Presidenti Obama shkon në Nju Jork
Presidenti do të shikojë nga afër përpjekjet e qytetit në mëkëmbjen nga uragani Sandy
Presidenti Barack Obama po viziton Nju Jorkun për të parë përpjekjet qytetit në mëkëmbjen nga uragani Sandy.
Stuhia shkatërroi lagjet në brigjet e qytetit në fund të tetorit, duke lënë miliona banorë pa shtëpi apo pa energji elektrike për gati tre javë mes temperaturave të ulta.
Stuhia e fuqishme që goditi Bregun Lindor vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, ka rindezur debatin e ndryshimeve klimatike, që disa vëzhgues thonë se ka filluar të shkaktojë stuhi të dhunshme si Sandy. Megjithëse nuk e bëri një lidhje të tij, zoti Obama u tha gazetarëve dje në Shtëpinë e Bardhë se nuk ka dyshim për ndryshimet klimatike dhe efektet e tyre mbi ambjentin.
Një tentative për të miratuar një projektligj që do të kufizonte emetimin e dioksidit të karbonit dështoi në kongres gjatë mandatit të parë të presidentit. Por zoti Obama premtoi ta shtrojë përsëri këtë çështje gjatë mandatit të tij të dytë.