar në shkolla, pavarësisht nga mosha e tyre.

“Ne jemi një komb që arsimon më të mirët e botës në universitetet tona, dhe pastaj të na duhet t’i dërgojmë mbrapsht në vende të tjera që të na konkurojnë?Apo do të vendosim si komb që t’i inkurajojmë të qëndrojnë këtu dhe të krijojnë vende pune?”

Nga një total prej rreth 11 milionë emigrantë pa dokumenta në SHBA, plani i presidentit do të përfshijë rreth 5 milionë prej tyre.

Republikanët po e luftojnë ashpër këtë ide, duke thënë se presidenti nuk duhet të ndërmarrë këtë veprim i vetëm, siç shprehen udhëheqësit republikanë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, Mitch McConnell dhe John Boehner.

“Presidenti ka thënë në të kaluarën se ai nuk është mbret apo perandor. Por ai po vepron tani si i tillë,” tha zoti Boehner.

“Të mos gaboheni dhe të mendoni se kur përfaqësuesit e rinj të popullit të marrin vendet e tyre në Kongres, ata nuk do të veprojnë,” tha Senatori McConnell.

Por, studiuesi i Kongresit Thomas Mann mendon se republikanët nuk mund të bëjnë shumë.

“E vetmja mënyrë që të zhbëjnë këto urdhëra ekzekutive do të ishte të fitonin zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Nëse fitojnë, presidenti që do të nxjerrin mund të tërheqë urdhërat ekzekutivë, dhe kështu mund të veprojnë politikisht nëse dëshirojnë.”

Presidenti Obama ka patur vështirësitë e tij me ligjvënësit. Profesori James Thurber i Universiteti Amerikan ka shkruar rreth Kongresit dhe presidencës.

“Presidenti mendon se meqë republikanët nuk kanë bërë asgjë, atëherë ata ndoshta do të vazhdojnë kështu; do të kritikohem si do që të jetë, por të paktën të bëj gjënë e duhur.”

Publiku amerikan nuk është i bindur se këto urdhëra ekzekutive janë mënyra e duhur për të ndrequr emigracionin. Një anketim i fundit tregon se 48% janë kundër, 38% pro, dhe 14% janë të pasigurtë.

Koha më e afërt që këto programe të reja të hyjnë në fuqi, është fillimi i vitit tjetër.

Siç u shpreh një zyrtar i lartë i administratës, nuk është aq e thjeshtë sa të shtypësh një buton dhe gjërat të fillojnë menjëherë të nesërmen.

XS
SM
MD
LG